EmailFacebookKontakt

Fjeti më Zotin prof. dr. Vasil (Dion) Tushi

Në datën 1 janar 2021 mësuam me keqardhje të thellë ndarjen nga jeta në moshën 49-vjeçare të prof. dr. Vasil (Dion) Tushi, drejtor i kolegjit “Platon” të Kishës sonë në Korçë. Ai ishte gjithashtu pedagog i jashtëm dhe jepte lëndën e letërsisë dhe filozofisë së lashtë greke pranë Departamentit të Gjuhës dhe Civilizimit Grek të Kolegjit Universitar “LOGOS”. Prof. Vasil Tushi ka dhënë mësim edhe në Seminarin Teologjik të Shën Vlashit dhe ka punuar në Kryepiskopatë si përkthyes. Ai ishte pedagog në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë, në Universitetin “Fan S. Noli”, Korçë.

Dion Tushi lindi në Korçë, më 18.9.1971, ku kreu shkollën fillore dhe atë të mesme. Aty ndoqi studimet e larta dhe u diplomua në degën gjuhë-letërsi në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, në Elbasan.

Në vitin 1999 mori titullin “Doktor i Shkencave” në Universitetin Shtetëror të Athinës. Prej vitit 2013 mbante titullin “Profesor i Asociuar”. Ai dha një kontribut të veçantë kudo ku punoi. Vitet e fundit, në drejtimin e kolegjit “Platon” të Korçës, pjesë e Fondacionit “Fryma e Dashurisë” të Kishës arriti rezultate mjaft të larta, duke e vënë atë në krye të shkollave të mesme të qytetit. Prof. Tushi dha një kontribut veçantë edhe në Kolegjin Universitar “LOGOS” dhe në Universitetin e Korçës, sidomos në fushën e shkencave filologjike.

Prof. as. dr. Dion Tushi është autori mjaft punimeve shkencore, për traditën fetare të vendit tonë, filologjinë, kulturën dhe filozofinë, të publikuara edhe në gjuhë të huaja. Gjithashtu, ishte pjesëmarrës në mjaft konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit.

Perëndia e prehtë në paqe dhe e vendostë në të djathtën e Tij.