EmailFacebookKontakt

Fjeti më Zotin Patriarku i Bullgarisë, Neofiti

Në datën 16 mars populli bullgar dhe bota orthodhokse i dhanë lamtumirën Patriarkut dhe Mitropolitit të Sofies, Neofitit. Me këtë rast ishin shpallur nga qeveria bullgare dy ditë zie kombëtare. Në shërbesën e varrimit, në katedralen e Sofies “Shën Aleksandër Nevski”, morën pjesë mijëra besimtarë. Me pas me një litani trupi i Patriarkut u vendos në kishën e Shën Nedelias.

Shërbesa e varrimit u kryesua nga Patriarku Ekumenik Vartholomeu, me pjesëmarrjen e hierarkëve të Sinodit të Kishës së Bullgarisë, hierarkëve të përfaqësive të Patriarkanave dhe Kishave Autoqefale, në prani të shumë e shumë klerikëve dhe besimtarëve. Në të mori pjesë dhe një përfaqësi nga Kisha jonë, e kryesuar nga Mitropoliti i Korçës, Hirësia Joani, i cili u shoqërua nga epitropi arkihieratik i Mitropolisë së Korçës, Stavrofor Mihal Sanellari. Hirësi Joani, shprehu ngushëllimet në emër të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, për largimin nga kjo jetë e Kryehierarkut.

Në funeral morën pjesë autoritetet më të larta të shtetit bullgar. Patriarku i ri do zgjidhet sipas traditës brenda një periudhe katërmujore.

***

Patriarku i Bullgarisë, Neofiti, lindi në Sofie në 15 tetor 1945. Pasi kreu studimet teologjike dhe dha mësim në Akademinë Teologjike të Sofies, në 3 gusht 1975 u dorëzua murg dhe disa ditë më pas hierodhjakon. Në 25 mars 1976 u dorëzua hieromonak dhe në vitin 1977 u ngrit në rangun e arkimandritit. Në vitin 1981 u caktua si protosingjel i Mitropolisë së Sofies dhe në vitin 1985 u dorëzua episkop nga Patriarku Maksim, në një shërbesë të kryer në katedralen “Shën Aleksandër Nevski” të Sofies dhe shërbeu si episkop ndihmës.

Në vitin 1989 u caktua rektor i Akademisë Teologjike të Sofies dhe më pas kreu detyrat e Kryesekretarit të Sinodit të Shenjtë, Mitropolit i Durotorit etj. Në 24 shkurt 2013 u zgjodh Patriark i Gjithë Bullgarisë.

Menjëherë pas fjetjes, në 14 mars 2024, Kryepiskopi Anastas i drejtoi Hirësisë së Tij Joanit, Mitropolit i Varnës dhe Mbikëqyrës i Patriarkanës së Bullgarisë, një mesazh ngushëllimi:

“Hirësi dhe vëlla i shenjtë, me hidhërim të thellë mësuam lajmin e fjetjes në Zotin të vëllait dhe bashkëmeshëtarit tonë të dashur, Mitropolitit të Sofies dhe Patriarkut të Bullgarisë, z. Neofit. Vëllai ynë i gjithmonëkujtueshëm dha dëshminë e besimit orthodhoks përmes përulësisë, durimit gjatë sprovës së sëmundjes dhe dashurisë së çiltër. Ai e drejtoi popullin orthodhoks të Kishës së Bullgarisë me dhembshuri dhe përkujdesje atërore, me thjeshtësi dhe çiltërsi. Duke shprehur ngushëllimet e përzemërta të Sinodit të Hirshëm të Kishës së Shqipërisë, të të gjithë klerit dhe besimtarëve të saj ndaj Kishës motër të Bullgarisë, në Kryepiskopatën e Hirshme të Tiranës kryem një Përshpirtje dhe u lutëm për prehjen e shpirtit të zgjedhur të Patriarkut të lumur, z. Neofit, “në tendat e të drejtëve”. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij! “Lum ata që vdesin të bashkuar në Zotin”.”

Në foto: Mijëra besimtarë orthodhoksë bullgarë u mblodhën në Katedralen “Aleksandër Nevski”, në Sofie, për të përshëndetur dhe nderuar Patriarkun e tyre.