Fortlumturi, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, vëlla shumë i dashur në Krishtin dhe bashkëmeshtar, zoti Joan!
Në dashurinë e Perëndisë dhe Atit, në hirin e Zotit tonë Jisu Krisht dhe në pjesëmarrjen e Shpirtit të Tërëshenjtë, Kisha e Shenjtë dhe e Madhe Mëmë e Krishtit, e veshur me petkun e ngazëllimit, pret me dashuri dhe nder Fortlumturinë tuaj shumë të dashur, pasuesin e denjë të Anastas Janullatosit, i cili e dha veten tërësisht në shërbim të Kishës.
Kisha Mëmë gëzon me gëzim të madh, sepse prej saj Kisha Orthodhokse e Shqipërisë, që ju drejtoni me dinjitet, nisi dhe vazhdoi rrugëtimin deri në ditët e sotme, qoftë në periudha mirëqenieje dhe qëndrueshmërie, qoftë në kohë “shtrëngimesh dhe hidhërimesh”, por gjithmonë në dashurinë, në dritën e në të vërtetën e Krishtit.
Sot të gjithë kremtojmë në këto oborre të martirizimit dhe dëshmisë, të përulësisë dhe lavdisë, ndërsa ju mirëpresim, vëlla fort i lumtur, pasues i denjë dhe i nderuar i paraardhësit tuaj të ndjerë e të paharruar, që u nda nga kjo jetë pak muaj më parë. Ai ishte misionar dhe bari shpirtëror, shërbyes dhe dëshmitar i gjallë për më shumë se tridhjetë vjet i udhëtimit të mundimshëm të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, bijë e martirizuar e Fronit Ekumenik, që rrezaton në qiejt kishtarë përmes yjeve të saj të ndritshëm. Hieromartirët e shenjtë Asti dhe Elefteri, martirja e shenjtë Anthia, Shën Joan Kukuzeli nga Durrësi, Shën Nili Erikhioti, martiri oshënar Jakovi i Ri, hieromartiri dhe i barabarti me Apostujt, Shën Kozmai i Etolisë, i cili e forcoi besimin orthodhoks në kohë të vështira, si dhe një mori shenjtorësh, të njohur e të panjohur, të dukshëm e të padukshëm, e kanë ujitur me lot dhe me gjak pemën martire të kësaj Kishe.
Me ndjenja gëzimi dhe ngazëllimi, ju përshëndesim, Fortlumturi, së bashku me Hierarkinë e nderuar që ju rrethon, në këtë Vend të Shenjtë, ku brez pas brezi ruhen pllakat e Besëlidhjes së Shenjtë të Orthodhoksisë sonë dhe shkopi i Aaronit që gjithmonë lulëzon, duke dhënë fryt të gjallë, dhuratë të paçmueshme, të vërtetën dhe dritën.
Në Zotin takohemi. Kisha i përket Krishtit dhe Ai është kreu i saj, por edhe Ruajtësi dhe Themeluesi i të gjithë organizmit të saj, përmes Ngushëllimtarit, duke e përmbledhur atë në Vetvete, sepse “Kisha është Trupi i Krishtit” (Efes. 1:23); prandaj edhe “portat e skëterrës nuk do ta mposhtin” (Mt. 16:18).
Për këtë realitet, dëshmon me përvojë të gjallë jo vetëm Kisha Mëmë, por edhe degëzimi i saj, Kisha e Shenjtë Orthodhokse e Shqipërisë, e cila ka përjetuar me të vërtetë një “rrugëtim të gjatë” martirizimi dhe ka dalë nga “gropa” e tundimeve drejt qetësisë dhe ngushëllimit, ashtu siç i shkruante dhe i lutej paraardhësit tonë, Patriarkut Foti II, vetë Mbreti i atëhershëm i Shqipërisë, Ahmet Zogu, në një letër të datës 25 shtator 1930. Kjo letër iu përcoll Patriarkanës përmes Mitropolit të ndjerë të Trapezundës, Krisanthit, që ishte dërguar për herë të dytë si ekzark në Shqipëri.
