EmailFacebookKontakt

Fier: Kremtime në të gjithë rrethin

Mbi 2000 besimtarë orthodhoksë kremtuan me madhështi festën e Pashkëve të Mëdha në qytetin e Fierit. Sheshi i Kishës, ditën e së Premtes së Madhe ndriçonte nga mijëra qirinj e llambadha. Dalja e Epitafit nëpër rrugët e qytetit të Fierit, ngjalli një interes të paparë.

Kisha e Shën Gjergjit, ndonëse e vogël, priti në meshat që u bënë në të nga At Bartolome Bullari, i ndihmuar nga dhiaku Kostandin Doko, mijëra e mijëra besimtarë.

Kulmi i kremtimeve arriti në orën 24 të së Shtunës së Madhe. Kur, pasi u shuan dritat, fjalët e At Bartolomeut, “Merrni dritë nga drita ime”, u përcollën nga ndezja e mijëra e mijëra qirinjve dhe me çukitjen e vezëve dhe urimin e fjalëve të zemrave: “Krishti u ngjall – Vërtetë u Ngjall”.

Festat e Pashkëve u festuan më së miri dhe në fshatrat Libofshë, Ndërnenas, Vanaj, Rreth Libofshës, “Shën Petër” Sheqishte, Marinëz, Seman e kudo.

Leonidha Prifti