Fjala e Kryepiskopit Anastas,
në emër të Kishës Orthodhokse
Autoqefale të Shqipërisë
Me hidhërim shumë të thellë, u njoftuam për largimin nga kjo botë të të shumërespektuarit, Patriarkut të Bullgarisë zotit Maksim, i cili me urtësinë dhe fuqinë e tij të dhuruara nga Perëndia, për më tepër se katër dekada e drejtoi me shumë urtësi dhe durim Kishën e dashur të Bullgarisë.
Në emër të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë e ngushëllojmë thellësisht nga zemra popullin e zgjedhur bullgar. Urojmë që Perëndia Triadik, të Cilin vëllai shumë i shtrenjtë që u largua nga kjo botë dhe bashkëmeshtari në Zotin, e deshi me zemër dhe i shërbeu me besnikëri e trimëri në kohë me të vërtetë të vështira, ta prehë shpirtin e tij bashkë me shenjtorët. Siç na thotë shën Simeon Theologu i Ri: “Dhe vdes sipas ligjeve të natyrës, dhe jeton në jetë të jetëve”.
Do të mbetet në historinë e Bullgarisë dhe më gjerë në atë të Kishës Orthodhokse, kujtimi i tij, si ai i një udhëheqësi të fortë shpirtëror, të përkushtuar ndaj Traditës Orthodhokse, e cila lidh së bashku të vërtetën, bukurinë dhe dashurinë”. “I lumur është ai që e zgjodhe dhe e more, o Zot”.
I përjetshëm kujtimi i tij.