EmailFacebookKontakt

Gjerasim Jordaniti (4 mars)

Nga shenjtorët e muajit

GJERASIM JORDANITI (4 mars)

Ishte pasardhës besimtarësh të Licisë, në jugperëndim të Azisë së Vogël, dhe që i vogël u bë murg në manastir, ku mësoi edhe shkrim e këndim, por më vonë i lindi dëshira dhe u bë eremit. Në vitin 451 u fal dhe u ushtrua në Tokën e Shenjtë dhe në Tebaidë të Egjiptit. Për pak kohë ra në herezinë e monofizitizmit, por u rikthye në Orthodhoksi nga Efthimi i Madh (20 janar).

Rreth vitit 455 u vendos pranë lumit Jordan. Aty e rrethuan shumë besimtarë, për hir të të cilëve ndërtoi një manastir, ku si igumen, bëri një organizim origjinal: Ishte kenobi (manastir, ku të gjithë murgjit kanë çdo gjë të përbashkët: arkë të përbashkët, ushqim të përbashkët etj). Rreth Manastirit, të vendosura larg, prej tij, ngriti shtatëdhjetë qeli, ku rrinin në qetësi, krejtësisht të vetmuar, duke u lutur, studiuar e duke punuar ata që më parë kishin përparuar në kenob, “të përsosurit”, të papronët dhe “mbizotëruesit e trupit”. Vetëm të shtunave e të dielave vinin në manastir, për t’u rrëfyer dhe për të marrë pjesë në adhurimin e Ngjalljes. Vetëm atëhere hanin gjellë të gatuara, pasi nëpër qelitë e tyre nuk ndiznin as fener!

Oshënari i madh si ushqim të vetëm gjatë kreshmës së Dyzetditëshit kishte Kungatën Hyjnore! Pasi vrau egërsirat e pasioneve, arriti në përsosmërinë e pamëkatshme, në marrëdhëniet e Adhamit me kafshët. Si çmim iu dha një luan si shërbëtor, nga këmba e të cilit kishte shkulur një gjemb të tmerrshëm: Egërsira kulloste gomarin, që u sillte ujë nga lumi Jordan. Por, disa tregëtarë arabë rrëmbyen gomarin, ndërsa egërsira ishte duke fjetur. Asketi dyshoi për grykësinë e luanit dhe e detyroi të mbarte ky ujë. Por, karvani kaloi përsëri andej së bashku me gomarin. Luani u turr, tregtarët u shpërndanë dhe në mënyrë triumfale tërhoqi gomarin së bashku me gamilet, që ishin të lidhura me të dhe i çoi tek shenjti, i cili u gëzua dhe e la luanin të lirë.

Jerasimi (=i respektuar) fjeti më 4 ose 5 mars të vitit 475. Luani erdhi më pas dhe meqënëse kërkonte me ngulm jerondin, murgjit e çuan tek varri, ku edhe ngordhi nga pikëllimi.

At Justini