Në fund të marsit 2003 bëri një vizitë në Tiranë At Martin Ritsi, Drejtor i Qendrës së Krishterë Orthodhokse të Misionit (OCMC). Ajo është një organizëm i Konferencës së Episkopëve Kanonikë Orthodhoksë të Amerikës (SCOBA) dhe është e dalluar për ndihmën e mbështetjen që u jep kishave orthodhokse në mbarë botën.
At Martini u vu në drejtimin e saj, pas një pune shumë të gjatë, frytdhënëse e të përkushtuar në krah të Kryepiskopit Anastas, për rimëkëmbjen e Kishës sonë. Ky kontribut ishte si në organizimin e sistemit financiar të Kishës ashtu edhe në atë shpirtëror; me shërbesat si prift, mësimet e katekizmit dhe si pedagog në Akademinë Teologjike. Këto e bënë At Martinin mjaft të njohur mes orthodhoksëve shqiptarë.
Ndaj, të dielën, më 30 mars, u ndoq me shumë interes nga të pranishmit në kishë prezantimi dhe falënderimi që iu bënë At Martinit nga Kryepiskopi Anastas. Edhe pas Liturgjisë, ai pati takime me shumë e shumë të njohur, të cilët pyesnin edhe për priftëreshën Urani dhe fëmijët.
Qendra e Krishterë Orthodhokse e Misionit (OCMC), e cila mbështet edhe sot programe dhe qëndrimin e ndihmën që i japin Kishës sonë një grup misionarësh nga SHBA, më 8 mars, për veprimtarinë e dalluar, mori Çmimin e njohur Athenagoras për të drejtat e njeriut.
Korresp. i “Ngjallja”