EmailFacebookKontakt

Gazetës “Koha jonë”

I nderuar z. kryeredaktor

Me indinjatë të thellë lexuam në faqet e gazetës suaj, të datës 10 gusht, një shkrim të bazuar mbi një deklaratë të pseudoshoqatës “Përmeti”.

Indinjata dhe protesta jonë lidhet me shtrembërimin e fakteve, që qëllimisht bëhet në këtë shkrim. Nga mendësitë ateiste dhe llogjika që u ka kaluar koha njëherë e përgjithmonë e kërcënuar është Kisha, besimi Orthodhoks e në fund të fundit perspektiva e demokratizimit të mëtejshëm të institucioneve tona, në kuadrin e integrimit evropian.

Me këtë rast, dëshirojmë të theksojmë se zërin e protestës e kemi të drejtë ta ngremë vetëm ne, komuniteti orthodhoks i qytetit të Përmetit dhe zonës përreth sepse ndërsa një herë në vitet e persekutimit të besimit kisha e “Fjetjes së Tërëshenjtës” na u shkatërrua, për të ngritur atje qendrën e pseudokulturës, tani këmbëngulin për risekuestrimin e saj. Por, ndërsa atëherë marrëzia e histerisë ateiste kishte rrëmbyer pjesën dërrmuese të rinisë, duke besuar se do të triumfonin mbi Perëndinë, tani gjërat janë krejt ndryshe.

Sado njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me Besimin Orthodhoks dhe të tjerë, që vazhdojnë të besojnë tek vija e kundërvënies ndaj komunitetit tonë, të firmosin tekste si ato që ju botuat dhe sado të kapen dhe të spekullojnë me akte burokratike, drejtësia tanimë ka vendosur në favor të Komunitetit Orthodhoks, ka rikthyer pronësinë tonë mbi Kishën e Tërëshenjtës dhe drejtësia e Perëndisë do të bëjë që ajo të bëhet përsëri një qendër lutjeje, shprese e dashurie.

Ato interesa që po shtyjnë dorëzimin e objektit tek i zoti, domethënë tek Kisha orthodhokse dhe që fshihen pas atij shkrimi të botuar tek gazeta juaj, e kanë katandisur gjoja shtëpinë e kulturës në mjedise për bilardo dhe të tjera veprimtari, që asnjë lidhje s’kanë me kulturën dhe traditën përmetare. Vetëm kur të ribëhet ajo kishë, për kujtimin e Tërëshenjtës Mari, me lutjet e besimtarëve të Përmetit do rrezatojë kulturë dhe përkujdesje sociale.

Do të prisnim, zoti kryeredaktor, t’u kishim mbështetje në këtë përpjekje për konsolidimin e besimit dhe të lirisë së besimit në vendin tonë, si dhe përpjekjen që po bëjmë që të përfundojë diskriminimi i komuniteteve fetare lidhur me pasurinë që sistemi komunist u sekuestroi. Për këtë duhet të kuptoni se Përmetin dhe në veçanti nevojat e komunitetit të tij orthodhoks për kisha etj e përfaqësojmë ne dhe jo ndonjë shoqatë që krijohet dhe shfaqet enkas për të dëmtuar komunitetin tonë.

Përmet më 16 gusht 2000