Më mirë se çdo herë tjetër, u kremtua Pashka edhe në Mitropolinë e Gjirokastrës. Nëpër qytete e fshatra, të mëdhenj e të vegjël, dolën nëpër rrugët me qirinj të ndezur me Dritën e Ngjalljes, duke përplasur hareshëm vezët e kuqe dhe duke iu uruar njëri-tjetrit “Krishti u Ngjall – Vërtet u Ngjall”.
Por, gjatë gjithë Javës së Madhe kishat ishin të mbushura nga mijërat e besimtarëve, të cilëve iu shtuan edhe emigrantët e ardhur nga Greqia, për të festuar këtë ditë të ndritshme për mbarë të krishterët, pranë familjeve të tyre.
Në Gjirokastër nata e Ngjalljes u kremtua me madhështi në të dy kishat e qytetit, atë të Shpërfytyrimit të Shpëtimtarit dhe të Kryeengjëjve Mihail e Gavril, ku u zhvillua ceremonia e Ngjalljes dhe u lexua Mesazhi i Pashkës i Kryepiskopit Anastas. Pastaj lumi i besimtarëve dhe i dritave të llambadhave përshkoi rrugët e qytetit.
Nëpër fshatra kjo natë i la të gjithë pa gjumë. Në fshatrat ku kishte prift, besimtarët u mblodhën në kishat, ndërsa në të tjerat e ndoqën kremtimin nga ekranet e televizorëve, për t’u bashkuar pastaj, të gjithë, në rrugët, me qirinj të ndezur të Ngjalljes në duar.
Edhe në Sarandë Ngjallja u kremtua me madhështi nga mijërat e besimtarëve, pak prej të cilëve patën fatin ta ndjekin ceremoninë brenda kishës së Shën Harallambit, me shpresën që Pashka e ardhshme ta festojnë në kishën e re katedrale që po lartohet.