Nën kujdesin dhe organizimin e Sinodit të Shenjtë të Kishës së Greqisë u zhvillua në qytetin e Selanikut, më 29 shtator -1 tetor 2025, konferenca me temë: “Teologjia Orthodhokse dhe ‘Ontologjia’ e Teknologjisë: Pasojat Antropologjike, Politike, Ekonomike, Shoqërore dhe Kulturore”.
Në të mori pjesë Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij z. Joan me grupin përfaqësues nga Shqipëria, Mitropoliti i Korçës, Hirësi Anastasi, Kryedhjakoni Johan Koroveshi, pedagogët z. Gjergji Mulla dhe z. Thoma Çomëni. Kryepiskopi Joan dhe delegacioni shoqërues i Kishës sonë u pritën ngrohtësisht në pikën kufitare të Kapshticës nga Mitropolitët: i Grevenasë Hirësia e Tij, z. David; i Kosturit, Hirësia e Tij, z. Kaliniku dhe i Siatistës, Hirësia e Tij, z. Athanasi. Ndërsa në Selanik, Kryepiskopi Joan, u takua miqësisht me Kryepiskopin e Greqisë, Jeronimin II dhe Patriarkun e Bullgarisë, Danielin.
Hapja e konferencës u zhvillua në qytetin e Selanikut, në kishën e Shën Dhimitrit, me solemimitet dhe frymë shpirtërore. Në këtë ceremoni morën pjesë: Tërëshenjtëria e Tij, Patriarku Ekumenik, Bartholomeu; Fortlumturia e Tij, Patriarku i Bullgarisë, Danieli; Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Qipros, Gjeorgji; Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Athinës dhe Gjithë Greqisë, Jeronimi II; Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Joani. Aktivitetin e nderoi me praninë e tij Presidenti i Republikës së Greqisë, z. Konstantinos Tassoulas.
Konferenca ishte një ngjarje e rëndësishme në kalendarin akademik dhe kishtar ndërkombëtar dhe një përpjekje serioze për të artikuluar një përgjigje theologjike dhe baritore ndaj sfidave të kohës moderne, ku teknologjia ndikon thellësisht jo vetëm në jetën e përditshme të individit, por edhe në përkufizimin e vetë natyrës njerëzore dhe marrëdhënies me Zotin dhe tjetrin.
Konferenca u zhvillua në praninë e Tërëshenjtërisë së Tij, Patriarkut Ekumenik, Bartholomeu, Kryepiskopit të Greqisë, Primatëve të Kishave Orthodhokse të Bullgarisë, Qipros dhe Shqipërisë, Delegacioneve zyrtare të Kishave Autoqefale Orthodhokse, Përfaqësuesve të Autoriteteve Politike, Juridike të Greqisë. Kryepiskop Joani mbajti kumtesën: “Tjetërsimi Digjital dhe Terapeutika Orthodhokse” – Një qasje baritore ndaj teknologjisë, ku theksoi: Në erën digjitale, dallimi merr rëndësi të re. Çdo ditë bombardohemi me information dhe algoritme të dizajnuara për të manipuluar vëmendjen tonë. Kultivimi i “dallimit digjital” kërkon pjekuri shpirtërore. Etërit mësuan se dallimi kultivohet nëpërmjet lutjes, përuljes dhe udhëzimit nga drejtuesit shpirtërorë. Sot na duhen forma të reja të udhëzimit shpirtëror. Kisha thirret të zhvillojë një “kujdes pimantik digjital”, që do të ofrojë kritere dallimi për ballafaqimin me sfidat e erës digjitale. Thirrja e Kishës për shenjtërim përfshin tërësinë e jetës njerëzore. Theologjia Orthodhokse mëson se qëllimi i jetës njerëzore është hyjnizimi (gr theosis) – transformimi i gjithë ekzistencës, nëpërmjet bashkimit me Zotin, siç përmbledh Shën Athanasi i Madh: “Perëndia u bë njeri, që njeriu të bëhet hyjnor”. Shenjtërimi i teknologjisë nuk do të thotë sakralizim i pajisjeve, por transformimi i mënyrës se si i përdorim ato: për qëllime që harmonizohen me vullnetin e Zotit. Kisha thirret të ofrojë një theologji të teknologjisë, që do të njohë potencialin e saj, ndërsa gjithashtu të nënvizojë rreziqet e saj.
Në vijim, përuroi stendën që përfaqësoi Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe vendin tonë në kuadër të aktivitetit kulturor dhe shpirtëror: “Bota të shpallë mbrojtësin e saj: Shën Dhimitri Mirovliti në Ballkan”. Ndërsa në ditën e tretë, në kuadër të pjesëmarrjes në këtë Konferencë, Patriarku Ekumenik, Tërëshenjtëria e Tij, Bartholome zhvilloi takim vëllazëror dhe të përzemërt me Kryepiskop Joanin.
Atë Grigor Pelushi
Përgjegjës i Radios “Ngjallja”