EmailFacebookKontakt

Fjeti më Zotin Mitropoliti i Kinshasës, Niqifori

Sapo mësoi lajmin e fjetjes më Zotin të Mitropolitit të Kinshasës, zotit Niqifor, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, i prekur thellë, kreu një Trisai dhe, duke iu referuar njohjes personale dhe kontributit të Mitropolitit të ndjerë për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, u shpreh:

Me dhimbje të thellë mësuam për largimin nga kjo jetë për te Perëndia të vëllait fort të dashur më Krishtin, Niqiforit. Përpara se të shkonte të shërbente në Afrikë, i lumuri ishte një bashkëpunëtor i vyer më Zotin në rimëkëmbjen e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, duke qenë drejtori i parë i Liceut Kishtar “Kryqi i Nderuar” në Gjirokastër (1998-2006). Me zellin e tij hierapostolik, përkushtimin në punë, përvojën në mësimdhënie, thjeshtësinë dhe shpresëtarinë, ndikoi qenësisht në edukimin dhe kultivimin shpirtëror të të rinjve.

Nuk e shkëputëm asnjëherë lidhjen tonë vëllazërore më Krishtin.

Kisha e Shqipërisë e kujton me mirënjohje. Perëndia, të Cilin e deshi me gjithë shpirt dhe të Cilit i shërbeu me vetësakrificë në vende ku nevoja ishte e madhe, e prehtë shpirtin e tij fisnik në tendat e të drejtëve.