Një jetë në shërbim të kishës
Fjeti besimtarja e shquar Elisabeta (Berta) Dhimitri
Elisabeta Xhokaxhi ose siç njihej nga besimtarët e Korçës Berta Dhimitri lindi nga një familje besimtare më 1 mars të vitit 1926.
Pati shumë tragjedi në familjen e saj dhe mbas vdekjes së prindërve, vëllait dhe motrës mbeti e vetme, por jo e izoluar, sepse fuqinë për të jetuar dhe punuar e gjeti tek Kisha që për të ishte gjithçka.
Me besim të patundur tek Zoti, ajo ishte shembulli i atyre besimtarëve që i rezistuan me vetëmohim periudhës së egër të përndjekjes së Kishës nga diktatura komuniste dhe që e mbajtën gjallë besimin orthodhoks në qytetin e Korçës. Mbante lidhje të ngushta me Olimbi Mullën dhe familjen Cico, që ishte qendra ku mblidheshin në fshehtësi besimtarët korçarë.
Me çantën e saj të mbushur me libra kalonte shtëpi më shtëpi për t’u dhënë forcë dhe kurajo besimtarëve, që të përballonin valën e egër të dhunës antifetare. Me gjithë përpjekjen e egër dhe rrezikun që paraqesnin për atë kohë, ajo nuk i ndërpreu asnjëherë të gjitha shërbesat fetare. Mbante lidhje me At Kozmain e Vlorës (Episkopi i Apolonisë) dhe priftërinj të tjerë që shërbenin në fshehtësi, me të cilët vazhdonin pagëzimet, kurorëzimet, përshpirtjet dhe kryheshin Liturgjitë fetare për marrjen e kungatës. Kur në Korçë nuk kishte prift, shkonte së bashku me Dhimitra Cicon për t’u kunguar në Tiranë. Për të mos rënë në sy të të tjerëve nuk hanin darkë dhe mëngjes me pretekstin se do të bënin analiza mjekësore. Mbante rregullisht kreshmë dhe Paraklisin e Shën Marisë e bënte edhe në punë. Kur shoqet e punës e shikonin që lëvizte buzët kujtonin se e kishte nga lodhja dhe përsëriste shifrat meqenëse punonte si llogaritare, por më pas e mësuan të vërtetën dhe luteshin edhe ato bashkë me të. Në fillimet e demokracisë ishte nga të parat që u mobilizua në hapjen e kishave dhe ishte ndër iniciatoret që në vitin 1990 për zhvillimin e ceremonive të para fetare në publik, në rrënojat e kishës së Shën Trinisë dhe Shën Thanasit, dhe qytetarët e Korçës dëgjuan kambanat e para që lajmëronin një epokë të re, atë të ringjalljes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Ardhja e Kryepiskopit Anastas e bëri me krahë, ajo u rilind shpirtërisht, sepse Kisha e jonë ra në duar të sigurta, por përjetoi dhe dhembje të thellë kur njerëz dashakeqës dhe me qëllime djallëzore u sulën si fajkonj kundër Kryepiskopit, sepse donin të pengonin përparimin e Kishës sonë. Janë të panumërta lutjet dhe agripnitë që janë bërë prej saj në mbrojtje të Kryepiskopit. Por Kisha jonë ishte e destinuar prej Zotit që të ecte përpara edhe një ngjarje tjetër shumë e rëndësishme e lumturoi pa masë. Ishte fronëzimi i Imzot Joanit si Mitropolit i dioqezës së Korçës.
Ky ishte një gëzim i madh për të gjithë, sepse na dhuroi Perëndia një Mitropolit të denjë, por veçanërisht për Bertën, sepse Imzot Joanin e njihte që nga koha e diktaturës si një të ri me shumë dhunti, që pavarësisht nga mosha ishte miqësuar dhe punonte me shumë pasion së bashku me Theofan Popën, Petro Zhein, Petraq Fundon dhe shumë të tjerë, duke shkuar qytet më qytet për të shpjeguar Ungjillin dhe për t’u dhënë kurajo njerëzve të dëshpëruar. Për Imzot Joanin ajo ishte një nënë e dashur.
Berta Dhimitri shquhej edhe si një misionare jo vetëm për përhapjen e fesë, por edhe për zotërimin e mësimeve të Ungjillit. Ajo mblidhte ndihma për të varfrit, kujdesej për njerëz të sëmurë, u qëndronte pranë, ngushëllonte ata që kishin dhembje dhe i forconte në besë. I donte të gjithë dhe e donin të gjithë, prandaj ajo u bë simboli i forcës që ka Kisha jonë Orthodhokse. Këtë e tregon më së miri periudha e fundit e jetës së saj dhe megjithëse kishte mbetur e vetme nuk u gjend kurrë e vetmuar. Ajo pati përkujdesjen e pakursyer të Mitropolitit Joan, shërbimin dhe dashurinë e grave të Lidhjes Orthodhokse, të cilat gjatë gjithë periudhës së gjatë të sëmundjes së saj u përkujdesën dhe nuk e lanë vetëm për asnjë çast.
Berta, nëna jonë e dashur ndërroi jetë më 24 janar të këtij viti dhe u varros me nderime të mëdha nga ana e Kishës dhe gjithë qytetit.
Për meritat dhe veprimtarinë e saj të shquar, të gjitha shpenzimet e varrimit u morën përsipër personalisht nga Kryepiskopi Anastas.
I përjetshëm qoftë kujtimi i saj.
Në fotot: Elisabeta Dhimitri me Kryepiskopin Anastas (lart) dhe poshtë me Imzot Joanin dhe një grup besimtarësh korçarë
Nga Lidhja e Grave Orthodhokse e Mitropolisë së Shenjtë, Korçë
Korçë 30.01.2004