EmailFacebookKontakt

Festohet Shën Prokopi

Më 7-8 Korrik u festua me madhështi dita e Shën Prokopit, mbrojtësit të Komunitetit Orthodhoks të Tiranës. Kremtimi u bë në Kishën me emrin e tij që ndodhet në Parkun e Madh të Tiranës. Që në orët e para të pasdites së dt. 7 apo në orët e para të mëngjesit të ditës tjetër, grupe njerëzish e familjësh ngjiteshin lart drejt kishës, duke rikujtuar kështu traditën e vjetër, kur në këto ditë, aty bëhej edhe panairi. Kremtimet filluan me mbrëmësoren, shërbesë e kryer me të gjithë priftërinjtë e Tiranës e të drejtuar nga Fortlumturia e Tij Imzot Anastasi.

Aq është rritur numri i orthodhoksëve në Tiranë, sa kisha ishte mbushur plot e përplot, madje, më shumë njerëz e ndiqnin shërbesën nga jashtë, përreth saj. Binin në sy shumë fëmijë e të rinj të ardhur së bashku me prindërit e tyre, tamam si për festë falmiljare.

Tradita Orthodhokse e Komunitetit, pavarësisht se qe situata e veçantë, u përsërit kur grupet e besimtarëve pas meshës u ulën, në mjediset përreth kishës, ku haniri, bisedonin dhe diskutonin si një familje e madhe. Një fletë palosje e shpërndarë enkas për këtë rast, me jetën e shënjtorit dhe të dhëna të tjera, nxitën edhe më shumë diskutimet. Në të ishte paraqitur skic-idea e Kishës së Re të Shën Prokopit, që do të ndërtohet aty. Kjo dhe fakte të shumta i jepnin shkas edhe njëherë vlerësimit të punës së madhe që ka bërë e bën Kryepiskopi ynë Anastas, për përparimin e Kishës sonë Orthodhokse. Kujtonin fjalët që tha ai gjatë meshës: “Ne Orthodhoksët ëndërrojmë dhe bëjmë plane për të ardhmen e bukur. E këto plane me Hirin e Perëndisë i realizojmë. Një nga këto është edhe Kisha e Re e Shën Prokopit, që do të ngrihet në këtë vend të bukur të Tiranës. Nga mot më mirë.”

K.B.