EmailFacebookKontakt

Firmëtarët orthodhoksë të Pavarësisë – Babë Dudë Karbunara

Firmëtarët orthodhoksë të Pavarësisë

Babë Dudë Karbunara (1842 – 1917) Lindi në Berat më 1842. Ai njihej ndryshe me emrin Jorgji Karbunara, por me të marrë titullin Babë nga bashkëqytetarët e përdorte dhe kur nënshkruante.

Ai ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Kostandin Kristoforidhit. Shqip- tarizmi i theksuar i tij ra në sy të turqve, të cilët më 1895 i dogjën shtëpinë në Berat. U angazhua në ngritjen e degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Korfuz. Studimet e larta për kohën, i përfundoi në Itali, për italisht. Në dekadën e dytë të shek. XX, iu përkushtua hapjes së shkollave shqipe dhe mësimit të shqipes. Nga 1906 apo 1907, tek Hani i Xheblatit, Babë Dudë Karbunara me ndonjë tjetër u mësonin alfabetin shqip fëmijëve e të rriturve. Që në ditën kur u shpall Kushtetuta Turke më 1908, patriotët beratas hapën një shkollë shqipe. Shkolla qe hapur në katin e fundit të një dyqani 3-katësh të Muharrem Libohovës (Rulit), shkollë të cilën e drejtonte me entuziazëm Babë Duda.

Si veprimtar i dalluar i rretheve patriotike, u zgjodh delegat i Beratit në Kuvendin e Vlorës, ku si i tillë, firmoi aktin e shpalljes së pavarësisë me siglën “J. Karbunara”. Gjithashtu, u zgjodh anëtar i Pleqësisë.