Shtylla për Rininë
Fuqi durimi
Ata të rinj që kujtojnë se feja nuk mund t’u sjellë atyre asnjë shërbim, sigurisht nuk do të jenë ndodhur gjer më sot në rrethana të vështira. Sepse kur njeriu ndodhet në të tilla rrethana kupton dobësinë e vet; konstaton sa e mangët dhe shpesh e dyshimtë është ndihma e njerëzve; e pra, ai kërkon një mbështetje të fortë për të gjetur prehje. Dhe kjo mbështetje është vetëm Zoti, mbrojtësi dhe ndihmësi i përjetshëm i njeriut.
Sesa vlen kjo mbështetje e provon vetë jeta. Dhe sidomos në momentet e vështira e mjerimet. Por, momente të vështira ka edhe mosha e rinisë. Pengesa të papritura, ngjarje të hidhura dhe dështime vijnë shpeshherë dhe godasin zemrën e të riut, duke e bërë atë të mbetet i habitur dhe i dështuar. Jo rrallë shikon shpresat e tij të përgënjeshtrohen, ëndërrimet e tij të shuhen, përpjekjet e tij të dështojnë; sheh të rrëzohet prestigji i tij ose të rrezikohet pozita e tij apo të kërcënohet shëndeti i tij. Mund të ndodhë që të përballet me ndonjë krize ekonomike ose çështje familjare me rëndësi, për të cilat ai auk di ç’të bëjë.
Çdo të ngjajë atëherë? I riu është vërtet optimist nga natyra dhe nuk e humbet shpresën, por megjithëatë, dëshpërimi dhe mjerimi e dekurajojnë lehtë. Kjo rrjedh, sidomos nga që atij i mungon përvoja e jetës, e kështu do të ndjejë dhimbje të madhe. Dhe po të mbetej puna gjer këtu, do të ishte prap mirë. Por, jeta shoqërore na paraqet mjaft vetëvrasje të rinjsh, të cilët që në të parin mjerim, e quajnë jetën e tyre si të tepërme dhe nxitojnë t’i japin fund me mënyrën më të ligë.
Megjithëkëtë, të rinjtë munden që në ditët e hidhura e fatkeqe, të mbajnë qetësinë e shpirtit, të gjenden të armatosur me fuqinë e durimit, që ta vazhdojnë me kurajo luftën e jetës. Cili do t’ua japë këtë kurajo? Këtë, më shumë se nga çdo gjë tjetër, do tu a japë doktrina dhe ndihma e Shpëtimtarit Jisu Krisht. Çfarë na thotë Ungjilli për mjerimet e vuajtjet? Së pari, na siguron se tërë ngjarjet e jetës, të mirat edhe fatkeqësitë, jo vetëm i di, por edhe i drejton providenca e gjithëurtë dhe e tërë mirë e Perëndisë. Në se Ai interesohet për zoqtë e qiellit, për krimbat e dheut e për lulet e fushës, atëherë shumë më i madh është interesimi i tij për krijesën më të zgjedhur, për njeriun.
Por, pse atëherë aq mjerim dhe vuajtje? Fjala e Perëndisë na thotë se të tëra këto janë një ushtrim, një provë, një edukatë të cilën Zoti e lejon për të mirën e shpirtit të njeriut. Ndofta me anën e një sëmundjeje, me anën e një prishje ekonomike që lejon Zoti, kërkon të kthejë në udhën e drejtë të moralit e të besës të riun e demoralizuar. Ndofta është nevojë që i riu të ruhet nga jeta e shthurur, nga fodullëku, nga lidhjet e argjentdashjes dhe të lakmisë. Ndofta ai ka harruar Zotin dhe duhet të marrë vesh e të bazohet më tepër tek Ai, sesa në fuqitë e veta e në njerëzit e tjerë. Mirëpo, për çdo gjë që na takon duhet të kemi besimin se Perëndia, si Atë i dashur, na mundon ndonjëherë për interesin tonë, ashtu si babai ynë, i cili përveç këshillave, nga ndonjëherë edhe na rreh për të mirën tonë. Arësyen, për të cilën Perëndia lejon të vijë ky ose ai mjerim, nuk është e mundur ta dimë ne. Dhe as që duket menjëherë dobia shpirtërore që kemi. Por megjithëkëtë është fakt i pamohuar, se një sëmundje, a një tjetër vuajtje, e bën të riun më të mirë, më të urtë, më shpresëtar, më të moralshëm. E bën të jetë më i kujdesshëm në sjelljet dhe në marrëdhëniet e tij me të tjerët. E përmban nga abuzimet. E sjell më afer Perëndisë dhe jetës së virtytshme.
Këto parime të krishtera dihet fare mirë, se forcojnë shpirtin, shtojnë durimin moral dhe bëhen ilaç shërimi kundër dekurajimit e dëshpërimit. Ai i ri që beson dhe këndon Fjalët e Zotit dhe kërkon ndihmën e tij, e ndjen shpirtin fë fortë për të mbajtur barrën e rreziqeve që paraqet jeta. Edhe po t’i ndodhë ndonjë fatkeqësi e madhe, ai sigurisht do ta presë me durim dhe optimizëm që i frymëzon besimi në providencën hyjnore. Ka pikërisht atë psikologji, të cilën e shfaq shumë bukur mbreti i hyjinspiruar David: “Perëndia jonë është përikje dhe fuqi në hidhërimet e mëdha që na gjejnë”.
I ri i dashur. Ndofta gjer tani nuk ke provuar ndonjë hidhërim, dhimbje, a agoni. Ndofta kalon ditë të qeta e fitimplote në përpjekjet e tua. Por, mos harro se qielli nuk është gjithnjë i qeshur. Shpesh herë në thellësitë e tij fsheh re të zeza dhe përgatit furtunë e vetëtima. Dhe jeta e njeriut, po kështu mund të paraqesë shumë ngjarje të hidhura. Kij pra parasysh, se ndihma e fesë së Krishtit është e domosdoshme në rrethana të tilla. Sepse vetëm ajo u jep shpirtërave të tronditur durimin, kurajon dhe shpresën, të cilat nuk mund t’ia japin njeriut, as të hollat, as miqësitë dhe as dituria e botës.
B.