EmailFacebookKontakt

“Gjithçka ishte realizuar mjaft mirë”

– Si u krijua komiteti juaj dhe cilat janë qëllimet e tij?

Jam prift katolik, Profesor për Islamin në Evropë në Institutin Pontifik të Studimeve Arabe dhe Islamologjisë, në Romë dhe njëkohësisht punoj në Këshillin e Konferencave Episkopale të Evropës, për çështjet e Islamit dhe Emigrimit.

Grupi ndërkishtar “Islami në Evropë” është krijuar në vitin 1987 dhe qëllimi ynë është të takohemi, të këshillohemi dhe të ndihmojmë kishat e krishtera në punën me myslimanët dhe dialogun islamo – kristian. Për këtë p.sh realizohen orientime pastorale për martesat, festat etj.

Qëllimi tjetër është dhe organizimi i konferencave bashkë me myslimanët, për të studiuar çështjet e shoqërisë së sotme, si ato sociale, politike, teologjike.

Eshtë në kuadrin e këtij sistemi, që ne zhvillojmë takimin tonë këtu. Mënyra e punës është e tillë, që komiteti ynë mblidhet dy herë në vit për një punë të përbashkët, siç e konstatuat këtu në Tiranë. Në të ndahet puna dhe secili, pasi kthehet në vendin e vet, di ç’duhet të bëjë. Komiteti ynë është i vetmi që përfshin të gjitha kishat e krishtera për Evropën (orthodhokse, katolike, protestante). Me kërkesën e Komitetit Drejtues të Konferencës Evropiane të Kishave ne e zhvillojmë takimin e radhës këtu, në Shqipëri, me synimin për të kontaktuar me komunitetet fetare lokale dhe për të përgatitur takimin kristiano-mysliman, që do zhvillohet në shtatorin e vitit 2001 në Sarajevë.

Baza e kësaj, ishte ftesa e Kryepiskopit Anastas, duke na vënë në dispozicion Akademinë Teologjike, personelin etj. Ishte një gjë e mrekullueshme, veçanërisht stafi i ndihmës i miqve tanë shqiptarë të Kishës Orthodhokse dhe mund të themi se gjithçka ishte realizuar mjaft mirë.

Këto ditë ne pamë shumë pak: U takuam me komunitetet fetare, punuam në Shën Vlash dhe vizituam disa kisha ditën e diel. Por, nga ajo që pamë, konstatuam se ishte një vend që ka shumë nevojë për ndihmën nga jashtë për të ndihmuar në zhvillimin e tij. Largohemi plot me adhurim për Kishën tuaj Orthodhokse dhe veçanërisht Fortlumturinë e Tij, i cili ka bërë një punë gjigande, që e pamë në objektet që ka ndërtuar, si p.sh Qendra Diagnostike në Tiranë etj.