Pas një sëmundjeje fjeti Stavrofor, protopresviter At Kristo Raci, nga fshati Dardhë i Korçës.
At Kristo u lind në vitin 1907 dhe mbas shkollës fillore, i detyruar nga nevojat ekonomike, punoi si çirak e më pas si marangoz në Korçë.
Besimi i bukur orthodhoks e tërhoqi që në moshë të re pranë Kishës dhe shpejt u bë nga psaltët më të mirë të Kishës historike të Shën Gjergjit. Filloi të studiojë librat e shenjta dhe muzikën bizantine. Gjithashtu dallohej edhe për kulturën e gjerë të fituar si autodidakt.
Në vitin 1952 vendosi të bëhej prift dhe të shkonte në fshatin e tij, në Dardhë, ku u prit me dashuri dhe ku për 14 vjet me radhë i shërbeu Perëndisë me devocion e përulësi.
Mbyllja e kishave më 1967 e goditi rëndë shpirtin e papa Kristos. Kisha e fshatit u bë depo e ushtrisë, gjërat e shenjta dhe këmbanorja u shkatërruan.
Me ardhjen e demokracisë dhe rilejimin e ushtrimit të besimit, At Kristo rilindi. Megjithëse në moshë 83-vjeçare, iu përvesh punës për organizimin e Kishave.
Bënte pagëzime, kurorëzime, varrime, ajazmo, shkonte dhe në fshatra. Klerikët e rinj dhe besimtarët dëgjonin e mësonin prej tij.
Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, e bëri stavrofor dhe protopresviter dhe e caktoi si përfaqësues në Dioqezën e Korçës, detyrë që e kreu derisa vdiq, më 19 nëntor 1995.
Me fjetjen e At Kristo Racit, familja humbi njeriun e dashur dhe Kisha humbi një nga klerikët më të devotshëm e të përkushtuar për përhapjen e fjalës së Perëndisë. Zoti ia prehtë shpirtin në krahun e tij.