“…Duke gjykuar, pra, edhe sinodikisht më Shpirtin e Shenjtë, urdhërojmë dhe shpallim në këto çaste të hareshme që të gjitha provincat dhe komunitetet orthodhokse që ndodhen brenda të perëndishpëtuarit Shtet Shqiptar të jenë këtej e tutje të bashkuara në një organizim të pavarur e autoqefal kishtar me emërtimin “Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë”. Kjo Kishë, e cila është motra jonë shpirtërore, të rregullojë e të administrojë këtej e tutje çështjet e saj kishtare në mënyrë të pavarur e autoqefale sipas rendit dhe të drejtave sovrane edhe të Kishave të tjera Orthodhokse Autoqefale, të ketë dhe të njohë si autoritet suprem administrativ kishtar Sinodin e Shenjtë, të përbërë prej Kryepriftërinjve orthodhoksë kanonikë të Shqipërisë, me Kryetar të tij çdo herë Hirësinë e Tij, Kryepiskopin e Tiranës dhe të Gjithë Shqipërisë. Për zbatimin e unitetit të shenjtë kanonik me Fronin tonë fort të Shenjtë Apostolik Patriarkal Ekumenik dhe me të gjitha Kishat Orthodhokse Autoqefale, si dhe për ta dëshmuar këtë, Hirësia e Tij, Kryepiskopi i përhershëm i Tiranës dhe i Gjithë Shqipërisë ka për detyrë që, sipas rendit të Kishës së Shenjtë Orthodhokse, të njoftojë për zgjedhjen dhe ngjitjen e tij në fron nëpërmjet Letrave fronëzuese edhe Kishën tonë të Madhe të Krishtit, edhe të gjitha Kishat Orthodhokse Autoqefale motra. Po ashtu duhet të bëjë për këtë qëllim pohimin dhe premtimin e parashikuar në lidhje me zbatimin e padevijueshëm të besimit dhe shpresëtarisë orthodhokse prej Kishës së Shenjtë që drejton dhe që i është besuar, dhe të gjithçkaje tjetër që Kanonet e shenjta e hyjnore dhe rendi i Kishës së Shenjtë Orthodhokse urdhërojnë…”