Ishte një prift i vjetër e i veçantë në Rumani në kohën e regjimit komunist, i cili asnjëherë nuk i përshëndeste njerëzit me shprehjen tipike “Tungjatjeta” ose “mirëmëngjes”. Në vend të këtyre shprehjeve ai i thoshte çdo njeriu, me një buzëqeshje të dukshme, “Gëzohu gjithmonë!” Tani kjo mund të duket si një mënyrë e pazakontë për të përshëndetur dikë, por dukej shumë më tepër e pakuptueshme kur merrje vesh që prifti ishte vetë në burg, se ai kishte një djalë që ishte në burg sovjetik, një vajzë që ishte dënuar me 20 vjet punë të rëndë dhe dy dhëndurë që ndodheshin në burg së bashku më të. Ai kishte mësuar edhe që nipërit e tij ishin duke vuajtur dhe pothuajse e tërë familja i qe shkatërruar. Përsëri ai mundte t’i përshëndeste njerëzit me thënien “Gjithmonë gëzohuni”!
Shën Pavli përdor fjalë shumë të ngjashme me ato të këtij prifti rumun, në letrën e tij drejtuar Filipianëve. Ndërsa Shën Pavli lëngonte në qelinë e burgut, ai i inkurajonte të krishterët në Filipi: “Gëzohuni gjithnjë në Zotin” (Filipianëve 4:4).
Si mundet që njerëzit, të cilët janë në burg, njerëz që vuajnë, njerëz që duket se ndodhen në situata të tmerrshme, t’i thonë të tjerëve “gëzohuni” në Zot? Një nga të vërtetat e mëdha të jetës sonë të krishterë është, që përveç problemeve që na shfaqen në jetët tona, shqetësimet në shtëpi, vështirësitë në punë, pasiguritë per të ardhmen, apo pyetjet mbi jetën, ne gjithashtu mund të përjetojmë të njëjtin gëzim të brendshëm të cilin kishte Shën Pavli dhe prifti rumun.
“Gëzohuni gjithnjë në Zotin!” Një shprehje e tillë, që qartësisht tregon se një person duhet të jetë i mbushur me gëzim. Megjithatë, në botën e sotme ndesh shumë njerëz, të cilët janë konfuzë mbi atë çka është gëzimi i vërtetë. Shikoni përreth dhe do të shikoni se si njerëzit mundohen të gjejnë gëzimin nëpërmjet shumë burimeve sipërfaqësore. Megjithatë, për ne të krishterët, ekziston vetëm një burim i vetëm i gëzimit të vërtetë – njohja shpëtimtare e Krishtit.
Të njohësh Krishtin, të hysh në prezencën e tij nëpërmjet Kishës së Tij të Shenjtë dhe të jesh i mbushur me Shpirtin e Tij të Shenjtë, është përcaktimi përfundimtar dhe përjetim i gëzimit. Kur njerëzit banojnë në Krisht, e gjithë bota përreth tyre shndërrohet në një vend të bukur dhe të gëzuar. Kjo është arsyeja përse shenjtorët e Kishës sonë mundën të ishin të mbushur me gëzim megjithë vështirësitë e persekutimet që ata përjetuan. Kjo është arsyeja përse edhe njerëzit në burg, njerëz si Shën Pavli dhe ai prifti, mund të buzëqeshnin dhe të gëzoheshin.
Si mundet, secili prej nesh, të jetë i mbushur me një gëzim të tillë? Ekzistojnë tri sugjerime praktike, që unë do të ofroj, të cilat na ndihmojnë të fillojmë të mbushim veten tonë me këtë gëzim të papërshkruar. Së pari, neve na nevojitet të takohemi me Perëndinë e gjallë në jetën tonë të përditshme. Çdo ditë, pa i kushtuar rëndësi sa i zënë është programi ynë, ne kemi nevojë të shpenzojmë kohë për lutje dhe meditim me Perëndinë. Nëpërmjet lutjeve individuale ditore, nëpërmjet leximit ditor të Biblës dhe nëpërmjet marrjes së shpeshtë të Mistereve të Shenjta veçanërisht të Kungimit të Shenjtë dhe Pendimit, ne mund të përjetojmë një gëzim të ri dhe të çuditshëm në jetët tona. Duke u takuar me Perëndinë e gjallë në këtë mënyrë, dhe ne do të jemi të mbushur me gëzim!
