Një i ri shpresëtar shkoi në Vendet e Shenjta për t’u bërë murg. Vizitoi shumë vende të ndryshme faljeje, qëndroi mjaft ditë në Malin e Ullinjve për lutje dhe shpirti i tij u mbush me frymë të dërmituri dhe dashuri hyjnore. Dhe, duke u kthyer në Jeruzalem, rrëfeu të gjitha mëkatet e tij te Patriku dhe iu lut që t’i vinte dënim të rëndë. Por hierarku, i cili nuk po shihte ndonjë arsye serioze për dënim, duke u mrekulluar nga përulësia e të riut i tha:
– Nuk është e drejtë, biri im, të të dënoj unë kur të ka falur Perëndia i Tërëmirë.
Por i riu, i cili e konsideronte veten e tij shumë mëkatar, ngriti një kasolle në Malin e Ullinjve, u mbyll brenda në të dhe kaloi zinxhirë të rëndë tek këmbët dhe tek qafa e tij.
– Kush t’i vuri zinxhirat, Vëlla? – e pyesnin kalimtarët.
– Kryezoti, për krimet e mija, – përgjigjej ai duke qarë.
Madje, shumë nga njerëzit qe e panë dhe folën me të kishin besuar se ai ishte me të vërtetë kriminel. Kaluan vite. I riu vazhdonte të mbante me durim hekurat e rëndë mbi trupin e tij. Derisa një ditë u paraqit përpara tij Engjëlli hyjnor.
– Nuk duhen më këto, i tha engjëlli dhe i tregoi zinxhirat. – Të gjitha mëkatet e tua u falën. Dhe menjëherë hekurat e rëndë ranë përtokë dhe trupi i të riut u çlirua.
– Kush t’i zgjidhi vargonjtë? – e pyesnin tani kalimtarët.
– Ai që më zgjidhi edhe mëkatet, – përgjigjej me gëzim Vëllai. Dhe pas disaditësh ndërroi jetë.