EmailFacebookKontakt

Fjeti më Zotin znj. Drita Papajani

Më 29 dhjetor 2020, fjeti më Zotin Drita Papajani, artiste e këngës popullore dhe veprimtare e Kishës Orthodhokse.

Znj. Drita Papajani vinte nga një familje me rrënjë të thella orthodhokse. Lindur më 9 shkurt 1935, e bija e atë Marko Papajanit, atë e bijë ruajtën besimin te Krishti deri në frymën e fundit.

Prof. dr. Vasil Tole, duke e vlerësuar, ndër të tjera, thotë: “Hyri në interpretimet e këngës popullore në fillim të viteve 1960, si zbulim i të madhit shkodran Paulin Pali. Në jetën e saj të gjatë artistike si pjesëtare e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, ia doli të vendoste emrin e saj krahas më të mëdhenjve interpretues të këngës sonë popullore, si Luçije Miloti, Bik Ndoja, Fitnete Rexha, Hafsa Zyberi, Naile Hoxha, Xhevdet Hafizi, Bajram Spahiu, Pjetër Gjergji, Kei Sota, Emil Miloti, Despina Trimçev, Sadete Toska, Sanije Shaqiri (Pali), Hajrie Harapi etj. Regjistrimet muzikore të saj gjenden në fondin e artë të Radio-Tiranës dhe në Arkivin e Filmit”.

Gjatë gjithë jetës iu përkushtua me devotshmëri Kishës dhe besimit orthodhoks. Ajo ishte nga nismëtaret e para të hapjes së Kishës Orthodhokse në Tiranë, në vitin 1991, dhe në vazhdim anëtare e Lidhjes së Grave Orthodhokse të Tiranës, duke kontribuuar në mënyrë të pakursyer, në katekizëm, në veprën humanitare dhe në veprimtaritë e Lidhjes.

Pa u shkëputur nga veprimtaria muzikore, znj. Drita vazhdoi kontributin e saj në korin miks të Kishës së Ungjillëzimit dhe më pas të Katedrales “Ngjallja e Krishtit” fillimisht me mjeshtrin Eno Koço e më pas, për shumë vite me radhë nga 1994, me mjeshtrin Milto Vako.

Ndihemi të bekuar që këto tri vitet e fundit të jetës së saj i kaloi në shtëpinë tonë të ngrohtë “Familja e Dashurisë Hyjlindësja Mari”. Perëndia e prehtë në paqe shpirtin e shërbëtores së Tij dhe e vendostë në të djathtën e Tij.

Kristina Tolaj