Rajoni, në të cilin është shtrihet Shqipëria e sotme, pati fatin e madh që të pranojë mesazhin ungjillor që në shekullin e parë pas Krishtit dhe ta zhvillojë më tej kulturën e vet me frymën e tij jetëdhënëse. Këto treva, përgjatë brigjeve jugore të Adriatikut dhe të pjesës veriore të Detit Jon, të shtrira në brendësi të Ballkanit rreth boshtit kryesor të Rrugës Egnatia, që lidhte pjesën perëndimore të Perandorisë Romake me atë lindore, merrte pjesë në të gjitha brumosjet kulturore dhe në kërkimet e botës së atëhershme romake. Në çdo kulturë, organizimi i Kishës së krishterë dhe depërtimi i mëtejshëm i Ungjillit zakonisht ka ndikim të trefishtë: Disa elementë të kulturës ekzistuese i pranon, të tjera i hedh poshtë dhe të tjera i transformon me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë. Nga vazhdimësia, por dhe nga kjo përplasje me të vjetrën, u krijuan forma të reja kulture dhe arti.
Në periudhën e Perandorisë Bizantine pati frymëzime të reja dhe sinteza artistike. Më vonë, gjatë periudhës otomane, kur shtresa të mëdha të popullsisë shqiptare u islamizuan, elementë të rëndësishëm të kulturës së zhvilluar kristiane mbijetuan dhe me kreativitet spontan u zhvilluan elementë të rinj, që u përgjigjeshin kushteve të veçanta të qendresës shpirtërore.
Si ndryshimet politike ashtu edhe ato kishtare në rrjedhën e 20 shekujve të Krishterimit, kanë ndikuar dhe kanë lënë gjurmë në artin dhe kulturën e rajonit, që përfshin shtetin e sotëm shqiptar. Gjatë gjithë periudhës kristiane, Shqipëria përbënte kufirin, por edhe urën ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Ngjarjet e spikatura, pushtimet e njëpasnjëshme, agresionet dhe konfliktet e përgjakshme që kanë ndodhur në këtë vend, të cilat i shkaktoi lufta për pushtet politik dhe ideologjik, u zhytën në heshtjen e së kaluarës. Por, kanë mbetur veprat shpirtërore të pavdekshme që krijoi besimi tek Perëndia dhe dashuria ndërmjet njerëzve; dhe këto vazhdojnë të ngjallin emocione, por edhe të frymëzojnë, duke na ftuar drejt një rilindjeje të brendshme dhe në një progres të ri kulturor.
Dijet tona historike për shumë periudha të historisë kishtare në rajonin tonë janë tepër të kufizuara. Informacione të rëndësishme na ofrojnë gjetjet arkeologjike dhe copëzat fragmentale nga mozaiku i shkatërruar së tepërmi i Historisë; emrat e episkopatave, të episkopëve dhe të shenjtorëve. Do të duhet të seleksionojmë me kujdes të madh dhe të pastrojmë çdo informacion përkatës, çdo copëz të së kaluarës, vepër kjo që do të lehtësojë tentativat e sintezës me të gjerë historike për ngjarjet kishtare në rajonin tonë.
