Një ditë, pasi kishte vuajtur për shumë vite në kampet e punës së Siberisë, Aleksandër Solzhenicin intelektuali dhe disidenti i mirënjohur rus, i cili kaloi shumë vite në burgjet e Siberisë, kishte rënë në dëshpërim. Sikurse të burgosurit e tjerë, ai kishte punuar nëpër fusha, ditë për ditë, në shi e në diell, gjatë verës dhe dimrit. Ditët e tij qenë të mbushura me punë të mundimshme dhe uri të pasosur. Në atë ditë të veçantë, pashpresshmëria e situatës së tij u shtua së tepërmi. Solzhenicini nuk gjente më asnjë arsye për të vazhduar jetën, për të vazhduar luftën kundër sistemit. Ai mendonte, se pjesa e jetës, që i mbetej qe e pakuptimtë, përderisa dëshironte më tepër që të vdiste në atë burg Siberian. Jeta e tij nuk solli ndonjë ndryshim në botë. Kështu, ai u dorëzua. Hodhi lopatën përdhe, eci ngadalë drejt një froni të papastër dhe u ul. Ai e dinte, se nga çasti në çast, roja do ta urdhëronte të çohej, por nëse nuk do t’i përgjigjej, roja do ta rrihte deri në vdekje, ndoshta me vetë lopatën e tij. Ai e kishte parë t’u ndodhte kjo gjë shumë të burgosurve të tjerë.
Ndërsa po priste me kokën varur, ndjeu praninë e dikujt. Ngriti sytë ngadalë dhe pa një të burgosur plak, kockë e lëkurë, që u ul në bisht pranë tij. Plaku s’foli asnjë fjalë. Në vend të kësaj, ai vizatoi me anën e një shkopi në dheun poshtë këmbëve të Solzhenicinit, Kryqin e Shenjtë. Më pas, Plaku u çua në këmbë dhe u kthye në punën e tij.
Ndërsa Solzhenicini vështronte ngultas shenjën e Kryqit, e gjithë e ardhmja e tij ndryshoi. Ai e dinte se ishte vetëm një individ kundër të gjithpushtetshmes Perandori Sovjetike. Megjithatë, në atë çast, ai kuptoi se ekzistonte diçka më e madhe se e keqja që pa në burg. Ekzistonte diçka më e madhe se Bashkimi Sovjetik. Ai kuptoi se shpresa për të gjithë njerëzimin paraqitej në atë Kryq të thjeshtë. Dhe, përmes fuqisë së Kryqit çdo gjë ishte e mundur. Kryqi lëshoi dritë në mesin e errësirës më të thellë. Solzhenicini u çua me ngadalë, mori lopatën dhe u kthye në punë. Asgjë e jashtme s’kishte ndryshuar, por përbrenda, ai pa një shenjë të Perëndisë – atij iu dha shpresa.
Vite më pas, shkrimet e Solzhenicinit do të ndriçonin të tërë botën, duke i treguar asaj jo vetëm për tmerret e burgjeve Sovjete, por, gjithashtu, duke dëshmuar Pushtetin e Perëndisë dhe shpresën e Kryqit.
Ndërsa kalojmë përgjatë ditëve të Javës së Madhe dhe veçanërisht të Premten e Madhe dhe të Dielën e Pashkës, ne marrim një mesazh tepër të domethënës, që i përshtatet situatës në Shqipëri. Ne ngremë një shenjë shprese në mes të dëshpërimit.
Shumë njerëz në Shqipëri thonë se s’ka më shpresë, se për ta nuk ka asnjë të ardhme. Ata thonë se kjo është një tokë e mallkuar. Ata gjenden në dëshpërim. Por megjithatë, kujtoni historinë e Solzhenicinit. Edhe ai nuk kishte ndonjë arsye logjike për të shpresuar, por sidoqoftë, fuqia e Kryqit është përtej logjikës, është përtej arsyes. Perëndia na ofron shpresë të pashpjegueshme.
Sa herë që shihni një Kryq, ç’ju vjen ndër mend? Në kohët e lashta, njerëzve do t’u sillte ndërmend dhimbjen, vuajtjen e vdekjen. Kryqi ishte një shenjë e torturës më të tmerrshme që mund të vuante dikush. Ishte një shenjë e mallkuar. Dhe megjithatë, kur Jisui pranoi Kryqin me vullnet të lirë, kur Ai me vullnet të lirë pranoi të vdiste prej një vdekjeje kriminale, kur me vullnet të lirë pranoi të tallej, urrehej e vritej, Ai trasformoi Kryqin nga simbol i vdekjes e dëshpërimit, në simbol të jetës dhe shpresës!
