EmailFacebookKontakt

Flori dhe Lavri, martirë (18 gusht)

Binjakë, në një epokë të paqartë, ikën nga Bizanti mbas martirizimit të dy të krishterëve gurdhendës, të cilët u kishin mësuar mjeshtërinë e tyre.

Shkuan në Iliri (dhe më konkretisht në Slloveni) dhe punuan tek qeveritari i vendit, i cili më pas i dërgoi tek një princ. Ai u dha para dhe skica për të ngritur një tempull të gurtë idhujtarie. Ndërkaq paratë i dhanë si lëmoshë.

Natën luteshin – ditën punonin. I ndihmonte një engjëll, kështu godina mbaroi shpejt. Ndërkohë u tërhoq në besimin e vërtetë prifti i perëndive të gënjeshtra, i biri i të cilit ishte tashmë i krishterë, pasi të dy vëllezërit kishin hapur syrin e verbuar të tij.

Më pas shenjtorët mblodhën të varfrit që kishin përdëllyer dhe pasi i lidhën me litarë idhujt i tërhoqën të gjithë poshtë. Në vazhdim inaguruan në mënyrë festive dhe me drita të shumta kishën dhe ia dedikuan Shpëtimtarit, duke psalur, siç thuhet, troparin që duhej “Lavdi ty, o Krisht Perëndi, mburrja e apostujve…”

Princi, sapo e mësoi, urdhëroi dhe të tjerët u dogjën në furrë, ndërsa Flori (latinisht = i lulëzuar) dhe Lavri (latinisht = i dafintë) u lidhën në rrota qerreje dhe u rrahën. Më pas u dërguan tek qeveritari, i cili i mbylli në një pus të tharë, brenda të cilit mbaruan duke u lutur për besimtarët.

Mbas shumë vjetësh lipsanet e shenjta u vendosën në këllëf, rridhnin miro dhe bënin mrekullira në mënyra të ndryshme në gjithë ata që vinin. Dëshmohet se u vendosën në Manastirin e famshëm të të Gjithëpushtetshmit (Pandokratorit) në Konstandinopojë.