EmailFacebookKontakt

Fuqizim i unitetit dhe i dëshmisë sonë dinamike

Më 25 janar 2021, nga selia e WCC në Gjenevë, u zhvillua online, për shkak të pandemisë, lutja globale, që përmbylli javën e përvitshme të Lutjes për Unitetin e të Krishterëve. Me anë të një videoje u dha edhe përshëndetja baritore e Fortlumturisë së Tij, Anastasit, drejtuar WCC me këtë rast (Kryepiskopi Anastas ka qenë President i Këshillit Botëror të Kishave, WCC):

“Le t’i shtojmë kësaj thirrjeje disa vargje nga Psalmet: “Perëndia pastë dhembshuri për ne dhe na bekoftë, shfaqtë fytyrën e tij mbi ne dhe na mëshiroftë” (Psalmi 66:1) që, nëpërmjet tyre, të forcojmë dëshirën dhe entuziazmin tonë për bashkimin e të krishterëve. Perëndia ynë, udhëhiqna të veprojmë, sipas mundësisë, në të gjitha rastet me të cilat përballemi, për të promovuar bashkëpunimin dhe dëshminë tonë të përbashkët. Padyshim, nuk mjafton vetëm të marrim e të shijojmë për vete dhuratat dhe bekimet hyjnore, përkundrazi, jemi të thirrur të ndriçojmë tek të tjerët të Vërtetën dhe dashurinë e Tij.

Ashtu siç vijon Psalmi: “Që të njihet udha jote përmbi dhe, shpëtimi yt në të gjitha kombet” (v. 2), ky bashkim që synojmë është pazgjidhshmërisht i lidhur me dëshminë tonë, që është thelbësore në realitetin e sotëm, i cili vuan nga virusi i egocentrizmit, qoftë ky individual apo shoqëror, dhe që bëhet i dukshëm nëpërmjet formave të ndryshme të agresivitetit, padrejtësisë, shfrytëzimit, korrupsionit, varfërisë, dhunës, terrorizmit.

Fuqizimi i unitetit dhe i dëshmisë sonë dinamike është dhoksologjia më e duhur përpara Perëndisë: “Le të të lavdërojnë popujt, o Perëndi, le të të lavdërojnë gjithë kombet.” (v. 5)

Duke e soditur me shpresë Fjalën e Mishëruar, në të Cilin shfaqet plotësia e dashurisë së Perëndisë Triadik, le të kontribuojmë edhe ne me fjalë dhe vepra, që kjo bashkëkzistencë e thjeshtë të transformohet në kungim dashurie me Zotin Krisht.”