Pse ne të Krishterët vendosim Kryqin në Kishën tonë dhe në shtëpitë tona? Pse e bëjmë vazhdimisht shenjën e Kryqit dhe e varim atë në qafë? Sepse për të Krishterët Kryqi është bërë simbol i dashurisë, gëzimit, shpresës, fuqisë dhe fitores.
Mbi të gjitha Kryqi na sjell ndër mend dashurinë, që Perëndia At kishte për botën. Bibla thotë: “Perëndia aq shumë e deshi botën, sa Ai dha Birin e Tij të Vetëmlindur, që kushdo që beson tek Ai të mos humbasë, por të ketë jetën e përjetshme.” Perëndia aq shumë e deshi botën sa lejoi Birin e Tij të vritej mizorisht në Kryq, si flijim për mëkatet tona! Çfarë dashurie më e madhe ekziston, se sa të lejosh fëmijën tënd të vritet, me qëllim që të shpëtosh dikë tjetër.
Kryqi, na sjell ndërmend gëzimin, gëzimin e parajsës. Shumë himne të Kishës sonë risjellin në kujtesë sesi Adami dhe Eva u dëbuan nga parajsa për shkak të një peme. Ata hëngrën frytin prej pemës së ndaluar. Megjithatë, është po pema që hap përsëri dyert e parajsës për të gjithë besimtarët – pema e Kryqit.
Kryqi na sjell ndër mend shpresën, e cila është më e madhe se dëshpërimi më i errët. Kur Jisui u kryqëzua, dishepujt dhe pasuesit e tij u dëshpëruan të gjithë. Ata e braktisën, e tradhëtuan Atë. E mohuan sepse e kishin mbështetur të gjithë shpresën tek Ai, por Ai gjendej i vdekur. Për tre ditë ata jetuan nën dëshpërim të plotë. Por, pas Ngjalljes, ata e perceptuan Kryqin në një mënyrë të re. Tashmë Kryqi nuk përbënte më një simbol dëshpërimi, por ishte një shenjë shprese për të gjithë njerëzit, një shpresë për një jetë të re.
Kryqi, është simboli i fuqisë. Shpesh në botë dhe veçanërisht sot në Shqipëri, duket sikur e keqja mposhti të mirën; mëkati është më i madh se virtyti. Megjithatë, Kryqi na sjell ndër mend se mëkatit nuk i takon fjala e fundit. E keqja nuk do të zgjasë përgjithmonë. Kurdoherë që mendojmë për Kryqin, ne Orthodhoksët të mos harrojmë kurrë Ngjalljen. Ato nuk mund të ndahen. Në fillim krijohet përshtypja sikur e keqja dhe vuajtja fitojnë, por më pas vjen Ngjallja. Në Shqipëri, e keqja që gëlon, paraqitet e madhe, por, të jeni të Sigurtë: nuk do të zgjasë. Ngjallja po afrohet. 45 vitet e komunizmit dhe ateizmit nuk e mposhtën Shqipërinë. Në fund triumfoi Perëndia dhe tani ne gjendemi sërish në kishë duke e adhuruar Atë. Në mënyrë të njëllojtë, kaosi i sotshëm nuk do të zgjasë. Perëndia do ta ketë fjalën e fundit!
Përfundimisht, Kryqi është një simbol fitoreje. Nëpërmjet vdekjes së Jisuit në Kryq, e keqja më e madhe, vdekja vetë u shkatërrua. Përpara Kryqit, djalli mendonte se vdekja ishte arma e tij më e madhe. Të gjithë që vdisnin do hynin në mbretërinë e tij të errësirës. Por, kur Jisui zbriti në ferr, djalli u drodh. Kryqi, i cili kishte qenë vegël e të ligut, u bë vdekjeprurës për vetë ferrin.
Përfundimisht, Satani s’ka më pushtet mbi njeriun. Ai s’mund ta mbajë më atë të burgosur në ferr përjetësisht. Kryqi është, ai, që na sjell ndër mend këtë fitore dhe fuqinë, që zotëron çdonjeri nga ne. “U përpi vdekja nga fitorja! Ku është mburrja jote o Ferr? Ku është gjembi yt, o vdekje?”
Gjatë këtyre ditëve të errëta të historisë shqiptare, ne nuk duhet të harrojmë domethënien e Kryqit dhe të Ngjalljes. Edhe pse logjika na thotë të dëshpërohemi, Kryqi thotë diçka tjetër – të shpresojmë. Në fund Kryqi do të triumfojë!
At L.