– Letër e hapur drejtuar gjithë opinionit shqiptar –
Zhurma e madhe bashkë me veprimet e palejueshme antiorthodhokse që ka shpërthyer kohët e fundit, lidhur me përdorimin e ngritjen e simboleve tona, është e patolerueshme dhe shumë e rrezikshme.
Ditën e festës së madhe të Lartësimit të Kryqit, një festë e madhe për të gjthë të krishterët e botës, që zë fill me perandorin ilir, Konstandinin e Madh, policia e shtetit në mënyrë fyese e banditeske, vendosi tritol në kryqin e kishës së Shën Dhimitrit në Xarë, duke u përpjekur ta hedhë në erë.
Komuniteti orthodhoks i dioqezës së Korçës këtë akt e shikon si një fyerje dhe provokacion shumë të rëndë me pasoja të rrezikshme.
Me keqardhje konstatojmë se objektet me vlera të jashtëzakonshme, që i përkasin në radhë të parë komunitetit orthodhoks, por edhe gjithë kombit, janë keqadministruar dhe po rrënohen nga indiferenca. Ato janë bërë pre e vjedhjeve, shkatërrimeve dhe dhunimeve. Gjithashtu shihet një sulm kundër simboleve tona të shenjta, fyerjet e pafund kundër kishës e klerikëve tanë dhe tani edhe hedhje në erë e kryqit. Këto gjëra nuk mund të tolerohen nga komuniteti orthodhoks shqiptar.
Kryqi, për ne të krishterët kudo në botë, është simbol i martirizimit të Zotit tonë Jisu Krisht, si dhe mijëra e mijëra martirëve në këta 2000 vjet, në trojet tona. Festat e mëdha të krishtera shoqërohen me kryqe të mëdhenj nga mijëra besimtarë, klerikë, peshkopë, patrikë dhe papë. Në udhën e kryqit, mbajmë peshën e kryqit, për të treguar rrugën e mundimshme e plot vuajtje të Jisuit.
Kryqi dhe lartësimi i tij, është simbol i martirizimit të popullit tonë në shekuj nga pushtuesit turq. Kryqi i ngritur në fshatin Fikas, është një simbol i ngritur në një vend, që ka një histori të mahnitshme maritrizimi, shumë të dhimbshme, po aq edhe të madhërishme. Ai fshat e ajo zonë janë heronj të mbrojtjes së fesë të krishterë nga terrori turk. Ja pse banorët e martirizuar të Fikasit e ngritën plot dinjitet e krenari kryqin.
Nuk jemi aq naivë sa t’u besojmë pallavrave për parkun kombëtar dhe gjoja ndërtim pa leje. Në një vend ku janë ngritur edhe mbi monumentet kombëtare dhjetëra e qindra klube dhe vende ahengjesh, u gjet papritur kryqi i jashtëligjshëm dhe hidhet në erë me tritol? Edhe sikur të ishte ashtu si pretendohet nga shkatërruesit e kryqit, përsëri ky problem shumë i ndjeshëm duhej të zgjidhej me durim dhe mirëkuptim. Gjithashtu edhe atyre që na japin leksione për traditën orthodhokse u kujtojmë se ne njohim më mirë atë traditë. Tradita që ata kanë ndër mend është imponimi që pushtuesit turq i bënë komunitetit tonë, duke mos i lejuar që të ngrenë kisha me kube dhe kryqe. Ne besojmë se shqiptarët e krishterë nuk janë më nën sundimin turk.
Në qoftë se dikujt nuk i pëlqen kryqi e lartësimi i kryqeve, kjo nuk është për fajin tonë, sepse kryqi është simboli i sakrificës më sublime, i dashurisë për të gjithë njerëzit.
Ne lumturohemi për lartësimin e komuniteteve të tjera në Shqipëri, vëllezër të një gjaku e nuk duam t’ia dimë se çfarë ndërtojnë e lartësojnë ata. Dëshirojmë të pohojmë, që kjo është një lajthitje e çastit dhe jo një qëndrim dashakeqës ndaj komunitetit orthodhoks.
Ky është një akt i paprecedent në Shqipëri e duhet të dënohet shumë rëndë nga opinioni i kulturuar e i shëndoshë shqiptar. Shteti shqiptar duhet të përpiqet që ta zhvillojë më tej tolerancën dhe harmoninë fetare që ekziston në vendin tonë dhe jo të bëjë të kundërtën.
Do të donim të besonim që kjo është një lajthitje e çastit dhe jo një qëndrim dashakeqës ndaj komunitetit orthodhoks të Shqipërisë.
I bëjmë thirrje gjithë komuniteteve të tjera fetare në Shqipëri që të bashkohen në protestën tonë, sepse kjo kambanë bie edhe për ta. Gjithashtu i kërkojmë gjithë opinionit të shëndoshë shqiptar që ta dënojë këtë akt, i cili është fyes për të krishterët dhe përçarës e dëmtues për të gjithë popullin tonë.
Korçë, 15.9.2004
Komisioni që mori mendime nga komuniteti orthodhoks i dioqezës së Korçës.