Në katedralen e “Shën Dhimitrit”, në Berat, më 21 Nëntor, kur Kisha jonë kremton Hyrjen në Tempull të Hyjlindëses Mari, në atmosferë gëzimi shpirtëror, me pjesëmarrje mjaft të gjerë të klerit dhe besimtarëve, u krye fronëzimi i Mitropolitit të ri të Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Imzot Astit.
Ceremonia dhe shërbesa e Fronëzimit u kryesua nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, i shoqëruar nga anëtarët e Sinodit të Shenjtë: Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani; i Fierit, Hirësi Nikolla; i Elbasanit, Hirësi Andoni; i Amantias, Hirësi Nathanaili. Të pranishëm ishin dhe autoritetet shtetërore dhe lokale: Prefektja e Beratit znj. Valbona Zylyftari; i Vlorës z. Kristaq Kiço; Kryetari i Bashkisë së Beratit, z. Ervin Demo dhe i Kuçovës z. Kreshnik Hajdari. Të pranishëm në këtë ngjarje të rëndësishme për komunitetin orthodhoks ishin edhe përfaqësues të besimeve të tjera fetare të qytetit të Beratit dhe të zonës.
Para grigjës së shumtë të ardhur nga të gjitha mitropolitë e vendit, u lexua vendimi i Sinodit të Shenjtë të Kishës sonë për zgjedhjen kanonike të Mitropolitit Asti, pasues i të parafjeturit Mitropolit Ignatit.
Në fjalën e tij përshëndetëse dhe uruese për Mitropolitin e ri, në emër të të gjithë të pranishmëve, Kryepiskopi Anastas iu referua në veçanti personit të Hirësi Astit, duke kujtuar përkushtimin e tij që në vitet e hershme të përpjekjeve të ringritjes kanonike të Kishës sonë. Iu kushtua Kishës tërësisht, duke zgjedhur rrugën e murgjërisë dhe priftërisë. Kryepiskopi kujtoi se origjina e babait të ndjerë të hirësisë është pikërisht nga Berati, ku biri i tij thirret të baritojë komunitetin orthodhoks dhe të drejtojë Mitropolinë historike.
Duke theksuar karakterin dhe përkushtimin e Kryepriftit të ri, Kryepiskopi falënderoi Perëndinë për dhuntitë me të cilat e ka pajisur atë, të cilat, bashkë me njohuritë e thelluara në teologji, hirësi Asti i ka vënë pa asnjë kursim në shërbim të Kishës, duke kontribuar prej mbi 20 vitesh si Dhjakon, Prift, Arkimandrit, Episkop Ndihmës i Kryepiskopit, Protosingjel i Kryepiskopatës, në veprimtari të shumta me të rinjtë, intelektualët, në Këshillin Ndërfetar, botimet kishtare etj.
Duke i uruar baritim të bekuar, të suksesshëm dhe frytdhënës, për të dalë faqebardhë në përgjegjësinë e madhe që ndërmerr, Kryepiskopi nënvizoi se misioni i Episkopit nuk është aspak çështje e lehtë në ditët e sotme ku shoqëria dhe Kisha ndodhen para sfidash të vështira, sidomos në një terren aq të ndjeshëm si ky yni. “Uroj me gjithë shpirt që vepra jote të jetë vepër besimi, që mundimi yt të jetë mund dashurie dhe që durimi yt të jetë durim shprese!”. Në vazhdim citoi nga apostull Pavli: “I bie në gjunjë Atij që mund të bëjë shumë më tepër sesa gjithçka që i kërkojmë a mendojmë, falë fuqisë që vepron ndër ne, atij i qoftë lavdia përmes Kishës dhe Krishtit në të gjitha brezat, në shekuj të shekujve” (Efes. 3:20-21).
Në fjalën e tij përshëndetëse, Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Imzot Asti, shprehu falenderim të thellë për Perëndinë që e denjësoi në këtë përgjegjësi të madhe shpirtërore, dhe njëherësh mirënjohjen për Kryepiskopin Anastas që rilindi nga hiri i persekutimit Kishën tonë Orthodhokse dhe e ngriti atë në nivele që nuk imagjinoheshin. Duke dhënë premtimet e tij të rastit dhe vizionin në misionin si Kryebari i Mitropolisë së Shenjtë që Hiri i Perëndisë i besoi, theksoi se: “…do të përpiqem me gjithë shpirtin tim dhe fuqinë time e do mundohem të ofroj gjithçka që kam dhe gjithçka që kam mësuar, në: Rritjen dhe thellimin më Krishtin, Miqësinë, Shërbimin dhe Dëshminë; objektiva të cilat na u dhanë qysh herët nga Kryepiskopi Anastas dhe bënë busull për jetën tonë më Krishtin… Le të jetë dashuria dhe përkushtimi im një përgjigje ndaj himnit që dëgjojmë në Kishë “Si do t’ia shpërblejmë Zotit të mirat që na ka bërë?”…
Në veçanti, Mitropoliti Asti iu referua perspektivës së veprimtarive për katekizmin dhe thellimin shpirtëror në besim me të rinjtë e Mitropolisë, për të krijuar të ardhmen e Kishës në territorin më gjerë e në përgjigje të rrethanave të vështira që shoqëria dhe vendi ynë kalon. Shprehu falënderim për Mitropolitin e Fierit, Hirësi Nikollën, i cili shërbeu si Mitropolit mbikëqyrës për periudhën e mëparshme si dhe për kujdesin e treguar dhe organizimin e ceremonisë së Fronëzimit, si edhe të gjithë anëtarët e Sinodit të Shenjtë, familjarët dhe miqtë. U shpreh me fjalë mallëngjyese për parardhësin e tij, të parafjeturin Mitropolit Ignatin, i cili përbën shembull devotshmërie në shërbesën më Krishtin, dashurie dhe durimi të pakufi në kultivimin e besimit orthodhoks.
Nga ana e klerit të Mitropolisë së Shenjtë të Beratit, Vlorës dhe Kaninës përshendeti dhe uroi Protepresviteri dhe Përfaqësuesi i Përgjithshëm Arkieratik i saj, atë Joan Qako.
Korresp. i “NGJALLJA”