Dyert e shumta të “Hadhit” nuk triumfuan as atëherë kur, nga i ashtuquajturi “Sinodi” i hierarkëve rusë në mërgim, mbledhur në Karloviç, u nxit një prirje për shkëputjen e Orthodhoksisë në Shqipëri nga trungun e gjallë dhe jetësor i Nënës dhe Arkës së saj, Patriarkanës Ekumenike, pavarësisht nga të gjitha rrethanat e vështira që pasuan. E megjithatë, e vërteta nuk u mposht, sepse në veprim hyri Froni i Shenjtë Apostolik dhe Patriarkal Ekumenik, gjithmonë vigjilent për mbrojtjen e Orthodhoksisë hyjnore. Ai derdhi “vaj dhe verë” dhe shëroi plagët e hapura, duke i dhënë Kishës suaj të drejtën e Autoqefalisë, të mbështetur në të drejtën e saj kanonike. Edhe gjatë periudhës së afërt të komunizmit të gjatë, “dyert e Hadhit” nuk mundën ta shkatërrojnë Kishën, ndonëse gjithçka ishte mbuluar nga “terrori i kryengritjes shekullare”, i mishëruar në mijëra bunkerë – dhe jo vetëm kaq – ndërkohë që Trupi mistik i Krishtit u hodh, në kuptimin e vërtetë të fjalës, “në thellësitë e ferrit”. Vetëm pak klerikë të ndriçuar u përpoqën fshehurazi të mbanin gjallë shkëndijën e besimit. Ndër ta ishte edhe i ndjeri Episkopi i Apolonisë, Imzot Kozmai, i cili jo vetëm ringjalli besimin te ju, Fortlumturi, por edhe ju pagëzoi në kohë tepër të vështira. Të gjithë atyre – shumicës së panjohur dhe pakicës së njohur – ndër të cilët përfshihet edhe “heroi” Dhimitër Beduli, që mbajtën mbi supe “zgjedhën e mirë” të Krishtit, u drejtohet, në këtë moment të vizitës zyrtare të Fortlumturisë suaj dhe përmes Përulësisë sonë, fjala e Patriarkanës Ekumenike: një fjalë mirënjohjeje, nderimi dhe vlerësimi për kontributin e tyre.
Është e vërtetë se deri në vitin 1992, Kisha Orthodhokse e Shqipërisë ishte kufizuar vetëm te “shpirtrat” e gjallë që kishin mall për të vërtetën dhe për dritën e Krishtit, veçanërisht, në mos ekskluzivisht, brenda rrethit të ngushtë të rrënojave të Kishës së Shën Vlashit, ku besimtarët orthodhoksë vinin, luteshin dhe ndiznin me përkushtim një qiri devotshmërie. Ajo ishte kufizuar në Katedralen Mitropolitane të Ungjillëzimit të Hyjlindëses në Tiranë, e cila ndodhej në gjendje të mjerueshme, e braktisur dhe e rrënuar. Por kur u shfaq sërish në horizont, fillimisht me drojë, Dielli i lirisë në qiellin e Shqipërisë, atëherë edhe ky Fron i Shenjtë, Patriarkal dhe Ekumenik, bashkëpjesëmarrës në “trishtimin” dhe në “varfërinë” shpirtërore e materiale të popullit orthodhoks shqiptar, ndërmori sërish, sipas detyrimit që buron nga Kanonet e Shenjta dhe nga vetë pozita e tij në Orthodhoksi, një shërbesë të re, të mbushur me përgjegjësi dhe përkushtim. Si një Abraham legjendar i kohëve moderne, ai e ngriti sërish “çadrën e rrëzuar” – për arsye që vetëm Zoti i di – duke dërguar me nismën e vet dhe me kujdesin e natyrshëm atë që u bë Engjëlli i Mirë i saj: paraardhësin tuaj, Kryepiskopin e ndjerë Anastas. I veshur me përparësen e shërbesës, si një misionar dhe bari i vërtetë, ai e flijoi jetën për grigjën e arsyeshme, duke e ofruar veten si “flijim të patëmetë”, si “erë të këndshme të ringjalljes”, për më shumë se tridhjetë vjet në arën e thatë të Kishës Orthodhokse në Shqipëri dhe më gjerë në mbarë vendin. I sakrifikuar me të vërtetë në çdo aspekt – në përpjekje, në sprova, në dobësi, në gjendje dëshpëruese, në shqetësime të brendshme, rreth e rrotull dhe të jashtme – dhe duke mbajtur deri në frymën e fundit kryqin e martirizimit të popullit të tij orthodhoks dhe të Kishës së tij të kryqëzuar, ai e bëri atë dëshmitare dhe lajmëtare të Ringjalljes së Krishtit. Këtë e dëshmon Katedralja e Ngjalljes së Zotit, që mbizotëron në zemër të Tiranës, si dhe të gjithë kishat e ndërtuara me kujdesin e tij në të gjithë territorin e Shqipërisë, të cilat mbajnë emra që përkujtojnë “një jetë tjetër”, atë jetë që shumë shpirtra të ndjerë, të fjetur “në trishtimin e madh”, e ëndërronin dhe që të mbijetuarit e atyre ditëve të vitit 1991 dhe në vazhdim e shijuan të gjallë.
I ndjeri Anastas e mbarti Kryqin e Martirizimit pa ndihmën e një Simon Kirenasi. Kirenasi i tij ishte vetë Krishti, dhe “emblema” e tij e shenjtë ishte fjalia e shën Joan Gojartit: “Lavdi Perëndisë për gjithçka”. Kirenase ishte edhe kjo Kishë Mëmë, e cila u zbraz prej vetes nga thesaret e saj të pashtershme dhe kontribuoi me vepra dhe fjalë në “udhën e vështirë” të Kryepiskopit Anastas, siç u shprehëm edhe gjatë përurimit të Katedrales së Ngjalljes në Tiranë, por edhe përmes pjesëmarrjes dhe mbështetjes materiale e shpirtërore nga Eparkitë e Diasporës së këtij Froni. Që nga fillimi, Kirenasi i tij ishit edhe Ju, vëlla Fortlumturi, i cili, si një tjetër “enë e zgjedhur” (Vep. 9:15), patët rastin të shihni pranë Kryepiskopit Anastas, si në një portë tjetër të Damaskut, një “dritë prej qiellit” (Vep. 9:3) dhe, bashkë me të, duruat “nxehtësinë e ditës dhe të ftohtin e natës”, në kuptimin e plotë dhe të figurshëm të fjalës. “Mendja tronditet” përpara veprës që ka realizuar ky primat i lavdishëm dhe paraardhësi Juaj – një mrekulli e vërtetë!
Dhe i ndjeri ndër paraardhësit tuaj, Anastasi, e përfundoi rrugën e tij, e ruajti besimin dhe e kreu me përkushtim “luftën e mirë” edhe në Shqipëri. Ai u shqua në çdo drejtim dhe, pasi “e përmbushi masën e jetës”, u largua drejt banesave të përjetshme, duke ju dorëzuar Juve, bashkëpunëtorit dhe pasardhësit të tij të denjë, sipas përkujdesjes dhe mëshirës së Perëndisë, si dhe bashkësisë suaj, një Kishë të lulëzuar, një Kishë të gjallë, “pa njollë dhe pa rrudhë” nga e kaluara, që ecën përpara “me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë,” “me fuqinë e shenjave,” (Rom. 15:19) “me fuqinë e hirit” gjithëveprues, “me fuqinë e Ngjalljes”.
Fortlumturi,
ashtu siç Orthodhoksia e ka jetuar gjithnjë misterin e Kishës, të trashëguar nga Apostujt dhe Shenjtorët dhe Etërit e Shenjtë Hyjmbajtës të Lindjes, nga Sinodet Ekumenike, nga Martirët, Oshënarët dhe Homologjetët dhe nga e gjithë tradita shekullore, në këtë Qendër të Hirshme, por edhe në Ilirik, ashtu e dëshmon atë edhe sot, në një botë bashkëkohore të trazuar.
