EmailFacebookKontakt

Fjala e Tërëshenjtërisë së Tij, Patriarkut Ekumenik, z. Bartholome, gjatë bashkëmeshimit me Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin e Tiranës, imzot Joanin, në Kishën Patriarkale të Shën Gjergjit

Fortlumturia juaj, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, vëlla shumë i dashur dhe bashkëmeshtar, zoti Joan, së bashku me delegacionin tuaj të nderuar!

Vëllezër hierarkë dhe pjesëtarë të tjerë të klerit të çdo shkalle,

Bij të dashur më Zotin!

“Prandaj edhe ne që jemi të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmitarësh” (Heb. 12:1) dhe shenjtorësh të tjerë, patriarkë, etër, mësues, homologjetë dhe oshënarë, të cilët kanë shenjtëruar këtë Fron të shenjtë Apostolik, Patriarkal dhe Ekumenik të Kostandinopojës dhe këtë tokë të bekuar që lindi shumë shenjtorë, sot, të Dielën e Gjithë Shenjtorëve, mirëpresim me çdo nderim dhe me dashuri të thellë vëllazërore Kryepiskopin e ri të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturinë e Tij, Joanin, së bashku me delegacionin e tij të përzgjedhur, duke përqafuar në personin e tij të nderuar gjithë popullin besimtar të Kishës motër Orthodhokse të Shqipërisë!

Mirë se erdhët, Fortlumturi, në Kostandinopojë, në Fanar! “I bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit!” Nuk keni ardhur në një vend të huaj! Keni ardhur në shtëpinë tuaj! Në shtëpinë e Nënës suaj! Në vendin ku dikur u përjetuan dhimbjet e lindjes dhe, në kohën e bekuar, lindi edhe Kisha e Shqipërisë, bijë e zgjedhur dhe e dashur e Kishës së begatë Mëmë të Mbretëreshës së Qyteteve, sikundër edhe shumë Kisha të tjera Orthodhokse Autoqefale të Ballkanit dhe të Evropës! Keni ardhur në atë vend të shenjtë ku, së fundmi, me ndihmën hyjnore, Kisha juaj rilindi kanonikisht pas shpërbërjes së plotë dhe trishtimit të madh të regjimit gjysmëshekullor ateist. Duar arkieratike të Mitropolitëve të Fanarit u vendosën mbi kryet tuaja, së bashku me duart e nderuara të atit tuaj shpirtëror dhe ju bënë Kryeprift të Zotit të Gjallë dhe pasues të apostujve të shenjtë, që edhe Mitropolia e Shenjtë e Korçës, një krahinë e lashtë kishtare e këtij Froni, të gjente një mbrojtës dhe bari të denjë! Prej shumë kohësh, pra, nuk jeni vetëm i njohur për ne, por edhe tepër i afërt dhe veçanërisht i dashur për të gjithë!

Ju kemi njohur, Fortlumturi, për shumë vite si bashkëpunëtorin më të besuar dhe më të çmuar të paraardhësit tuaj të ndjerë, të të paharruarit dhe të papërsëritshmit Kryepiskopit Anastas, Apostullit të ri të Shqipërisë! Së bashku keni mbajtur me durim të madh të nxehtin e ditës dhe të ftohtin e natës për më shumë se tridhjetë vite të vështira! Së bashku keni rrezikuar, jeni munduar për Ungjillin dhe për popullin e Zotit dhe keni përmbushur vepra të mëdha dhe të mrekullueshme, mirësia e të cilave nuk kufizohet vetëm në rrethin e të krishterëve orthodhoksë, por shtrihet në të gjithë popullin e Shqipërisë, pa dallim feje. Së bashku me Kryepiskopin e ndritur Anastas keni ndriçuar praninë e Kishës së Shqipërisë në Sinodin e Shenjtë dhe të Madh të Kishës Orthodhokse në Kretë, që u mbajt saktësisht nëntë vjet më parë, duke kontribuar, bashkë me episkopët tuaj të tjerë, në mënyrë vendimtare në suksesin e punimeve të Sinodit. Është e natyrshme, pra, që të gëzoni një vlerësim të lartë në oborret e shenjta patriarkale dhe të keni një vend të veçantë në zemrat tona! Ndaj, ndjehuni mes nesh thellësisht i gëzuar, i lirë dhe në rehati të plotë, ashtu siç ndiheni në shtëpinë e prindërve tuaj! Krishti është në mes nesh, duke na bekuar dhe shenjtëruar ne dhe marrëdhëniet tona vëllazërore ndërkishtare!

