Në fillim u gradua oficer i Romës, në të cilën lindi më 540, prej prindërve që vinin nga familje të lashta aristokrate dhe shpirtërore: Gordianit, i biri ose nipi i të shenjtëruarit papa Feliksit III dhe Silvies. Pasi i vdiq i ati e ktheu pallatin e tij në Manastirin e Shën Andreas (574) ku u qeth murg i thjeshtë dhe studioi teologji. Tashmë ishte jurist. Më përpara ndërtoi gjashtë manastire në Siçili dhe u ndau të varfërve gjithë pasurinë e tij të trashëguar nga prindërit. Gjatë gjithë jetës së tij jepte lëmoshë pa u kursyer deri në naivitet fenomenal, dhe një njeri, që ishte shpëtuar nga fundosja në det, të cilin e mëshiroi, më vonë rezultoi se ishte engjëll! Dhjak që në vitin 577, u emërua në vitin 579 përfaqësues i Kishës së Romës në Konstandinopojë. U rikthye më 585 dhe në vitin 590 si i drejtë dhe i shumëditur u zgjodh njëzëri në fronin e Romës, të cilin kur e refuzoi, e çuan zvarrë besimtarët! Bëri vepra të mëdha, p.sh. ktheu në të krishterë paganët e Siçilisë, Sardenjës dhe Korsikës, Longobardët dhe sidomos Britaninë e Madhe, duke dërguar atje si igumen të Manastirit të Shën Andreas, Agustin Ndriçuesin; luftoi herezitë; i dha Evropës muzikën kishtare omofonike që e shpiku ai vetë, bijë të asaj greko-bizantine, d.m.th. melodinë “grigoriane”, që psalet edhe sot; hartoi tekste të mbushura me dije të thella, p.sh. shpjegimin moral të Jovit, skicën e bariut të mirë, letrat dhe veçanërisht Dialogjet e famshme, ndoshta plazmatike, me nxënësin e tij, kryedhjakonin Petro – prandaj dhe quhet Dialog – të cilët ekspozojnë jetë autentike oshënarësh italianë dhe mësime mbi pavdekshmërinë e shpirtit; kompozoi dhe pjesë liturgjike, por jo Liturgjinë Hyjnore të të Parashenjtëruarave, që mban emrin e tij, por që është krijuar shumë kohë para tij. Ndërsa shkruante, një pëllumbeshë fluturonte përpara gojës së tij. “Shërbëtori i shërbëtorëve të Perëndisë” ashtu si u vetëkarakterizua i pari nga përulësia si papë, ndërroi jetë më 12.3.604, në moshën 64-vjeçare. Sipas Limonarit ai i falte më parë ata që i shkonin për metani, i përqafonte dhe u jepte dhurata (kap. 151) dhe sapo lexuan një falje të shkruar nga ai në varrin e një murgu të dënuar, murgu “u lirua”, siç i tha dikujt që iu shfaq në ëndërr (kap. 192).