Fisi i Saqellarëve në Kolkondas për katër shekuj ka qenë brez pas brezi derë priftërinjsh, meshtarësh dhe mësuesish.
Saqellarët janë një nga fiset më të nderuar në Kolkondas, rreth zones së fshatit Libofshë të rrethit të Fierit. Siç tregon zoti Rrap Saqellari, origjina e familjes së tij është mjaft e vjetër. Zanafilla e saj është viti 1600, kur të parët të ndjekur nga pushtuesit turq u shpërngulën nga krahina e Shpatit të Elbasanit dhe u vendosën në Kolkondas.
Në një gati legjendë, thuhet se kryetari i këtij fisi ishte një prift shumë i ditur, i quajtur Kola me gruan e tij Konda dhe nga bashkimi i të dy emrave vendi mori emrin Kolkondas. Prej këtij fisi rrodhën, gjeneratë pas gjenerate, klerikë të ditur dhe mësues, të cilët do të trashëgonin zakonet dhe traditat e besimit orthodhoks mbështetur në mësimet e Ungjillit të Shenjtë. Si qendër e aktivitetit të tyre ishte kisha e Shën Marisë dhe Manastiri i Shën Kozmait.
Duke trashëguar këto tradita, ata prunë nga Shpati edhe një bibliotekë të pasur me libra dhe dorëshkrime, me të cilat mësonin në mënyrë të fshehtë priftërinjtë e Myzeqesë gjatë pushtimit turk. Ky vend u bë edhe më i rëndësishëm në shek. XVII-XVIII me ardhjen e murgut Kozma, predikimet e të cilit ngjallin shpresa. Pas vdekjes së Shën Kozmait, Ali Pashë Tepelena do të ndërtonte kishën kushtuar Shën Kozmait dhe Manastirin, i cili do të kishte një shkollë gjysmë gjimnaz, ku me anë kursesh do të përgatiteshin priftërinj dhe mësues. Por, nga shek. XVI deri në shek. e XIX nga ky vend kanë dalë priftërinj, i pari i të cilëve Kola, pastaj papa Avakumi, papa Isaku, papa Pjetri dhe papa Anastasi, që ky i fundit ka qënë edhe zëvendës Mitropolit në Kolkondas dhe Berat (1779-1830). Si i ditur që ishte, atij iu dha dhe titulli fetar “Saqellar”, i cili ishte në pritje për t’u bërë Dhespot. Këtë e vërteton edhe një dokument i vitit 1853.
Nga biblioteka e familjes të Saqellarëve mori dituri dhe mësoi Dhespoti, Josafat Gjeçi nga Kolkondasi, i cili ishte dhespot i Beratit dhe i Myzeqesë. Ky dhespot ka pritur Shën Kozmanë në Berat dhe Kolkondas dhe kur ky i fundit u vra nga njerëzit e Kurt Pashës, morën pjesë në varrimin e shenjtit në Kolkondas. Një prift tjetër, papa Marko qe ai, që e gjeti Shën Kozmanë të vrarë buzë lumit dhe që i bëri shërbesat dhe e varrosi pranë kishës së Shën Marisë. Pas papa Markos të tjerë priftërinj nga derat e Saqellarëve do të dalin; këta janë: papa Jani, papa Avrani, papa Prendi, papa Pjetri, por më i fundit do të ishte papa Spiro Saqellari (1870-1918), i cili ishte edhe një patriot i flaktë.
Duke qënë patriot gjatë okupimit Italian në luftën e parë botërore, papa Spiron dhe familjen e tij prej tetëmbëdhjetë njerëzish e internuan në Nartë të Vlorës, nga të cilët u kthyen vetëm katër vetë, duke i mbetur si pasuri vetëm katër faqet e murit. Duhet thënë se edhe biblioteka e Saqellarëve në vitin 1918 ii grabit nga ushtria italiane. Gjatë luftës së parë botërore Myzeqeja u bë front betejash nga ushtritë austriake dhe italiane të cilët donin të vendosnin shtabet e tyre në Manastirin e Ardenicës, por që gjetën kundërshtimin e Papa Spiros dhe njerëzve të tjerë. Ushtarakët austriakë morën në Manastirin e Kolkondasit Kurorën e artë të Shën Kozmait, duke u bërë dhe shkatërime të tjera. Pas vrasjes së Papa Spiros, vendin e tij do ta zërë Leka Saqellari, i cili do të ishte psalt dhe administrator i Manastirit të Kolkondasit deri në vitin 1941.
Në kohën e regjimit komunist dhe pas ndalimit të ushtrimit të fesë, ishte përsëri një njeri, nga kjo familje që do të ruante si kujdestar të katër kishat e fshatit Libofshë, të cilat ishin të shpallur si monumente Kulture, z. Rrap Saqellari. Me gjithë pagën e ulët prej tre lekësh të vjetra në ditë, ai do kryente këtë punë përkushtim, për hir të ndjekjes së traditës fetare të derës së Saqellarëve.
S. Mihalçka