Gjithmonë, Fortlumturi, Patriarkana Ekumenike, që nga kohërat e lashta, ka treguar një interes të gjallë prej nëne për dioqezat e saj, të cilat, pasi u emancipuan më vonë në mënyrë kanonike, formuan Kishën e sotme të Shenjtë Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë! Ajo dërgonte hierarkë të shquar, me dashuri për popullin vendas, me zell hyjnor, me cilësi e aftësi, të cilët vendosën themele të shëndosha të besimit dhe jetës së krishterë. Dhe, gjithmonë, ka qenë e gatshme të vinte në ndihmë e mbështetje sa herë që ishte e nevojshme. Pas turbullirave të dhimbshme të nxitura nga jashtë dhe veprimeve antikanonike, që shënuan dekadën e tretë deri në mesin e dekadës së katërt të shek. XX, këto dioqeza u emancipuan në mënyrë kanonike dhe në përputhje të plotë me rregullat e Kishës. Ato u shndërruan në një Kishë Autoqefale, bijë dhe njëkohësisht motër shumë e dashur për ne, dhe ky akt u krye në kohën kur Patriark Ekumenik ishte paraardhësi ynë i ndjerë, Beniamini, nëpërmjet një Akti zyrtar Patriarkal dhe Sinodik, si dhe me shpalljen e Tomosit përkatës më 17 prill 1937. Ky emancipim nuk na largoi aspak nga njëri-tjetri, as në shpirt e as në frymë! Përkundrazi! (Rom. 12:5) Kështu, dhimbja dhe trishtimi ynë për vuajtjet dhe mundimet që keni përjetuar për gjysmë shekulli nën regjimin ateist shtetëror ishin të paimagjinueshme dhe lutjet tona drejtuar Zotit për pushimin e përndjekjes dhe për lindjen e ditëve të qetësisë, lirisë dhe paqes ishin të zjarrta, me shumë lot dhe të pandërprera!

Duke ndjekur martirizimin shumëvjeçar dhe duke parë mundimin e rëndë dhe vuajtjet e barinjve dhe besimtarëve të Shqipërisë, me Kryepiskopin e ndjerë Kristofor në krye të rrethit të martirëve, por edhe përkushtimin e tyre të dashur ndaj Perëndisë, qëndresën e patundur në besimin e trashëguar dhe në dëshminë e besimit në Krishtin, ne shihnim në fytyrat e tyre ata për të cilët mbrojtësi juaj, shën Joan Ungjillori, flet në Zbulesë: “Këta janë ata që kanë ardhur nga përndjekja e madhe. Ata i kanë larë rrobat dhe i kanë zbardhur ato me gjakun e Qengjit”. (Zan. 7:14). Lavdi Perëndisë që, më në fund, “dimri iku e vate, pushoi shiu e kaloi, çelën lulet nëpër ara… zëri i turtullit dëgjohet… çeli hardhia” (Kënga e këngëve, 2:11-13) në tokën e shenjtorëve, martirëve dhe omologjetëve të besimit, të cilët kanë një arsye shtesë për gëzim dhe hare! Dhe atyre që kanë dalë nga përndjekja, “Qengji që rri në mes të fronit do të jetë bariu i tyre dhe do t’i drejtojë për te burimet e ujërave të jetës dhe Perëndia do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre”. (Zan. 7:17)

