Kostandin Shpataraku, piktori i njohur mesjetar, e ka marrë këtë mbiemër prej mbishkrimeve që linte në pikturat e tij. Kudo ku pikturonte, shkruante gjithmonë Kostandini prej Shpati. Ky është një tregues i origjinës së tij nga Shpati i Sipërm. Konkretisht, hamendësohet për 3 fshatra që mund të jenë origjina e tij: Seltë, Pashtresh dhe Valësh. Mbiemri i tij i vërtetë mendohet të ketë qenë Oga. Fise me këtë mbiemër kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë edhe sot në fshatin Valësh.
Kostandin Shpataraku kishte shkuar në Strugë për të festuar “Hyjlindësen Mari”, më 21 shtator. Në Strugë festimet bëheshin që në datën 20 në darkë, pranë gjolit dhe në mëngjes hapej kisha e festonin përgjatë gjithë ditës. Kostandini niset nga Struga për të ardhur në Shpat, menjëherë pas festimeve. Duke qenë se ai përhapte krishterimin përmes pikturave të tij dhe mësonte gjuhën shqipe, ishte vënë në qendër të vëmendjes turke për t’u ekzekutuar. Për të ishte dhënë urdhri i vrasjes dhe sapo vjen në Elbasan, në vendin e quajtur “Gjurma e Mushkës” e ekzekutojnë me prerje koke. Kokën ia ngulin në një hu gardhi dhe trupin ia lënë të shtrirë përtokë. Pasi kishin kryer vrasjen, ushtarët turq shkojnë te garnizoni në kala dhe lajmërojnë komandantin e tyre që urdhri ishte kryer. Ata i thonë: “E therëm Kostandinin!” – “Ku e keni kokën?” – i pyet ai, – “E kemi ngulur në një hu gardhi.” – “Shkoni merreni!” Pas kësaj, ushtarët shkuan te vendi ku e ekzekutuan dhe nuk arritën ta merrnin kokën, sepse rreth saj ishin grumbulluar bletë, grerëza etj., që i pickuan ata në fytyrë, në duar dhe në trup.
Banorët e lagjes “Gjurma e Mushkës” dhe shoqëruesit e Kostandin Shpatarakut dërgojnë haber në Valësh, te fisi Oga, për të marrë trupin dhe kokën e Kostandinit, bashkë me shpatarakët e tjerë. Kur këta të fundit erdhën ditën tjetër për të marrë trupin dhe kokën e tij, grerëzat u larguan. Banorët e lagjes e panë skenën, ashtu siç kishin parë edhe skenën tjetër kur erdhën ushtarët për ta marrë dhe u habitën. “Ç’është kjo që po ndodh?” – thoshin ata. Pasi shpatarakët e morën Kostandinin me vig, banorët ndezën qiri te vendi ku u ekzekutua, gjë të cilën e bënë edhe më vonë, duke e konsideruar si vend të shenjtë. Edhe sot vazhdojnë të ndizen qirinj edhe pse shumë njerëz nuk e dinë se çfarë simbolizon ky vend.
Pasi e dërguan në Valësh, fshatarët e tjerë vendosën që të bënin 3 varre brenda ditës, ku vetëm në njërin prej tyre vendosën trupin dhe kokën e Kostandinit, kurse 2 të tjerët ishin bosh, që turqit të mos e dinin se ku ishte saktësisht.
Me ndalimin e fesë në këtë periudhë (1966) u prish nga rinia e fshatit edhe kishëza pranë varrit të Kostandinit. Në vitin 1966, unë dhe bashkëmoshatari im Vasil Toçi, ishim vetëm 10 vjeç dhe të dy së bashku, një mbrëmje rindërtuam fshehurazi “kishëzën” po me materialet e saj që ishin lënë aty përreth. Morëm qirinj dhe shkrepëse në shtëpi e shkuam i ndezëm në kishë. Kur e panë fshatarët të nesërmen, menduan se e kishte “ndërtuar” Zoti dhe vazhduan të ndiznin fshehurazi qirinj.
Që prej asaj kohe, kishëza nuk u prish më dhe vazhdon të jetë edhe sot në po të njëjtin vend dhe njerëzit ndezin sërish qirinj.
(Rrëfyer për Arkivin Digjital Elbasan, nga Josif Toçi)