Më 22 janar, fjeti pas një ataku zemre Arqiepiskopi Serzh. Ai ishte 61 vjeç dhe që nga viti 1993 ndodhej në krye të Arqiepiskopatës orthodhokse të kishave me origjinë ruse të Evropës Perëndimore, që është nën juridiksionin e Patrikanës Ekumenike të Konstandiopojës. Ai ishte anëtar i Asamblesë së Episkopëve Orthodhoksë të Francës dhe Këshillit të Kishave të Krishtera të Francës.
Gjithashtu, Arqiepiskopi Serzh ishte edhe rektor Institutit të njohur Teologjik Shën Serzhi, në Paris.
Shërbesa mortore u krye në Katedralen e Shën Aleksandrit, në prani të shumë episkopëve dhe dhjetëra klerikëve, si dhe të mjaft përfaqësuesve të lartë të besimeve të tjera.
E lindur si dioqezë e vjetër e kishës ruse, e themeluar më 1921 për nevojat shpirtërore të emigrantëve rusë, kjo arqidioqezë është nga viti 1931 nën juridiksionin e Patrikanës Ekumenike, si eksarkat me autonomi të gjerë. Sot ajo numëron rreth 60 enori dhe 4 manastire, si dhe 66 klerikë, të shpërndarë në Hollandë, Gjermani, Norvegji, Suedi, Itali dhe Spanjë, ndërsa në Francë përbën komunitetin më të madh orthodhoks, duke përfshirë brenda tij edhe mjaft besimtarë me origjinë nga këto vende.