EmailFacebookKontakt

Filloi Viti i Ri Kishtar – Përsërit përkushtimin tënd ndaj Krishtit!

Filloi Viti i Ri Kishtar

Përsërit përkushtimin tënd ndaj Krishtit!

Nga At Luka Veroni

1 Shtatori është fillimi i Vitit të Ri Kishtar. Ç’mundësi e mrekullueshme ta fillojmë atë duke përtërirë përkushtimin tonë ndaj Iisu Krishtit dhe besimit të Shenjtë të tij Orthodhoks! Është koha për të riparë përparësitë dhe qëllimet e jetëve tona, dhe t’i riorientojmë ato drejt Krishtit dhe Kishës.

A jemi të gatshëm të pranojmë këtë ftesë të Krishtit me zemër të hapur dhe të përgatitur, apo edhe për një vit tjetër do ta kemi të mbyllur, pa asnjë zgjidhje të re apo përkushtim? Plogështia është një rrezik i madh në jetën e krishterë. Iisui paralajmëron pasuesit e tij shumë qartë mbi rrezikun e indiferentizmit në librin e Zbulesës, kur ai thotë: “Unë njoh veprat e tua, që ti nuk je as i ngrohtë as i ftohtë. Do të doja të ishe i ftohtë ose i ngrohtë! Por, mbasi je kështu i vakët, dhe as i ftohtë e as i ngrohtë, unë do të të vjell nga goja ime; Ja unë qëndroj tek dera dhe trokas, nëse dikush dëgjon zërin tim dhe të hapë derën, unë do të hyj tek ai dhe do të ha darkë me të dhe ai me mua.”

Imagjinoni dikë që vjen në derën e shtëpisë tënde, troket dhe pret që ju të përgjigjeni. Personi e di që ju jeni brenda, kështu ai vazhdon të trokasë, por ju refuzoni të hapni derën. A nuk do të ishte ofenduese kjo për vizitorin? Po sikur vizitori të ishte vetë Iisu Krishti? Dhe përsëri, ai thotë mjaft qartë në paragrafin e mësipërm, “Unë qëndroj tek dera dhe trokas”. Ai qëndron tek dera e secilës zemër, i gatshëm të hyjë dhe të banojë tek ne, dhe përsëri sa prej nesh e injorojnë këtë thirrje?

Më 29 gusht kremtuam festën e një prej njerëzve më të mëdhenj që kanë jetuar, Shën Joan Pagëzorit. Është e përshtatshme të festojmë ditën e tij para fillimit të Vitit të Ri Kishtar, sepse qëllimi i jetës së Shën Joan Pagëzorit ishte shumë i qartë: ai erdhi të përgatisë udhën për Zotin. Fjalët e para që ai predikoi ishin “pendohuni, Mbretëria e Perëndisë është në derë!”

Shën Joani përgatiti udhën e Krishtit thjesht, duke predikuar të vërtetën e Perëndisë. Ai nuk besoi në kompromisin e mesazhit të Ungjillit, dhe si rrjedhim, ai shpesh ofendoi ata njerëz që nuk jetonin lidhur me të vërtetën. Ai nuk kërkoi të fitonte aprovimin e shoqërisë, duke predikuar mesazhin e bazuar në opinionin publik. Në vend të saj, ai veproi si lajmëtar autentik i Perëndisë, duke shpallur të vërtetën, të cilën shumë njerëz nuk donin ta dëgjonin.

Shën Joan Pagëzori na kujton se të vërtetat e jetës sonë nuk duhet të detyrohen nga opinionet e njerëzve të tjerë. Për shembull, nuk ka rëndësi nëse shumica e shoqërisë sonë mendon se është në rregull të korruptohesh në biznes, në shkollë ose me qeverinë, sepse e vërteta e Perëndisë thotë diçka tjetër. Ose nuk ka rëndësi nëse shumica e shoqërisë sonë pranon abortin, me kuptimin e kontrollit legal të lindjes. E vërteta e Kishës sonë ka qenë se aborti është vrasje, dhe si rrjedhim, ligësi.

