EmailFacebookKontakt

Fier – U vendos guri i themelit i Katedrales së re të Shën Gjergjit

Fieri është një nga qendrat më të mëdha të Besimit Orthodhoks në vendin tonë, ndaj, ishte e nevojshme dhe i takonte të kishte një objekt kulti që t’i përgjigjej kërkesave të besimtarëve të shumtë. Më 1992, për të plotësuar kërkesat imediate, u ndërtua një kishë e vogël e përkohshme me parafabrikate, në cepin e truallit, ku më parë ngrihej Kisha e vjetër e qytetit, e cila u shkatërrua plotësisht nga furia ateiste e regjimit komunist. Tashmë, në krah të saj po ngrihet Kisha e re Katedrale e Shën Gjergjit.

Të dielën, 12 janar 1997, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Anastasi, bëri shërbesën e vendosjes së gurit të themelit të Kishës së re.

Pas Liturgjisë Hyjnore, gjatë së cilës kreu edhe hirotonisjen e një dhiaku të ri, Fortlumturia e Tij, i rrethuar nga qindra besimtarë orthodhoksë dhe i shoqëruar nga hareja e krijuar nga ansambli i valleve “Myzeqeja”, u drejtua për në vendin ku do të ngrihet Kisha e re.

Kryepiskopi bëri aty shërbesën e vendosjes së gurit të themelit dhe, duke i uruar besimtarët për Kishën e re, u foli edhe për zhvillimin e besimit tonë Orthodhoks në vitet e fundit, ku ndër të tjera tha: “Me Hirin e Perëndisë, gjatë këtyre pak viteve që kaluam erdhi një epokë e re. Deri në këto çaste janë ngritur nga themelet ose janë në ndërtim e sipër 63 kisha të reja në të gjithë Shqipërinë. 67 të tjera janë restauruar dhe dhjetëra të tjera janë duke u riparuar…

Këtu në Fier ëndrra jonë ka qenë të rindërtonim Kishën e shkatërruar të Shën Gjergjit, që ka qenë një nga monumentet më të rëndësishme të Myzeqesë. Gjatë kësaj periudhe u bënë përpjekje të mëdha, që konkluduan në një projekt, i cili u studjua shumë nga arkitekti, bir i Fierit, në bashkëpunim me Zyrën e Shërbimit Teknik të Kishës. Le të jetë i bekuar ky projekt…”

Kisha është e tipit bazilikë, me kupolë dhe këmbanore në aksin e simetrisë. Përmasat e saj do të jenë 44 x 23 m, me lartësi 24 m në kupolë dhe 30 m në këmbanore.

Në ceremoni morën pjesë edhe autoritetet lokale, përfaqësues të komuniteteve fetare, partive politike e shoqatave të rrethit etj. Në fund, ansambli “Myzeqeja” dha një shfaqje për të pranishmit.

Në foto: Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi, i rrethuar nga dashuria dhe hareja e besimtarëve fierakë.