EmailFacebookKontakt

Gëzimin e festës e përhapi këmbana e re – Durrës

Atmosfera e festës së madhe në Durrës kishte filluar që me datën 11 dhjetor në darkë, kur, në prani të disa qindra besimtarëve, mbrëmësorja e Shën Spiridhonit u krye jo si zakonisht, në Kishën e vetme të Shën Gjergjit, por në sheshin para ish Kishës së Shën Spiridhonit, që u prish nga diktatura, ku së shpejti do të fillojë puna për ndërtimin e Katedrales së re të Ngjalljes.

Dhe çdo ditë e re sillte ndryshime të reja në Kishë, ku më kryesori ishte vendosja e kambanës së madhe në Këmbanoren e re, zëri i së cilës mbuloi tërë qytetin e Durrësit.

Më 25 dhjetor, që në orët e para të mëngjesit, Kisha u mbush plot e përplot me besimtarë. Durrësi ishte në festë. Banderolat që uronin Krishtlindjen e flamujt shumëngjyrësh të vendosur në qytet, si dhe një urim i madh për Krishtlindjet i vendosur në hyrje të Kishës, rritnin më shumë ndjenjën e festës tek besimtarët, që, për mungesë vendi dëgjonin Liturgjinë Hyjnore nëpërmjet altoparlantëve në oborrin e Kishës.

Në orën 11.00 Kisha Orthodhokse e Shën Gjergjit priste vizita; përfaqësues të partive e shoqatave, të komuniteteve fetare etj. Por për të uruar Krishtlindjet në Kishën tonë erdhi dhe Kryetari i Këshillit të Ministrave, z. Aleksandër Meksi, i shoqëruar nga autoritetet e rrethit.

Atmosferën festive në Durrës e shtoi dhe programi i televizorit që këtë vit i kushtoi kohë të konsiderueshme Krishtlindjeve. Kudo në shkëmbim të vizitave familjare flitej për premtimin e Presidentit për kthimin e pronave të Kishës e sidomos për Manastirin e Ardenicës.

Llukla Tutra