Filizi i lutjeve të pasanikëve pa fëmijë Angjelos dhe Siriga Venizelu. Lindi në Athinë, në vitin 1522 dhe mori një kulturë të pazakontë. Në moshën 14-vjeçare, e detyruar nga të afërmit, u martua dhe pas tre vjetësh mbeti e ve. Pasi i vdiqën dhe prindërit, tashmë e çliruar nga detyrimet familjare, ktheu në manastir një kishë të vogël të shën Andreas aty afër, duke e dhuruar të gjithë pasurinë e saj (rreth vitit 1550).
Në dorëzimin murgeshë ndërroi emrin nga Regula në Filothei dhe u bë igumene, duke patur në fillim si bindëse shërbëtoret e saj dhe më pas shumë të reja të kulturuara të Athinës. Me investimet e saj dhe kontributin e besimtarëve ndërtoi një punishte, organizoi shkolla, ngriti spitale, strukturoi bujtina pa pagesë dhe institucione të tjera filantropike, sa brenda në manastir, po aq dhe në anekset e tij dhe në metoqet e jashtme. Ky institucion i shenjtë u tregua, tashmë një qendër bamirësie, rrezatimi shpirtëror dhe ngushëllimi për rajanë. Aristokratja murgeshë frymëzoi besimin për Krishtin dhe atdhedashurinë. Mbrojti sidomos athinjotet nga arbitrariteti i pushtuesve barbarë.
Të indinjuar nga veprimtaria e saj, e burgosën, sepse fshehu katër gra, të cilat i shtynin për të ndërruar besimin. Me ndërhyrjen e dhimogjerondisë e lirojnë, por në 2 tetor 1588 turqit mësyjnë dhe e arrestojnë gjatë kohës së agripnisë. E godasin aq shumë, sa në fund vdiq nga plagët, në 19 shkurt 1589.
Lipsani i shenjtë i saj ndodhet në kishën katedrale të kryeqytetit grek. Në shenjë mirënjohjeje për të, Athina ju ka dhënë tre lagjeve të saj emra që kanë lidhje me shenjtoren.
At Ju.