Një mënyrë e dytë e të qenit i mbushur me gëzim, është të besojmë tek Perëndia dhe të mos jemi të merakosur për problemet e jetës. Në të njëjtin paragraf ku Shën Pavli i thotë Filipianëve “Gëzohuni gjithmonë në Zotin” ai gjithashtu i thotë atyre: “Zoti është afër. Mos kini kujdes për asgjë, po për çdo gjë kërkesat tuaja t’i bëhen të njohura Perëndisë me falje dhe lutje, me vepra falënderimi.” (Filipianëve 4:6). Me fjalë të tjera, ai na tregon që gëzimi do të vijë tek ne kur ne të kthehemi tek Perëndia dhe ta besojmë Atë në kohë nevoje.
Një mënyrë e tretë për të jetuar një jetë gëzimi është të mundohemi dhe të jemi mirënjohës për të gjitha bekimet që kemi në jetën tonë. Një shembull i pabesueshëm i mirënjohjes është prifti rumun, të cilin e përmenda në fillim. Kur një miku i tij i burgosur e pyeti këtë prift si mund të gëzohej akoma, kur ai dhe familja e tij kishte vuajtur kaq shumë, ai ju përgjigj thjesht: “Të gëzuarit është shumë i thjeshtë. Çka duhet të bëjmë është ndjekja e një thënieje nga Bibla. Dëgjoheni vargun që thotë: ‘Gëzohuni me ata që gëzohen’ (Romakëve 12:15). Nëse dikush gëzohet me të gjithë ata që gëzohen, ai gjithmonë ka motiv për tu gëzuar”.
Ai vazhdoi “Unë qëndroj në burg, dhe gëzohem sepse shumë janë të lirë. Unë nuk mund të shkoj në Kishë apo të marr Kungimin e Shenjtë, por gëzohem me të gjithë ata të cilët janë në gjendje të shkojnë në Kishë dhe të marrin Kungimin e Shenjtë. Unë nuk mund të shikoj lulet apo natyrën në këtë burg, por gëzohem me të gjithë ata që shikojnë ylberët dhe perëndimet e mrekullueshme të diellit. Unë nuk mund të shikoj fëmijët dhe nipërit e mij, por unë gëzohem me të gjithë ata të cilët luajnë me fëmijët dhe nipërit e tyre. Nëse dikush mëson të gëzohet me të gjithë ata që gëzohen, atëherë ai gjithmonë ka diçka për t’u gëzuar më tepër.”
Në mbyllje, le t’i kujtojmë vetes sonë se do të na shfaqen vështirësi në jetën tonë. Ndonjëherë, këto barra mund të duken shumë të rënda për t’u mbajtur. Ndoshta, do të gjendet kohë kur ne do të mendojmë se nuk ekziston diçka për t’u gëzuar. Megjithatë, sikurse një misionar një herë tha, kur kishte qenë i torturuar në një qeli të burgut, “E ardhmja jonë është gjithmonë e shndritshme, si premtimet e Perëndisë.”
Nëpërmjet njohurive tona dhe një marrëdhënieje të gjallë me Jisu Krishtin, Perëndia na premton një gëzim të madh. Ne mund të marrim këtë gëzim nëse ne takojmë Krishtin përditë nëpërmjet jetës sonë në lutje, nëse ne besojmë tek Ai dhe mësojmë të mos merakosemi për problemet tona dhe nëse mësojmë të jemi mirënjohës për të gjitha bekimet që kemi tashmë. Nëse ne i kryejmë të gjitha këto gjëra, atëherë ne do të jemi në gjendje gjithashtu të përshëndesim cilindo me shprehjen “Gëzohuni gjithmonë!”
At Luka Veronis