Koha e tanishme është një kohë dëshmie, në të cilën gjendemi së bashku – ju dhe ne – Kisha Orthodhokse martire në Shqipëri dhe Froni i shumëvuajtur Ekumenik. Është një dëshmi e vetme për Krishtin dhe për Kishën, e shprehur në mënyra të ndryshme, sipas vendeve dhe rrethanave, në mirëkuptim dhe vlerësim të realiteteve të vështira, të trazuara dhe të pamëshirshme, të cilat i kemi përjetuar thellësisht, si ju ashtu edhe ne, siç shkruante Patriarku Grigor VII. Një dëshmi që gjithmonë shfaqet në frymën e përulësisë dhe të shërbesës.
Ne japim, pra, dëshminë tonë dhe jemi të thirrur, sipas shembullit hyjnor-njerëzor të Zotit tonë Jisu Krisht, t’i shërbejmë “të uriturve dhe të eturve për drejtësinë” (Mt. 5:6), për dashurinë, për dritën, për të vërtetën dhe për paqen mes njerëzve.
Vizita e Fortlumturisë Suaj në këtë banesë të përulur, por të shenjtë të shërbesës në besimin ndaj Krishtit, në këtë vend apostolik dhe patristik, me rrënjë të shumëfishta orthodhokse, të shenjtëruar me gjakun e Martirëve dhe dëshminë e Homologjetëve, siç është edhe paraardhësi ynë homologjet, Patriarku Metodi, që kremtohet sot, është një vizitë që gjendet në qendër të kësaj çështjeje të shenjtë dhe madhore që është dëshmia e Orthodhoksisë. Për këtë arsye, gëzohemi dhe lavdërojmë Zotin, duke parë dhe përshëndetur këtë takim tonin në këtë banesë të shenjtë “të të varfërve të Krishtit”.
Ju falenderojmë, së bashku me Hierarkinë që na rrethon, me klerin e popullin, për këtë vizitë me të vërtetë paqësore dhe vëllazërore të Fortlumturisë Suaj dhe të delegacionit tuaj të nderuar. Ju mirëpresim me dritën e Besimit dhe të Ngjalljes, me zjarrin e Pentikostisë dhe ju përqafojmë juve, pasardhësin e denjë të të ndjerit Anastas, në këtë Qendër të Shenjtë të Orthodhoksisë, duke iu lutur Mbretit të lavdisë, Zotit të mëshirës, dhembshurisë dhe çdo ngushëllimi, që pjesëmarrja jonë, ashtu si edhe e Kishave tona, të mbetet një shërbesë dhe dëshmi gjithnjë më e thellë për Zotin tonë Jisu Krisht, për Orthodhoksinë e Shenjtë dhe për kontributin ndërtues që ajo ofron në ndërtesën e veprës së Perëndisë, Krijuesit dhe Plotësuesit të gjithësisë.
Në këtë frymë, në Frymën e Krishtit, përshëndesim sërish praninë e Fortlumturisë Suaj në Fanar dhe lutemi që udhëtimi historik i kësaj dege të lavdishme të Fronit Ekumenik, Kishës së Shenjtë Orthodhokse të Shqipërisë, të jetë udhëtim lavdie, udhëtim në fuqinë e Perëndisë, në dhurim dhe shërbesë, një udhëtim hiri dhe ekonomie hyjnore, një udhëtim “mbi dhenë paqe dhe mbi njerëzit mirëdashje,” (Llk. 2:14). Në këtë çast të shenjtë, e përsërisim dhe e pohojmë me bindje se themeli i marrëdhënieve ndërmjet dy Kishave tona ka qenë, është dhe do të jetë Dashuria, e Vërteta dhe Drita.
Mirë se erdhët, edhe një herë, Fortlumturia Juaj!