EmailFacebookKontakt

“Gjer në skajet më të largëta të tokës”

Në periudhën prej dyzet ditësh, që filloi me ngjalljen e lavdishme të Zotit tonë Iisu Krisht dhe u mbyll me ngjitjen e tij në qiejtë, Krishti iu shfaq mjaft herë nxënësve të tij dhe u fliste “lidhur me mbretërinë e Perëndisë”, u tregonte për parimet dhe misteret që kishin lidhje me mbretërinë e Perëndisë (Vepr. Apost. 1,3). Në njërën nga ato shfaqje u tha që Shpirti i Shenjtë, me ardhjen e tij do t’i ndriçojë, do t’i shenjtërojë, do t’u japë shumë forcë e fuqi, që ata të bëhen dëshmitarë të jetës e të doktrinës së Tij, në Jerusalem, në tërë Judenë e Samarinë e gjer në skajet më të largëta të tokës. (Vepr. Apost. 1,8).

Këto fjalë të Krishtit përbëjnë premtim, nxitje dhe profeci. Paraqesin veprimtarinë e Apostujve të Shenjtë dhe përcaktojnë shtrirjen e misionit të tyre. Peshkatarët e thjeshtë e modestë të liqenit të Tiberiadës, do niseshin nga vendi i tyre i vogël dhe do shtrinin predikimin hyjnor në tërë botën. Porosia e Zotit pas Ngjalljes së tij ishte e qartë: Të mësojnë “gjithë kombet”, të shkojnë “në tërë botën” e të predikojnë Ungjillin “në tërë Krijesën” (Mat. 28,19; Mark, 16,15). E nisën punën nga Jerusalemi, me predikimin e Apostull Petrit ditën e Pendikostisë. U shpërndanë pastaj në tërë Judenë, shkuan në Samari, vanë në gjithë kombet, gjer në skajet më të largëta të tokës, për të shpënë mesazhin e shpëtimit, të leçitnin Ungjillin e të ndiznin kudo flakën e besimit.

Nga sa na tregon historia, dimë se Apostull Andrea predikoi në Skithi. Ungjillori Matthe, si përhapi Ungjillin ndër hebrenjtë, arriti në Etiopi e në Parthi, ku dhe vdiq. Ungjillori Mark shkoi në Egjipt, ngriti Kishën e Aleksandrisë e atje ra dëshmor. Apostull Thomai arriti në Indi; Ungjillori Lluka gjer në Dalmaci dhe në Francë. Dhe Apostulli i kombeve, Pavli i madh, lëroi krejt botën e njohur të kohës së tij, leçiti plotësisht, siç shkruan vetë, Ungjillin e Krishtit “nga Jerusalemi e në viset përreth e gjer në Iliri”, që do të thotë edhe në Shqipëri. Vajti pastaj në Romë, që ishte kryeqendër e perandorisë romake dhe në planet e tij përfshinte edhe Spanjën (Rom. 15, 19-24). Shën Klimenti, episkop i Romës, tregon që Pavli, para vdekjes, kish arritur skajin e fundit të Perëndimit.

Nga vitet e para të jetës së Kishës, kur ende ishin duke u shkruar librat e Dhiatës së Re, apostujt kishin vajtur në tërë botën e njohur të asaj kohe. “Dolën dhe predikuan kudo”, shkruan Ungjillori i Shenjtë Mark (16,20). Dhe “në tërë dhenë doli fjala e tyre, edhe në caqet më të fundit të botës, thëniet e tyre”, shton Shën Pavli (Rom. 10,18).

Këtë veprimtari të Apostujve e vazhduan trashëgimtarët, pasardhësit e tyre, e ushtron Kisha jonë e Shenjtë gjatë gjithë jetës së saj. Etërit e mëdhenj të Kishës punuan në mënyrë sistematike për përhapjen e dritës të së vërtetës në popujt e ndryshëm. Historia na mëson p.sh., se Shën Joan Gojarti edhe në kohën e internimit në viset e thella të Pontit, e ndërsa vuante nga sëmundjet e nga mungesa e mjeteve më elementare të jetesës, nuk qëndronte pa u interesuar e pa u kujdesur për misionet në Finiqi, në Persi e në Etiopi. Me mjaft rëndësi ka qenë misioni i Shën Cirilit e Metodit, që kanë qenë ndriçues të sllavëve etj.

Edhe sot Kisha e vazhdon punën e Apostujve. Ka grupe misionare, që punojnë me besim të flaktë e me vetmohim në Alaskën e largët, në vende të ndryshme të Afrikës, në Indi, në Kore e në skajet më të largëta të tokës. Përhapin të vërtetën e vetme e shpëtimtare të besimit orthodhoks, ngrenë komunitete, ndërtojnë Kisha, pagëzojnë ata që kanë etje për dritën, leçitin dashurinë e Perëndisë.

Të gjithë duhet të falënderojmë nga zemra Perëndinë, që na bëri të denjë të njohim përsëri të vërtetën e tij, dhe njëkohësisht, të ndihmojmë me çdo mënyrë që ka mundësi secili këtë përpjekje, që të vijë mbretëria e Perëndisë “si në qiell, ashtu edhe mbi dhe”, që të lavdërohet emri i Tij kudo dhe të përhapet e vërteta e Tij “gjer në skajet më të fundit të botës”.

B.