Një aksiomë edukimi thotë: “Eshtë më mirë të heshtësh, sesa të kundërshtosh hapur përpara fëmijëve për një masë pedagogjike që nuk të pëlqen”. Në mënyrë të veçantë, kjo është e vlefshme në familje. Sa grindje do ishin shmangur nëse të dy prindërit do përpiqeshin ta përqafonin këtë ide.
Natyrisht, edhe në çiftet më të përsosura nuk do ishte e mundur të kërkonin përputhje mendimesh në të gjitha temat, veçanërisht në ato të edukimit. Një gjë e tillë do të kërkonte humbjen e njërit nga të dyve përpara tjetrit. Kjo do ishte e padëshirueshme dhe paralelisht e rrezikshme e që më vonë do shkaktonte rreziqe të tjera. Pikëpamjet e ndryshme të çiftit janë të gabuara vetëm kur përfundojnë në grindje.
Në librin “Nga psikologjia e martesës”, shkruhet: “Teknika e jetës është se si diferencat të bëhen krijimtari, mjet për bashkim, për lulëzimin e pjestarëve të familjes. Gishtat nuk janë të njëllojtë, por kur bashkëpunojnë formojnë dorën”.
Kështu çifti, nëse pranon të ndajë përvojën, kulturën, botën e tyre të ndryshme të ndjenjave, mund të formojnë një mirëkuptim të mirë e të thellë për reagimet e fëmijëve, që do të jetë çelësi i suksesit në edukimin e tyre.
Për ta kuptuar sa e vlefshme është bashkëekzistenca dhe bashkëpunimi i çiftit në temat e edukimit, mjafton të pyesim nënën ose babanë që përballojnë të vetëm problemet e fëmijëve të tyre për shkak të të mbeturit të ve ose të divorcit.
Sa herë këmbëngulja e nënës ose e babait ashpërson inatin e fëmijës dhe nuk gjendet askush të ndërhyjë që të ndryshojë atmosferën. Por, ky ndryshim i është i lehtë të realizohet, kur prindërit janë të gatshëm të bien dakord ose të përdorin natyrat e tyre të ndryshme të karakterit dhe të zakoneve kundrejt fëmijës. Embëlsia dhe qëndrueshmëria, manovrimi dhe papajtueshmëria, bindja dhe detyrimi kombinohen pa ardhur kurrë në kundërshtim. Shohim që njëri e tërhoqi më tepër litarin sesa duhet. Kemi mundësinë e çmuar të ndërhyrjes së tjetrit.
Shpesh, në thellësinë e ashpërsisë së fëmijës, në kundërshtimin inatçi të tij, dallojmë një nevojë të madhe për dhembshuri, një kërkim të zjarrtë për dashuri për shembull në kohën e lindjes së një fëmije tjetër në familje ose në një disfatë në shkollë.
Ndërkohë, nëse në rrëmujat e tij, që shpesh herë bëhen të mëdha, përgjigjemi me buzëqeshje, do të lejojmë të krijohet një përshtypje e gabuar, që do të merret si inkurajim për ashpërsinë e tij. Nëse njëri nga prindërit p.sh babai arrin të mbetet larg episodit ose të bëjë sikur s’e vuri re, atëherë asgjë nuk do ta pengojë, në këtë çast të çmuar që t’i tregojë rebelit të vogël dashuri, ta rrethojë me besim, t’i japë fitoren që e ka kaq nevojë, që të rigjejë sigurinë dhe të fitojë qetësinë e tij.
Uniteti i prindërve shton autoritetin, i jep lirshmëri lëvizjeve të tyre, krijon siguri dhe do thoshim, krijon një dinjitet që prek dhe fuqizon fëmijët. Sot, që gjithçka rreth nesh lëkundet, fëmijët kanë nevojë që të ndjejnë në shtëpitë e tyre sigurinë që buron nga uniteti i prindërve. Eshtë treguar si mjekimi më i fuqishëm në qetësinë e tyre.
Louis Despert, mjeke psikiatre shkruan: “Brenda grupit të fëmijëve që paraqesin tronditje psiqike shumica e tyre vijnë nga familje me marrëdhënie të tronditura bashkëshortore, pavarësisht nëse kanë përfunduar në divorc”.
Derisa kjo qetësi familjare është kaq e çmuar dhe veçanërisht dëshira e prindërve për edukimin e fëmijëve le të shohim, se ç’është ajo që e bën të vështirë.
Para së gjithash, që të jemi të drejtë, duhet të themi që ky ndërtim i familjes krijon vështirësi në edukimin e fëmijëve dhe shpeshherë mosmarrëveshje.
Mosmarrëveshje për shkak të moshës, fëmijë të vegjël dhe të mëdhenj. Nëse ka moshë të përafërt problemi është më i lehtë. Po nëse njëri shkon në klasën e parë fillore e tjetri në gjimnaz, duhet të bëhet një program që është i pranueshëm për të gjithë pa barazuar interesat, pa krijuar dyshimin e një sjelljeje padrejtësie në kohën e kthimit e të qëndrimit në shtëpi? Si do realizojmë edukimin e veçantë për të cilin ka nevojë çdo fëmijë?
Në familje edukatori dhe nxënësi janë shumë afër. Fëmijët reagojnë me inat ndaj njërit prind, ndërsa dëgjojnë tjetrin. Edhe vetë prindërit, pa u ndërgjegjësuar, kanë dobësitë e tyre tek ndonjë fëmijë ngaqë është i sëmurë, ose sepse u kujton ndonjë nga prindërit e tyre. Si do vëmë kufinj, pa ndaluar iniciativën, pa rafshuar interesat? Kjo dashuri, përkujdesja ngandonjëherë e tepruar, duhet të ndihmojë e jo të padrejtësojë, (p.sh fëmija të arrijë të na thotë se jemi më pak objektivë së mësuesi në shkollë).
Gjithë këto ndryshime shkaktojnë vështirësi në edukim dhe krijojnë probleme për përballimin nga vetë prindërit. Vetë fakti, se në familje ka dy mësues krijon një realitet dhe midis çiftit.
(Vijon)
Përktheu Nafsika Melo