Fjalimet e mbajtura gjatë Shërbesës së Fronëzimit të Kryepiskopit Joan
Fjala e Mitropolitit të Apollonisë dhe Fierit, Hirësi Nikollës
I nderuar Fortlumturia Juaj, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Joani,
Sot, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë mes lutjesh dhe lavdërimesh drejtuar Perëndisë tonë Triadik, ngazëllohet me ngjitjen tuaj në fronin saj Kryepiskopal.
Kjo kishë ka rrënjë të lashta apostolike, si e mbjellë nga vetë apostujt: “Nga Jerusalemi e përqark deri në Iliri, kam shpallur plotësisht ungjillin e Krishtit”, shkruan Pavli i kombeve (Rom. 15:19). Populli i krishterë i trevave të vendit tonë u sprovua vazhdimisht nga ndryshimet politike dhe shoqërore, të cilat lanë gjurmë të thella në historinë e tij, madje shumë herë edhe të dhimbshme. Për ta ngushëlluar dhe për ta drejtuar atë, Perëndia do të nxirrte në pah figura dhe personalitete të shquara, një pjesë e mirë e të cilëve numërohen mes shenjtorëve të Kishës tonë. Përmendim këtu episkopët e parë të Durrësit: apostull Qesarin dhe Shën Astin, si edhe Shën Elefterin, episkopin e Vlorës.
Aktet e Sinodeve Ekumenikë përmendin emra kryepriftërinjsh si përfaqësues të një komuniteti me organizim të zhvilluar kishtar brenda territorit të Shqipërisë së sotme. Gjaku i dëshmorëve të krishterë vendas, mbeti vulë dëshmie i jetës adhuruese të krishterë ndër shekuj. Një tjetër dëshmi e tillë është edhe prania e shenjorëve lokalë, si Shën Joan Kukuzeli, Shën Nifoni, Shën Nili etj. Figura luftëtare e Gjergj Kastriot Skënderbeut mbetet simboli i qëndresës së krishterë europine ndaj pushtimit osman. Gjatë kësaj periudhe dhe në vazhdim do të dalin në pah personalitete të tilla kishtarë si Manasiu (1682-1695), Sofiani (1672-1700), Mitrofani (1752-1760), Dositheu (1760-1799), Shën Kozmai i Etolisë (1775-1779), Shën Nikita Arvaniti (1809) e të tjerë.
Krijimi i shtetit shqiptar, me arritjen e pavarësisë më 1912, nxiti përpjekjet edhe për pavarësinë e Kishës Orthodhokse, e cila shpalli Autoqefalinë e saj më 1922, të pranur dhe të bekuar nga Patriarkana Nënë Ekumenike më 1937. Një nga emrat më të spikatur të kësaj çështjeje do të ishte Fan Noli, i cili përveç të tjerash, u dallua edhe për kontributin e tij letrar, që kulmon me veprat përkthyese të teksteve adhuruese kishtare, si trashëgimia më e çmuar në gjuhën shqipe për shqiptarët orthodhoksë.
Figura të tjera kryepriftërinjsh si: Visarion Xhuvani, Agathangjel Çamçe, Kristofor Kissi, Evlogj Korila, etj. ishin pjesë aktive e historisë në procesin e shpalljes së Autoqefalisë. Kisha jonë ishte ende duke kremtuar për të, kur Lufta II Botërore pushtoi historinë e njerëzimit. Dhe, sikur të mos të mjaftonte kjo, ajo do të pasohej më tej nga regjimi i diktaturës së egër komuniste. Populli i zgjedhur i Perëndisë do të përjetonte robërinë e plumbtë dhe më shkatërruese që kishte provuar ndonjëherë Kisha e Krishtit. Besimtarë dhe klerikë të shumtë do të persekutoheshin dhe do të martirizoheshin për besimin e tyre. Ne kemi detyrim shpirtëror dhe kombëtar t’i njohim e t’i nderojmë. Pasuesit e tyre ishin njerëz të thjeshtë pa grada dhe ofiqe, por heronj të heshtur dhe besimtarë të zjarrtë, si atë Kozma Qirjo, Episkop i mëvonshëm i Apollonisë, motrat Cico e shumë të tjerë, zemra e të cilëve u bë fron i Krishtit Perëndi dhe burim lutjesh për ringjalljen e Kishës tonë.
