EmailFacebookKontakt

Gjyqësori njolloset përsëri

Mbas një maratone gjyqësore disavjeçare midis Komunitetit Orthodhoks të Përmetit dhe pronarëve të “kulturës” të atij qyteti (bëhet fjalë për kulturë bilardosh e lojërash fati). Gjykata e Lartë me anë të vendimit të saj datë 14.10.2003 mori mbi vete përgjegjësinë e një padrejtësie të pashembullt në 13 vjetët e rivendosjes së të drejtave civile. Ajo vendos riheqjen e simboleve fetare (kryqit, ikonave), njësoj si në kohën e grupeve të rinisë më 1967, nga Kisha e Shën Marisë në Përmet, kishë e vjetër, e rindërtuar disa herë në atë vend, e transformuar në shtëpi kulture, por me ruajtje të binasë, në të cilën, për efekt të vendimit gjyqësor të kaluar në të tri instancat, prej disa kohësh kryhej Liturgjia Hyjnore. Kësisoj, organi më i lartë gjyqësor i shtetit, i ngarkuar të mbikqyrë administrimin korrekt të drejtësisë, vendos përsëri mbylljen e një kishe, duke ringjallur kështu diktaturën absurde në formën e saj më të egër, atë të dhunës edhe ndaj ndjenjës fetare të popullit.

Për të përligjur këtë ndërhyrje brutale në një proces gjyqësor që kishte gjetur zgjidhjen e tij normale, ndonëse të zgjatur, nga ana e organit të lartë u përdor një “provë” e manipuluar. Në fakt, kërkesës së ligjit, që objekti i kontestuar t’i kthehet komunitetit kur muret e tempullit janë ruajtur gjatë transformimit, i është bërë ballë me një dokument të fallsifikuar të pronarëve të bilardos që pohon në kundërshtim me çdo evidencë dhe ekspertizë, se “ndërtesa është investuar e ndërtuar tërësisht nga shteti në vitin 1962”.

Padrejtësia dhe mashtrimi në këtë rast bërtet dhe kjo na bën të drejtojmë për një çast shikimin tek njerëzit që zënë majën e autoritetit gjyqësor, nga të cilët shoqëria pret fjalën e fundit të drejtësisë. Pa dyshim, tendencioziteti i theksuar i zbulon ata në natyrën e tyre më intime si ruajtës të frymës totalitare, me të cilën fundja ata janë formuar. Shumë vuajtje dhe viktima ka shkaktuar kjo frymë, shumë gjak ka derdhur, e megjithatë, gjë e habitshme, akoma ruhen kushtet në Shqipëri që të pafajshmit të paguajnë përsëri.

Para disa ditësh në Tiranë u mbajt një konferencë për tolerancën fetare ndër shqiptarët. Mendojmë se asgjë e vlefshme nuk do të dalë nga ripohimi i këtij tipari të njohur dhe të pranuar botërisht në qoftë se nuk do të evidentohen edhe tiparet negative që konkurojnë dhe i mbijetojnë kësaj tolerance si inati, karshillëku, prepotenca ndaj tjetrit, tipare që na mbajnë në vend dhe priren të na kthejnë mbrapa.

Ne u bëjmë thirrje gjithë qytetarëve vullnetmirë të na përkrahin në kërkesën tonë për drejtësi. Thirrjen tonë e kuptojnë më mirë besimtarët, pavarësisht nga feja, sepse ata e dinë që këto shkelje e kanë origjinën tek mospërfillja e Zotit, ajo çon te nëpërkëmbja e çdo norme morale dhe deri te përvetësimi i gjësë së tjetrit.

Tek kjo dekadencë reduktohen në masë të madhe të gjitha problemet që nuk gjejnë zgjidhje në shoqërinë shqiptare.

Lekë Tasi
Nasi Hobdari
Todi Janku
Llazar Pjeshkazini
Bardhyl Qirjaku