EmailFacebookKontakt

Fjeti më Zotin znj. Tefta Karakosta

Në datën 15 gusht u nda nga jeta tokësore znj. Tefta Karakosta. Shërbesa u krye në Kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë, nga Hirësi Asti dhe klerikë të tjerë, në prani të shumë besimtarëve, miqve e të njohurve. Ajo ishte një grua e përkushtuar ndaj adhurimit në Kishë dhe veprës filantropike e sociale të saj, një nënë e dhembshur dhe infermiere e ndjeshme ndaj problemeve dhe nevojave të çdokujt.

Znj. Tefta ishte nga veprimtaret e para të Grupit Orthodhoks të Grave të Tiranës. Ajo u dallua në shërbimet sociale që ofroi ky grup grash vullnetare. Gjithashtu, ajo dha një kontribut të veçantë në Klinikën mjekësore falas “Shën Lluka”, në qendrën stomatologjike dhe në Qendrën Diagnostike Orthodhokse “Ungjillëzimi”.

Ajo nuk e ndërpreu për asnjë çast kontributin vullnetar si infermiere, duke shkuar për të shërbyer në shtëpitë e të sëmurëve nevojtarë. Ajo u shërbeu me përkushtim duke i mjekuar dhe ndihmuar edhe refugjatët nga Kosova, në vitin 1999. Madje, nga pensioni i saj, ajo jepte çdo muaj një kuotë për njerëzit në nevojë.

Zonja Tefta do të mbetet gjatë në kujtesë për besimin e saj të madh te Perëndia, me guximin për të thënë gjithmonë të vërtetën, si mike e të sëmurëve dhe nënë e të braktisurve.

I përjetshëm kujtimi!

Rajmonda Shqevi

Znj. Tefta Karakosta (e para djathtas), bashkë me veprimtare të Grupit të Grave Orthodhokse të Tiranës, duke ndihmuar njerëzit në nevojë.