Shën Joani na kujton se cili është standarti i së vërtetës: “Mëkatet nuk bëhen virtyte duke u praktikuar gjerësisht. E drejta mbetet e drejtë edhe nëse asnjë nuk e bën, dhe gabimi është gabim edhe nëse të gjithë e praktikojnë.” Duke ndjekur standartet e shoqërisë dhe duke harruar të Vërtetën Hyjnore, shumë njerëz në botën tonë janë çoroditur në atë çka është e drejtë dhe çka është e gabuar dhe, si rrjedhim, janë larg udhës së drejtë dhe të ngushtë që të drejton drejt shpëtimit.

Shën Pavli thotë se, nëse dikush është në Krisht, ai është një krijesë e re (II Kor. 5:17). Shën Petri na tregon se Perëndia fton tërë besimtarët të bëhen pjesëtarë të natyrës së tij të shenjtë (2 Petri 1:15). Shën Lluka thotë se Perëndia i bëri rrugët e jetës të njohura tek njerëzit dhe si rrjedhim do të na mbushë me kënaqësi dhe gëzim (Vep.1:18). Gjithashtu, teologjia Orthodhokse na mëson që nëpërmjet pagëzimit ne kemi marrë hirin për t’u bashkuar me Krishtin, të bëhemi një me Të, dhe të banojmë vazhdimisht në rifreskimin dhe ripërtëritjen në praninë e tij.

Sa prej nesh përjetojnë një jetë të tillë të mrekullueshme në Krisht. Fatkeqësisht, edhe për ata, të cilët kanë shijuar këtë jetë të lavdishme, kondita jonë njerëzore është e tillë që është e vështirë të qëndrojë përkohësisht në një gjendje të tillë ndriçimi në maksimum. Si rrjedhim, ne kemi nevojë të kthehemi mbrapsht në bazën e besimit tonë, dhe të përtërijmë marrëdhënien tonë me Iisu Krishtin. Ne nuk mund të themi vetëm se jemi pasues të Krishtit, ne duhet të jetojmë dhe të praktikojmë mësimet e Tij.

E mbyll këtu duke i kërkuar secilit prej jush t’i kushtojnë vëmendje fjalëve të Joan Pagëzorit, dhe të përgatisë veten për ardhjen e Zotit. Le të fillojmë Vitin e Ri Kishtar me përtëritjen e përkushtimit tonë në Zotin Iisu Krisht. Le ta bëjmë atë një pikë që të mundohemi të mësojmë dhe të praktikojmë besimin tonë më tepër. Të bëjmë disa veprime konkrete:

1. Të marrim pjesë besnikërisht në Liturgjinë Hyjnore çdo të dielë dhe në festat e mëdha, dhe të marrim shpesh Kungimin e Shenjtë;

2. Të përkushtojmë veten tonë çdo ditë në leximin e disa kapitujve të Shkrimit të Shenjtë;

3. Të jemi besnikë çdo ditë në lutjet personale ndaj Perëndisë, ta falenderojmë për tërë dhuratat, dhe t’i kërkojmë falje për mëkatet, të lutemi për ata që janë në nevojë, dhe të kërkojmë bekimin e Tij për gjithçka që ata bëjnë;

4. Të jetojmë një jetë të krishterë dashurie me çdo person që takojmë.

Së fundi, iu bëj thirrje të hapim kraharorin e thesarit të besimit tonë, dhe të fillojmë të përjetojmë pasuritë që Iisu Krishti dëshiron që t’i kemi. Mbani mend, një thesar nuk i vlen asnjeriu, nëse mbetet i mbyllur në kutinë e vet.

Le të hapim këtë kuti thesari të besimit tonë, të marrim pasuritë dhe të përjetojmë jetën e bukur në Shpëtimtarin tonë Iisu Krisht!