Binjakë, në një epokë të paqartë, ikën nga Bizanti mbas martirizimit të dy të krishterëve gurgdhendës, të cilët i kishin mësuar mjeshtërinë e tyre. Shkuan në Iliri (dhe më konkretisht në Slloveni) dhe punuan pranë qeveritarit lokal, i cili më pas i dërgoi tek një princ. Ai i dha para dhe skica për të ngritur një tempull të gurtë idhulltarie. Ndërkaq, paratë i dhanë si lëmoshë. Natën luteshin – ditën punonin. I ndihmonte një engjëll, pra ngrehina mbaroi shpejt.
Ndërkohë u tërhoq në besimin e vërtetë prifti i perëndive të gënjeshtra, i biri i të cilit ishte tashmë i krishterë, pasi të dy vëllezërit kishin hapur syrin e verbuar të tij. Më pas shenjtorët mblodhën të varfrit që kishin përdëllyer dhe pasi i lidhën me litarë idhujt i tërhoqën të gjithë poshtë. Në vazhdim, përuruan me derdhje drite kishën dhe ia kushtuan Shpëtimtarit, duke psalur, siç thuhet, troparin që duhej “Lavdi ty, o Krisht Perëndi, mburrja e apostujve…”
Princi sapo e mësoi, urdhëroi dhe të tjerët u dogjën në furrë, ndërsa Flori (i lulëzuar) dhe Lauri (i dafintë), u lidhën në rrota qerreje dhe u rrahën. Më pas u dërguan prapë tek qeveritari, i cili i mbylli në një pus të tharë, brenda në të cilin mbaruan duke u lutur për besimtarët. Mbas shumë vjetësh, pasi lipsanet e shenjta u vendosën në këllëfë, rridhnin miro dhe bënin mrekullira në mënyra të ndryshme tek gjithë ata që vinin. Dëshmohet se u vendosën në Manastirin e famshëm të të Gjithëpushtetshmit (Pantokratoros) në Konstandinopojë.
Ark. Justini