Çaste prekëse fali vizita e fundit e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij Anastasit, në Mitropolinë e Gjirokastrës. Duke ardhur në vazhdim të udhëtimit të Tij në Betlehem, Kryepiskopi uroi besimtarët dhe bashkëpunëtorët për vitin e ri dhe shekullin e ri, si dhe u stimuloi atyre shpresën dhe optimizmin, me fillimin e një vepre tjetër të veprimtarisë sociale dobiprurëse të Kishës Orthodhokse.
Kulmi i qëndrimit në Gjirokastër të Kryepiskopit Anastas ishte hirotonisja e një hierodhjakoni të ri. Në Kishën Katedrale “Metamorfoza e Shpëtimtarit”, z. Dhimitër Flenga, kujdestar në Shkollën e Mesme Kishtare “Kryqi i Nderuar”, u hirotonis me emrin e ri Timothe. Simbolika e kësaj hirotonisjeje qëndron në faktin se bëhet në fillim të shekullit të ri, kur edhe rinovohet shpresa e shoqërisë njerëzore, por njëherësh është edhe shprehje e ekumenicitetit të besimit Orthodhoks, përderisa i hirotonisuri vjen nga një vend fqinjë për t’u dorëzuar dhe shërbyer midis nesh.
Kryepiskopi, brenda atmosferës kataliktike që u krijua, gjeti rastin edhe për këshilla atërore për të hirotonisurin rishtaz, por edhe për nxënësit e Shkollës sonë, që kishin mbushur kishën. Fortlumturia e Tij shprehu urimin, shpresën dhe bindjen e Tij, se prej tyre pret që shoqëria jonë, komuniteti ynë orthodhoks të plotësojnë mungesën thelbësore për klerikë të denjë, për të kapërcyer boshllëkun kryesor që trashëguam nga e kaluara e përndjekjes.
Me synimin për një pjesëmarrje sa më thelbësore të Kishës sonë në çështjet e lehtësimit të problemeve sociale dhe të kontributit të saj në fushën e edukim – arsimimit Kryepiskopi bleu një sipërfaqe të madhe dhe kompleks godinash, në hyrje të Gjirokastrës. Me një grup bashkëpunëtorësh, Fortlumturia e Tij vizitoi këtë truall edhe për ta “pagëzuar” si Qendra Orthodhokse Sociale “EMAUS” – fshati që në Ungjill përmendet menjëherë pas Ngjalljes së Krishtit. Pas rikonstruksionit të përgjithshëm të kompleksit, atje programohet të ngrihet një qendër e përgatitjes së rinisë sonë në profesione të ndryshme, por edhe në dashurinë e krishterë, si e munguara e madhe e moralit tonë.
Në të njëjtën ditë, Kryepiskopi vizitoi edhe godinat në përfundim në Dervician, ku do të strehohet Shkolla Profesionale e të rejave. Një kompleks i bukur, me arkitekturë tradicionale, i cili u realizua nga themelet gjatë vitit të kaluar dhe që do të përbëjë ende një ofertë të Kryepiskopit dhe Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale për mbajtjen në vend, edukimin dhe begatimin e rinisë.
Korresp. i “Ngjalljes”