EmailFacebookKontakt

Filloi viti i ri akademik në Kolegjin Universitar “Logos”

Në datën 18 tetor në Kolegjin Universitar “Logos” filloi viti i ri akademik 2021-2022 për studentët e ciklit bachelor.

Me këtë rast u bë ceremonia e çeljes, që u zhvillua në sallën e kampusit nr.1, ku studentët u pritën nga personeli i Kolegjit Universitar. Ata u përshëndetën nga Rektori, prof. dr. Ilia Ninka, administratori, MND. Av. Venian (Naum) Mile dhe koordinatorja e Zyrës së Çështjeve Studentore dhe Këshillimit të Karrierës, MSc. Anisa Duka, të cilët edhe uruan një vit akademik të suksesshëm në rrugëtimin drejt realizimit si profesionistë të vërtetë.

Përzgjedhja nga ana e studentëve e Kolegjit Universitar “Logos”, angazhon maksimalisht personelin e këtij institucioni për të siguruar një cilësi të lartë në mësimdhënie. Prandaj, në ditën të parë të vitit akademik, ajo që u theksua më shumë nga drejtuesit e institucionit ishte puna e përbashkët, në mënyrë që të kontribuohet akoma edhe më shumë në rritjen e cilësisë akademike dhe, mbi të gjitha, në ndërtimin dhe transmetimin e vlerave qytetare e profesionale.

Një moment i veçantë në fjalët përshëndetëse ishte falënderimi për ideuesin, themeluesin dhe mbështetësin e përhershëm të Kolegjit Universitar “Logos”, Kryepiskopin e Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasin, President i Fondacionit “LOGOS” dhe akademik i njohur ndërkombëtarisht.

Një falënderim u drejtohet gjithashtu edhe strukturave akademike dhe administrative të Kolegjit, që janë angazhuar për të marrë të gjitha masat për garantimin e një procesi mësimor cilësor.

A. D.