Një panair i vërtetë ishte kremtimi i “Fjetjes së Tërëshenjtës Mari”, në Sopik të Pogonit sivjet. Duke kapërcyer vështirësitë e rrugës së keqe dhe të izolimit të përgjithshëm që përjeton kjo zonë malore dhe kufitare, mes besimtarëve të grumbulluar ishte për të kryer Liturgjinë Hyjnore Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë Anastasi. Prania e tij ua shtonte më tepër gëzimin.
Duke përfituar nga pushimet e verës, Hiri i së Tërëshenjtës kishte grumbulluar në këtë fshat dhe në këtë kishë të mrekullueshme e madhështore pogonitë nga të dy anët e kufirit, zonat përreth, emigrantë nga Greqia e Amerika.
Gjatë Liturgjisë Hyjnore kisha ishte e mbushur me besimtarë dhe binte në veçanti në sy prania e të rinjve dhe të rejave. Edhe një herë kori i konviktit orthodhoks të Bularatit shtoi gëzimin e atmosferës lutësore që u krijua në kishë. Një lutje te e Tërëshenjta Mari, për gjithçka kemi nevojë, dhe siç theksoi Kryepiskopi ajo na e ka dhënë këtë të drejtë: t’i drejtohemi me të njëjtën mënyrë të natyrshme siç i drejtohet nënës së vet secili nga ne.
Pas Liturgjisë Hyjnore, në predikimin e Tij Kryepiskopi Anastas theksoi në veçanti faktin se kushdo që do ta quajë veten i krishterë orthodhoks dhe që me gjithë shpirt do të shprehë nderimin dhe respektin tek personi i së Tërëshenjtës duhet në radhë të parë të bëjë përpjekje maksimale t’i ngjajë asaj. Dhe duke pasur si model jetese të Tërëshenjtën, duhet të na karakterizojë besimi i thellë, përulja pa mendim të dytë, sakrifica e painteres, dashuria e sinqertë, bindja tek dëshira e Perëndisë. Kryepiskopi uroi me gjithë zemër të gjithë njerëzit që të vazhdojnë të mos harrojnë fshatrat e tyre të lindjes dhe të këmbëngulin që t’i mbajnë ato të gjalla. Sepse njerëzit, brezat paraardhës, njerëz me besim dhe përkushtim të thellë tek Perëndia i bënë ato vende aq të bekuara: në kushte jashtëzakonisht të vështira, në terrin e pushtimit shekullor krijuan vepra të tilla arkitektonike dhe vlera të rralla artistike në mjedisin e kishës, afreske, muzikë, shkrime shpirtërore etj.
Së bashku me Kryepiskopin Anastas bashkëmeshuan edhe Arkimandrit Dhimitri, Arkimandrit Nathanaili, At Efthimi dhe At Nikolla.
Në oborrin e kishës ku u organizua edhe takimi i 5-të i pogonitëve Kryepiskopi Anastas takoi njerëzit e shumtë të grumbulluar por edhe autoritet e fshatit dhe të zonës, të ftuar, deputetë dhe personalitete të pushtetit lokal që kishin ardhur nga Janina etj. Me fjalë shumë prekëse iu drejtua Kryepiskopi të gjithëve duke iu përgjigjur kështu edhe mirënjohjes së thellë, me të cilën i madh e i vogël i asaj zone dhe folësit në veçanti iu drejtuan atij, duke e falënderuar për dashurinë atërore që gjithë këto vite tregon dhe e bën realitet me vepra konkrete.
“…me gjithë zemër u uroj edhe atyre që jetojnë këtu dhe përballojnë vetminë, edhe atyre që janë të mërguar dhe përjetojnë një formë tjetër vetmie, bekimin dhe praninë e të Tërëshenjtës sonë.
Është shumë e rëndësishme të mendojmë se nuk jemi vetëm në përpjekjen tonë dhe në këtë zonë. Këtë të drejtë, na e jep besimi ynë, të ndjejmë praninë e Zotit në çdo hap që hedhim, ngrohtësinë e Nënës sonë, të Tërëshenjtës Mari, në çdo moment, qoftë ky çast i bekuar apo i vështirë dhe çast vetmie. Dhe sot, me të vërtetë jetuam këtë vëllazërim dhe këtë takim të të mërguarve në Greqi, në Amerikë dhe të mërguarve në këtë vend ndoshta dhe në këtë fshat! Sepse mërgim është edhe të jetuarit me shumë pak njerëz dhe me të dashurit e tu larg.
Por të gjitha këto i lidh me ura kjo marrëdhënie, marrëdhënia e dashurisë, ky besim, ky vëllazërim i cili nuk njeh kufi, distanca dhe vështirësi”.
Edhe ky panair i bekuar në kujtim të “Fjetjes së të Tërëshenjtës”, në Sopik të Pogonit, me praninë e Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, ishte akoma një fakt i shkëlqyer i madhështisë së besimit orthodhoks, i ndriçimit të shërbesave orthodhokse, të cilat edhe nëse bëhen në qendra të mëdha urbane, në kisha madhështore dhe të stolisura, qoftë në fshatra të vegjël dhe në kisha të thjeshta, janë njëlloj të mbushura me Hirin e Perëndisë…
Korresp. i “Ngjalljes”