Dhe Perëndia e dëgjoi klithmën e bijve të tij dhe dërgoi për ta Moisiun e ri, Kryepiskopin Anastas, i cili do ta udhëhiqte këtë popull të shumëvuajtur për më tepër se 33 vjet, duke prehur zemrat e tyre me shpresën e Ngjalljes dhe gëzimin e Jerusalemit të Epërm. “Kurrë më nuk doli në Izrael një profet si Moisiu” (Ligj. Përtërirë 34:10), ashtu sikurse, kurrë nuk do të ketë të dytë, si Anastasi i Ngjalljes. Të gjithë sa jemi sot këtu, e pamë dhe e dëgjuam, ai jetoi mes nesh, për ne. Këtë Moisi kolosal, të cilin ne e përcollëm vetëm përpara dy muajsh, ashtu siç i kishte hije dhe e meritonte, me madhështi të përmbajtur dhe plot hir, u zgjodhët ta pasoni Ju, Fortlumturi, si një Jisu i Ri i Navisë! Atë që vuri themele të forta dhe të sigurta në Kishën tonë, thirreni ju ta pasoni, për të vazhduar tanimë me ngritjen e kolonave të sigurta të Kishës së Krishtit. Shërbesa për të cilën ju zgjodhi Zoti është vërtet shumë e vështirë dhe sfiduese, por ne të gjithë kemi sigurinë se “Zoti do të jetë me ju, ashtu siç ishte me paraardhësin tuaj. Edhe Ai as nuk do t’ju lërë, as nuk do t’ju braktisë. Jini të fortë dhe kini guxim” (Jis. Nav. 1:6-7). Ne besojmë që kjo është zgjedhje, zgjidhje dhe vullnet i Zotit. Vetë Zoti ju mirosi si një Jisu të Ri të Navisë, që të jeni një bashkëudhëtar me Moisun Anastas.
Ju, keni vërtetuar se e doni vendin tuaj, popullin e vuajtur shqiptar dhe besimtar, duke mos pranuar kërkesat “tunduese” për të shërbyer larg atdheut. Me të përfunduar studimet teologjike në Universitetin “Holy Cross Greek Orthodox School of Theology” në Boston të SHBA-së u kthyet në Shqipëri, për t’i ofruar veten Kishës Orthodhokse pranë Primatit të saj, të lumurit Anastas. Që prej zanafillës së veprës së tij misionare, ju, jo vetëm ishit i parëlinduri i tij, jo vetëm u burrëruat në tendën e tij, por ishit edhe një nga bashkëpunëtorët dhe mbështetësit e tij më të ngushtë.
Kontributi juaj shtrihet dhe në e fushën shkrimeve, kryesisht të teksteve dogmatikë, duke nxjerrë në pah dhe aftësitë tuaja përkthyese, por edhe konsoliduese të gjuhës dhe terminologjisë teologjike, kaq të nevojshme dhe të ngutshme për literaturën e gjerë orthodhokse. Ju u treguat një Bari i mirë dhe i denjë i grigjës tuaj për 27 vite me radhë nën drejtimin e Mitropolisë së Shenjtë të Korçës, duke e shndëruar atë në një gur të çmuar të kurorës së lavdishme të Kishës sonë. Populli shpresëtar i Korçës me fisnikërinë e tij, ju deshi dhe ju mbështeti, edhe ne premtojmë se do ju duam dhe do ju mbështesim.
Ju, shkëlqyet në të gjitha shërbimet që Kisha iu besoi! Theksojmë drejtimin e Akademisë Teologjike, ku disa nga ne, anëtarët e Sinodit të Shenjtë, ju kujtojnë me mirënjohje si dekanin dhe mësuesin tonë.
Ju, përfaqësuat Kishën tonë në misionet e shenjta brenda dhe jashtë vendit, në dialogun kombëtar dhe ndërkombëtar mes kishave.
Ju, ftoheni ta çoni më tej veprën titanike Anastasiane për ruajtjen e unitetit të shenjtë të Kishës së Krishtit, si çështje kritike aktuale. Në botën e sotme të zhvillimit marramendës të teknologjisë, ungjillëzimi i popullit mbetet një domosdoshmëri jetike, sikurse ju përmendni se, “gëzimi gjendet vetëm në “Lajmin e Mirë”. Shembulli dhe amaneti i paraardhësit tuaj ishte dhe ruajtja e harmonisë dhe e bashkëjetesës fetare mes komuniteteve fetare të vendin tonë. Deri tani, ju keni ditur ta ruani këtë thesar të çmuar të shqiptarëve.
Me vota unanime për zgjedhjen tuaj, Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, shprehu unitetin e tij, por edhe të të gjithë klerit dhe popullit besimtar, prandaj shpallim njëzëri: “Ne jemi me ju Fortlumturi, sepse është gjë e mirë dhe e pëlqyer të banojnë vëllezërit së bashku” (Ps. 133,1).
Në ngritjen e kryqit tuaj, si Primati i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të gjithë lutemi dhe ju urojmë: “Zoti ju mbushtë plot me frymë urtësie për të udhëhequr popullin e Perëndisë”! Jemi të sigurt që urimeve dhe lutjeve tona sot këtu, u bashkohet edhe e gjithë Kisha triumfale me shenjtorët e saj dhe me çdo shpirt që i shërbeu dhe u mundua për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, dhe kjo do të ndodhë për lavdinë e Perëndisë tonë, prandaj lutemi bashkë me Davidin: “Jo neve, o Zot, jo neve, por emrit tënd jepi lavdi, për përdëllimin tënd dhe të vërtetën tënde!” (Ps. 113).
Prandaj për të gjithë ne, nga qielli dhe dheu, sot dhe në vazhdim, lutja jonë do të jetë: “Kujto, o Zot, Kryepiskopin tonë Joan, të cilin falja kishave të tua të shenjta me paqe, të sigurt, të shëndetshëm, jetëgjatë dhe shpjegues të drejtë të së vërtetës sate”.
I denjë! Aksios!