EmailFacebookKontakt

Fjeti Ikonom Stavrofor Todi Jovani

Atë Todi lindi më 13 shkurt të vitit 1950, në një familje orthodhokse në qytetin e Pogradecit. Që i vogël u mëkua dhe u rrit me Besimin Orthodhoks, gjë që e bëri t’i kushtohej Kishës menjëherë pas lirisë së besimit. Ai ishte pjesëtar i grupit nismëtar për rihapjen e kishave në rrethin e Pogradecit, më 1990. Në vitin 1991 kreu jashtë vendit një kurs gjashtëmujor për klerik dhe më pas u dorëzua në dhjak e prift.

Në dhjetor të vitit 1991 u kthye në Pogradec dhe po këtë vit filloi shërbesën si klerik në kishën “Fjetja e Hyjlindëses”, deri në vitin 1996.

Më 6 gusht 1996 kryen Liturgjinë e parë Hyjnore në katedralen e re “Ngjallja e Krishtit”, dhuratë e Kryepiskopit Anastas për qytetin me tradita orthodhokse të Pogradecit. Ndër vite Papa Todi mori gradën “Ikonom-Stavrofor” dhe u caktua si atë shpirtëror.

Ai është vlerësuar dhe do të mbahet mend nga besimtarët dhe gjithë qytetaria për kontributin në organizimin e festave fetare, fillimin e aktivitetit normal në të gjitha kishat e këtij rrethit, punën për përgatitjen e klerikëve të rij, bashkëpunimin me të gjitha besimet etj.

Ndër të gjitha këto veçohet qershori i vitit 2017, kur me bekimin e Kryepiskopit Anastasi, i biri atë Todit, Vasili, u hirotonis dhjakon nga Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani, në katedralen “Ngjallja e Krishtit”, Pogradec. Më pas ai e dorëzoi dhe prift, në shtator të vitit 2020.

Një ndihmesë, që nuk do të harrohet, tashmë e arkivuar, është ajo për hartimin e Historikut të Orthodhoksisë të rrethit.

I paharruar dhe përjetësi për këtë shërbëtor të Kishës sonë Orthodhokse!