Fortlumturi, me përkujdesjen dashamirëse të paraardhësit tonë të ndjerë, Patriarkut Ekumenik, Serafimit II, me origjinë nga Delvina, Perëndia dërgoi dikur në Shqipëri predikuesin e zjarrtë të Ungjillit, shën Kozmain e Etolisë, me qëllimin që të ripredikonte Ungjillin te populli i vendit tuaj. Vepra që ai përmbushi në Shqipëri është me përmasa vërtet apostolike. Dhe e vulosi atë përfundimisht me vdekjen e tij të lavdishme dhe martirike, duke u bërë hieromartir i Jisu Krishtit. Prania e tij e gjallë pranë jush, përmes lipsanëve të shenjta, varrit dhe manastirit të tij të shenjtë, përbën jo vetëm burim frymëzimi dhe shenjtërimi, por edhe një ndërmjetësim të fuqishëm dhe ndihmë të dobishme para Perëndisë, si për ju personalisht, ashtu edhe për të gjithë Kishën në Shqipëri.

Në kohët më të reja, vazhdues i asaj vepre u bë, me përkujdesjen e paraardhësit tonë të ndjerë, Patriarkut Ekumenik Dhimitrit në fillim dhe më pas të përulësisë sonë, Kryepiskopi i ndjerë Anastasi, të cilin Perëndia e dërgoi pranë jush fillimisht si ekzark patriarkal dhe, pas një periudhe të shkurtër, si Kryepiskop dhe Primat kanonik, i zgjedhur nga Sinodi ynë i Shenjtë dhe i Hirshëm. Veprimtaria e tij e jashtëzakonshme dhe shumëdimensionale për tridhjetë e tre vite – kishtare, ringjallëse, akademike e arsimore, botuese, shoqërore, filantropike, kulturore, ndërkishtare, ndërfetare, paqendërtuese dhe të tjera – tashmë matet me peshore të artë nga historia.

Kryepiskopi i ndjeri ju ka lënë një trashëgimi të madhe dhe të rëndë. Megjithatë, Fortlumturi, jemi të bindur se do të përpiqeni ta vazhdoni me të gjitha forcat tuaja dhe me të gjitha dhuntitë që Zoti, ju ka dhënë me bujari. Ju dalloheni për burrëri dhe trimëri, për fisnikëri dhe ndershmëri, për dije të thelluara teologjike, formim shpirtëror, mendje të mprehtë dhe zell hyjnor për shërbesën. Ju karakterizon një përkushtim i palodhur, besnikëri e devotshme ndaj themeleve të traditës kishtare dhe të rendit kanonik, si dhe dashuria e madhe dhe vetësakrifikuese për popullin tuaj, për bashkepiskopët dhe bashkëpunëtorët tuaj, për atdheun tuaj të bekuar. Horizontet tuaja janë të hapura dhe të gjera dhe në shumë mënyra keni dëshmuar se jeni një “enë e zgjedhur” e Shpirtit të Shenjtë, “për të bërë të njohur emrin e Zotit para kombeve, para mbretërve”. (Vep. 9:15)

Nga ana jonë, mund të prisni gjithmonë mirëkuptim vëllazëror, bashkëpunim të sinqertë dhe një dorë të gatshme për ndihmë në çdo gjë që mund të keni nevojë dhe mundemi t’ju përgjigjemi “me një shpirt dhe një mendje” (Filip. 2:2). Në çështjet panorthodhokse dhe ndërkishtare, si edhe në sfidat që dikton realiteti bashkëkohor i njeriut në mbarë botën, jemi të bindur se do të kemi bashkëpunimin tuaj të gatshëm. Kemi për detyrë të japim një dëshmi të besueshme përpara të gjithëve – si ndaj besimtarëve tanë, ashtu edhe ndaj atyre që janë jashtë gjirit të Kishës – se Ungjilli i Krishtit është përmbajtja e vërtetë e zemrës dhe e jetës sonë, si në rrafshin personal, ashtu edhe në atë kishtar. Po ashtu, thirremi të përballemi së bashku me sfidat e ndryshme që vijnë nga përçarjet dhe grindjet me frymën e urrejtjes ndaj Krishtit, të cilat nxiten dhe kultivohen brenda vetë trupit të Kishës; me ripërtëritjen e rrezikshme të etnofiletizmit, një frymë përçarëse ndërvëllazërore, e dënuar prej kohësh nga autoriteti sinodal si herezi, dhe me ndikimin e tij të ndërlikuar e shkatërrues për unitetin e Kishës; si edhe me zellin e verbër dhe të papjekur, që, nën maskën e përshpirtshmërisë, e gërryen si gangrenë trupin e Kishës.

