Kur bie fjala për Krishterimin në krahinën e Shpatit, menjëherë na shkon mendja te krishterimi i fshehur, që e dallon nga krahinat e tjera të Elbasanit.
Si e mbrojtën shpatarakët Krishterimin për rreth pesë shekuj të sundimit osman? Një nga arsyet është se krishterimi i ka rrënjët e thella në këtë krahinë qysh në fillimet e tij. Të udhëtosh nëpër fshatrat e zonës së Shpatit, do të ballafaqohesh me një numër të konsiderueshëm rrënojash kishash të ndërtuara në periudha të ndryshme historike. “Vendet e kultit në Shpat zinin një vend që të bën përshtypje”, thotë E. Nikolaidhu. Mitropoliti i Durrësit, Prokopi, kishte opinionin se këto kisha duhet të studiohen me kujdes, sepse ka probabilitet t’i përkasin viteve të para të përhapjes së Krishterimit në Shqipëri”.
Informacionet e para të Krishterimit të hershëm në zonën e Shpatit i kemi nga gjetjet e rastësishme të objekteve arkeologjike në fshatrat Byshek dhe Shelcan, ku janë zbuluar disa varre. Te burimi i famshëm i Teferiçit, në Bushek, në rrugën “Egnatia”, nën rrënjët e rrapeve pesëshekullorë, janë gjetur fragmente kolonash dhe kryqe të gdhendur në gurët e mureve të një bazilike. Ekziston një legjendë që tregon se kur zona u pushtua nga turqit, një kishë u mbulua me rërë për t’u fshehur. Në fillimet e shek. XV, Bysheku ishte një qytezë e populluar me mbi 280 familje.
Fragmente të arkitekturës së ndërtimit të bazilikave të para shihen edhe në kishën e Shën Nikollës në Shelcan, fshat ku gjenden gjashtë rrënoja kishash dhe të një manastiri. Kjo kishë shpesh daton në shek. XVI, duke u nisur nga pikturimi i Onufrit. Por, para Onufrit, në nënshtresën e afreskut, kemi një shtresë tjetër me afreske, të pikturuara nga një dorë tjetër artisti, ku dallojnë simbolet e diellit dhe të hënës, punuar ndoshta një shekull a më shumë para tij, ashtu siç ka piktura të tilla në pjesën perëndimore të kësaj kishe. Gjithashtu, edhe kambana e kishës së Shelcanit, që ndodhet në Muzeun Kombëtar, ka qenë porositur për këtë kishë në Itali, në kohën e Gjergj Arianitit dhe mban datën 1455, ku është skalitur simboli trinitar, që do të vazhdojë në pikturat e tij Onufri dhe Kostandin Shpataraku. Në dritaren jugore të kishës, një fragment kolone dhe kapiteli e ndan më dysh hapësirën e dritares, një vazhdim i traditës së ndërtimit të bazilikave të para.
Mendojmë se ajo është marrë nga një bazilikë e mëparshme, ndërtuar në këtë vend ose diku afër.
Elemente arkitektonike të bazilikave të para janë gjetur edhe në qendrën e krahinës së Shpatit, atje ku Onufri na ka dhuruar afresket e kishës së Shën Parashqevisë, në Valësh, në lagjen Shëmrizë (shën Maria), e cila, siç tregonte L. Oga, ka qenë fshat më vete. Në këtë lagje, përveç kishës së Hyjlindëses, gjenden dhe rrënojat e një kishe shumë të vjetër, që nuk mbahet mend në kujtesën e banorëve dhe nuk i dihet emri, përveç burimit pranë saj, që quhet “Kroi Ajazmë”. N. Toçi tregonte se në këtë vend janë gjetur objekte të ndryshme, si unaza bronzi, rruaza, fragmente enësh qeramike, si dhe varre të prishura, ku ishin vendosur dy trupa. Ai më tregoi një fragment të vogël afresku, që ishte gjetur kur punonte tokën, të cilën e dorëzuam në muzeun e Elbasanit, ku u zhduk në vitin 1997 me shkatërrimin e tij. T. Toçi tregon se gjatë punimit të tokës janë gjetur pjesë kolonash dhe kapitelesh, rreth 20 m sipër burimit, në vendin ku ndodhen rrënojat e kishës që ndodhen rreth 80 cm nën tokë. Kolonat janë gjetur në pozicionin në këmbë, paksa të anuara mbi mure.
Mendojmë që krahina e Shpatit mbart vlera dhe pasuri të paçmuara për studimin e historisë jo vetëm lokale, por mbarëkombëtare. Besojmë dhe urojmë që Akademia e Shkencave dhe Kisha Orthodhokse do të kontribuojnë në studimin e mëtejshëm të historisë së Krishterimit të hershëm të kësaj krahine.
Filip Bërdufi