Që të ketë një kuadër të pozicionit kishtar për sa do të komunikohen në këtë Simpozium, theksojmë se në Historinë e Kishës Orthodhokse mund të dallojmë këto periudha: E para: Vitet apostolike deri në vitin 731 – kur rajoni ynë ndodhej nën Ilirinë lindore dhe Kisha ishte e vetëqeverisur nën Vikariatin romak të Selanikut. Në fazën e parë të kësaj periudhe, pas vdekjes së Theodhosit të Parë (v. 395), rajoni ynë politikisht i përkiste Romës; ndërsa në fazën e mëvonshme ndodhej nën Konstantinopojën, që ishte selia e Perandorisë Lindore. Periudha e dytë: Nga viti 731 deri në fillimet e shek. të 11-të, kur Kisha lokale ndodhej nën Patrikanën e Konstantinopojës. E treta: Nga fillimet e shek. të 11-të deri në vitin 1767. Gjatë kësaj periudhe pjesa më e madhe e episkopatave (e Gllavenicës, Beratit, Xherenikut, Adrianopojës dhe Butrintit) ishin nën Kryepiskopatën e Ohrit (v. 1018), e cila ishte në “komunikim” me Patrikanën Ekumenike. Mitropolia e Durrësit gjatë shekujve 11 – 13-të vazhdonte të ishte nën juridiksionin e drejtpërdrejtë të Konstantinopojës. Këtë periudhë e presin tej për tej dy vija të thella ndarëse: Njëra kishtare: Skizma e madhe midis Lindjes dhe Perëndimit (v. 1054) dhe tjetra politike, pushtimi otoman që përfundoi me rënien e Durrësit (v. 1501). Pas Skizmës, sidomos që nga fundi i shek. të 11-të, Roma i intensifikoi përpjekjet për të shtrirë ndikimin e saj më në jug. Kryesisht nga shek. i 13-të e më pas, krahina veriore e Shqipërisë së sotme ndodhej nën ndikimin e Kishës Romano-katolike. Periudha e katërt zë fill nga heqja e autoqefalisë për Kryepiskopatën e Ohrit (v. 1767) deri në dhjetëvjeçarët e parë të shek të 20-të, nën Patrikanën e Konstantinopojës. Periudha e pestë: Nga shpallja e Autoqefalisë së Kishës Orthodhokse të Shqipërisë deri sot.
Kjo ndarje është e vlefshme, kur marrim si kriter varësinë kishtare të shumicës së Episkopatave Orthodhokse të Shqipërisë, por, për nga arti e konsiderojmë më të përshtatshëm dallimin në faza kulturore. Në mënyrë skematike mund t’i renditim veprat e ruajtura të formave të ndryshme të artit në tri periudha: Periudhën paleokristiane, periudhën bizantine dhe periudhën pasbizantine. Elementët më të vjetër të pranisë së komunitetit të krishterë në hapësirën e Shqipërisë së sotme, të gjetura në një galeri jashtë mureve të Butrintit, i përkasin, sipas të gjitha gjasave, shek. të 2-të. Në krahina të ndryshme janë zbuluar bazilika paleokristiane (midis shekujve të 4-të dhe të 6-të), të cilat me përmasat e tyre tregojnë, se u shërbenin komuniteteve të krishtera të mëdha të numër, dhe përbëjnë dëshmi të lulëzimit të Krishtërimit në këto anë.
Për sa i përket formave të ndryshme të artit, ruhen deri më sot monumente të rëndësishme arkitektonike dhe, lidhur me to, edhe pak mozaikë. Paralelisht, janë ruajtur vepra të shkëlqyera pikture, ikona, piktura murale, si dhe mikrografi tek kodet. Këtyre duhet t’u shtojmë disa vepra me vlerë në drugdhendje, përpunim metalesh dhe qendisje. Thesarët e çmuara artistike orthodhokse të kësaj krahine skajore perëndimore të Bizantit dhe më vonë të Perëndorisë Otomane – të cilat nuk njihen sa duhet në bibliografinë ndërkombëtare – janë pasuri kulturore të saj, por dhe më gjerë, janë monumente të rëndësishëm të Ballkanit dhe të krijimtarisë artistike evropiane.
Me gjithë sprovën e gjatë nga persekutimi fetar në Shqipëri gjatë gjysmës së dytë të shek. të 20-të, nuk kanë munguar përpjekjet kërkimore rreth çështjeve të artit të krishterë dhe, përgjithësisht, të kulturës së krishterë. Në veçanti, në fushën e arkeologjisë, gjatë kësaj periudhe shumë elementë të rëndësishëm panë dritën e publikimit. Por, siç dihet, regjimet autoritare nuk e lejojnë zhvillimin e kërkimeve të lira dhe formulimin e konkluzioneve respektive, sidomos kur këto vijnë në kundërshtim me ideologjitë e sundimtarëve.