Bashkëpunimi dhe uniteti mes nesh janë sot veçanërisht të domosdoshme, në një kohë kur bota mbarë tronditet nga konflikte të përgjakshme dhe luftëra, me mijëra viktima dhe një numër të panumërt refugjatësh. Kisha Orthodhokse thirret të japë një dëshmi të qartë dhe të guximshme kundër dhunës e përplasjes dhe në mbështetje të dialogut dhe të triumfit të paqes. Kjo është edhe më e rëndësishme veçanërisht në këtë periudhë kritike, kur vëmendja e të gjithëve është sërish e përqendruar tek Lindja e Mesme e shumëvuajtur, ku zhvillimet po marrin përmasa tepër të rrezikshme dhe të pakontrollueshme.

Për këtë arsye, i drejtojmë një thirrje të fuqishme udhëheqësve dhe qeverive të shteteve dhe popujve të përfshirë, që të tregojnë vetëpërmbajtjen e domosdoshme, për të mirën dhe interesin e tyre të drejtpërdrejtë, por edhe për të mirën e mbarë njerëzimit. Lutemi që Princi i Paqes t’i ndriçojë dhe t’i udhëheqë që të zgjedhin dhe të ndjekin rrugën e dialogut, në vend të përshkallëzimit të dhunës luftarake. I përgjërohemi Zotit të gjithësisë të mbrojë civilët dhe fëmijët e pafajshëm. E dimë se edhe vëllai ynë, Papa i Romës, Leoni XIV, ka bërë një thirrje të ngjashme. Urojmë që zërat tanë të dëgjohen, të mbizotërojë arsyeja dhe të marrë fund lufta dhe derdhja e gjakut në Lindjen e Mesme, në Ukrainën e goditur rëndë për më shumë se tre vjet, si edhe në të gjitha zonat e globit që tronditen nga konflikte të dhunshme.

Dëshmia e përbashkët e Kishave tona përballë shenjave të kohës përbën një shprehje të denjë nderimi edhe për Sinodin e Parë të shenjtë Ekumenik në Nikea, 1700-vjetorin e të cilit kremtojmë këtë vit. Nuk dëshirojmë t’ju lodhim më tepër! Sidoqoftë, jemi, të bindur se kanalet e komunikimit ndërmjet Konstandinopojës dhe Tiranës, Patriarkanës Ekumenike dhe Kishës së Shqipërisë do të mbeten gjithmonë të hapura, në sinqeritet ungjillor dhe në dashuri Krisht-imituese.

Në këtë frymë, Fortlumturi, ju lutemi të pranoni këto dhurata të përulura si shprehje modeste e dashurisë sonë të madhe ndaj jush dhe e gëzimit të pamatë për këtë vizitë dhe prani tuajën, të bekuar nga Zoti, në Qendrën tonë të Shenjtë dhe në bashkëmeshimin tonë të hirshëm të kësaj dite.

“Prandaj mbretit të amshuar, të pavdekshmit, të padukshmit, të vetmit Perëndi, i qoftë nder e lavdi, në shekuj të shekujve! Amin!” (1 Tim. 1:17).

Kisha e Shenjtë Patriarkale e Shën Gjergjit, Fanar