Udhëheqësi i ri i Kishës Apostolike Armene ka përgatitur një “program veprimi” prej gjashtë pikash, për përtëritjen e menjëhershme të Kishës së tij, pas një trashëgimie ndarjesh historike. Në një letër drejtuar udhëheqësve lokalë dhe të huaj të Kishës Apostolike Armene, Catholicos (Patriku) Karekin I, thekson se detyra kyç është përgatitja e brezit të ri të priftërinjve armenë dhe të bashkëpunëtorëve të tjerë. Përparësi do t’i jepet gjithashtu zhvillimit të botimeve kishtare, marrëdhënieve me shtypin dhe rolit kulturor e social të Kishës.
Karekin I, i lindur në Siri, është 62 vjeç dhe u zgjodh nga Këshilli i Kishës më 4 prill të këtij viti Catholicos (Patrik) i 131-të i Kishës së Armenisë. Më përpara ka shërbyer për 12 vjet si Catholicos i selisë së Kishës së Kilikisë në Liban, vend në të cilin më 1 korrik, në prani të tij, Patrikut Ekumenik dhe Patrikut të Jeruzalemit u fronëzua Kryepiskopi Aram Keshishian.
Në letrën e tij Catholicos theksonte se ndryshimet që nga koha e shpërbërjes së BS-së kanë krijuar “sfida të mëdha”, si edhe perspektiva më të mira për aktivitetet e Kishës. Ai theksoi se kisha ka gëzuar liri të plotë që kur Armenia fitoi pavarësinë nga BS, në shtator 1991.
Kisha Apostolike Armene, me 6 milionë besimtarë dhe 35 mitropoli në të gjithë botën, është themeluar në vitin 301 pas Krishtit, duke qenë kështu territori i parë që adoptoi Krishtërimin, në kohën e Mbretit Tiridates III.
Që nga zgjedhja e tij në prill, Catholicos Karekin ka vazhduar fushatën e paraardhësit të tij Vasken I, për paqe me Azerbajxhanin fqinj, me të cilin Armenia është në luftë që nga 1988, për enklavën e Nagorni-Karabak.