Fatkeqësisht, edhe ndryshimet politike që kanë ndodhur gjatë dhjetëvjeçarit të fundit nuk i kanë favorizuar kërkimet në fushën e artit e kulturës së krishterë. Përkundrazi, për shkak të trazirave të vazhdueshme shoqërore dhe të përparësisë që i është dhënë rimëkëmbjes ekonomike të vendit, kërkimet shkencore në këtë fushë janë lënë mënjanë dhe shumë monumente kulture rrezikohen të shemben. Shembull karakteristik i kërcënimit nga koha dhe nga indiferenca është rasti i bazilikës paleokristiane në Ballsh, mbi aksin e rrugën nacionale Tiranë – Gjirokastër, e cila jep imazhin e dhimbshëm të kushteve që krijon braktisja e plotë e thesareve kulturorë.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, krahas punës për ringritjen nga themelet të strukturës kishtare, e rënuar plotësisht nga persekutimi i shfrenuar ateist i 46 viteve, që në vitet e para bëri përpjekje sistematike edhe në fushën e kulturës. Madje edhe në periudha krizash të tmerrshme dhe skamjeje të madhe, ajo u përpoq – duke nxitur studime shkencore, duke grumbulluar burime financiare dhe duke mbikqyrur objektet – për restaurimin e 65 monumenteve kulturore të krishtera, kishave dhe manastireve. Kohët e fundit përfundoi restaurimi shkencor i Kishës së Shën Marisë në fshatin Leusë të Përmetit dhe u zbuluan afresket e saj të mrekullueshme. Kjo vepër ka kushtuar 60 milionë lekë të reja (rreth 400 mijë dollarë).
Gjithashtu, u interesuam për evidentimin e të gjitha monumenteve pasbizantine të Shqipërisë me botimin e veprës së profesor Piro Thomos “Kishat Pasbizantine në Shqipërinë e Jugut”, si dhe për katalogjizimin dhe përshkrimin shkencor të monumenteve ekzistuese nga një grup i posaçëm shkencëtarësh. Kisha jonë ka hapur repartin e mirëmbajtjes së ikonave dhe deri tani ka restauruar një numër të madh veprash arti. Ajo u kujdes për krijimin dhe afirmimin e një brezi të ri artistësh, duke kultivuar fidanishte për rilindjen e ajiografisë orthodhokse tradicionale. Gjithashtu, kohët e fundit ka krijuar dy sektorë, të restaurimit të ikonave dhe të ajiografisë pranë Institutit të Formimit Profesional – një institucion i ri ky për Shqipërinë, të arsimit pas shkollës së mesme.
Në kuadrin e veprimtarive të ndryshme për fillimin e mijëvjeçarit të tretë të Krishtërimit, Kisha jonë ndërmori nismën edhe të këtij Simpoziumi: “2000 vjet art dhe kulturë e krishterë në Shqipëri”. Vjet në këtë kohë, Simpoziumi “Krishterimi midis shqiptarëve” u organizua nga Konferenca Ipeshkvnore e Kishës Romanokatolike të Shqipërisë. Kërkimet shkencore marrin një shtytje në Simpoziumin e tanishëm ndërkombëtar, duke i dhënë emfazë artit dhe kulturës së krishterë. Çështjet që do të shtjellohen janë të shumta dhe do të ishte punë e mbarë që këto përpjekje të Simpoziumeve shkencore të institucionalizoheshin; dhe sipas mundësisë në të ardhmen këto nisma të ndërmerren bashkarisht. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, brenda mundësive të saj, do të bëjë ç’ është e mundur për studimin dhe ruajtjen e thesareve artistike në Shqipëri, do të jetë e gatshme madje edhe për sakrifica ekonomike, duke kufizuar programet e saj të tjera me karakter thjesht kishtar.
