Tiranë
Festohet dita e Ujit të Bekuar
Për të tretin vit me radhë më datë 6 Janar u festua Dita e Ujit të Bekuar. Në këtë ditë të shenjtë çdo besimtar orthodhoks kujton ditën kur Zoti ynë Iisu Krisht u pagëzua në lumin Jordan prej Joan Pagëzorit. Tri herë zhytje në ujë, qielli hapet e shpirti i Perëndisë në trajtë pëllumbi kumbon kudo: Ky është Biri im i dashur, të cilin e pëlqeva. E më pas të gjithë do të pagëzoheshin në emër të Atit, Birit e Shpirtit të Shenjtë. Ashtu si në të gjitha kishat e tjera të vendit dhe në Kishën e Ungjillëzimit u krye ceremonia fetare me rastin e kësaj dite të shënuar për tërë krishtërimin. Liturgjia hyjnore u mbajt nga At Gaqo, At Kristo, At Justini, At Martini dhe kryedhiakoni Sotir Kanxheri. Pas Liturgjisë të gjithë besimtarët që mbushnin kishën dhe shumë të tjerë, që s’kishin mundur të hynin, u grumbulluan përpara kishës, ku do të bëhej shenjtërimi i Ujit. Nga klori, psaltët dhe nga të tërë besimtarët u këndua “Sa u pagëzuam më Krishtin…” ndërsa u hodh kryqi tri herë në kazan me ujë. Më pas besimtarët nxituan të mbushinin ujë të bekuar, për ta pasur si shenjë mbarësie për familjet e tyre.