E ndjej të nevojshme të falenderoj ngrohtësisht anëtarët e komisionit shkencor të organizimit, për kohën dhe mundin e ofruar me dëshirë prej tyre për realizimin e këtij Simpoziumi. Gjithashtu, referuesit e zgjedhur për gatishmërinë e përgatitjes së temave të tyre, por edhe të gjithë sa ndodhen këtu për pjesëmarrjen e tyre fisnike.
Jemi të sigurt, se ky Simpozium Ndërkombëtar do të kontribuojë në evidentimin e shumë aspekteve të panjohura të artit dhe kulturës së krishterë në Shqipëri, si dhe për nënvizimin e nevojës së shkallëzimit të kërkimeve dhe të përpjekjeve kulturore të këtushme.
Përpjekje të tilla si Simpoziumi ynë nuk kanë të bëjnë vetëm me studimin e së kaluarës, por kontribuojnë në orientimin e drejtë të së tashmes dhe në planifikimin e suksesshëm të së ardhmes. Dinamika shoqërore moderne nuk duhet të tërhiqet vetëm nga parametrat ekonomikë dhe materialoteknikë të jetës. Eshtë e domosdoshme që të tregojë po aq kujdes edhe për dimensionin shpirtëror të njeriut. Këtë gjë e shpreh dhe e thekson arti i krishterë dhe kultura e krishterë. Gabimi kritik i ideologjisë komuniste, që ka mbizotëruar për shumë dhjetëvjeçarë, ka qënë mosmarrja në konsideratë e faktit se njeriu është kryesisht një qenie metafizike.
* *
Në rrugën e njerëzimit janë dalluar gjithnjë dy tendenca dinamike: E para drejtohet drejt marrjes së pushtetit për përdorimin egocentrik të fuqisë dhe lidhet me konfliktet luftarake, dhunën e shumëllojshme dhe shtypjen e personave dhe të popujve. E dyta, e kulturës dhe e artit, kërkon të vërtetën, bukurinë, harmoninë shoqërore dhe e drejton njeriun në rrugë paqeje të brendshme dhe të jashtme, të solidaritetit dhe të afrimit të personave dhe të popujve. I shërben përsosjes shpirtërore të njeriut, lartësimit drejt Perëndisë. Kësaj të fundit, i ka shërbyer arti i krishterë dhe prandaj është një pasuri e bekuar jo vetëm për të krishterët, por dhe për çdo njeri të ndjeshëm ndaj bukurisë dhe të vërtetës.
Në stadin e sotëm të vështirë të rimëkëmbjes së saj, Shqipërisë, krahas përpjekjeve politike, organizative, legislative dhe ekonomike, i duhet që të nxjerrë nga damarët më të mirë të traditës së saj kulturore frymëzim dhe fuqi, për ecjen dhe përparimin e mëtejshëm. Arti i krishterë dhe kultura në përgjithësi, që është zhvilluar dhe u ka rezistuar agresioneve dhe furtunave të njëpasnjëshme në vend, është një element i çmuar, i pazëvendësueshëm, i ndërgjegjes, por edhe i subkoshiencës së popullit shqiptar. Imazhi i sotëm kulturor i Shqipërisë shpesh i ngjan një palinpsesti, që ka shtresa interesante të njëpasnjëshme, të cilat kërkojnë një studim të kujdesshëm dhe zbulim të vlerës së tyre.
Kultura e krishterë ka qënë kurdoherë shprehje dhe mbartëse e paqes. Tendenca e rrezikshme që krijon joshja e pushtetit politik, ekonomik, do të duhet të barazpeshohet me tërheqjen e së vërtetës, të dashurisë, të lirisë së brendshme dhe të bukurisë shpirtërore që shprehin dhe konfigurojnë kulturën. Edhe gjatë shekullit të ri që sapo fillon, kultura e vërtetë mbetet shprehësi kryesor dhe ruajtësi i vlerave shpirtërore dhe kontribuon në lartësimin estetik dhe moral të shoqërive, në mirëqenien thelbësore dhe përparimin e popujve.
+ Anastasi
16 nëntor 2000