EmailFacebookKontakt

Festim i ndritshëm në të gjithë Vendin i Ngjalljes së Zotit tonë Iisu Krisht – Durrës: Gjithë rrugët e qytetit shkëlqyen nga drita e Ngjalljes

Atmosfera e Pashkës ishte ditë që ndihej, veçanërisht nëpër Kishën e vogël, por të bukur të Shën Gjergjit. Gjatë gjithë periudhës së Kreshmëve Kishë kishte shumë lëvizje, jo vetëm nga besimtarët që vinin për të marrë pjesë në liturgji, por edhe nga shumë punëtorë, teknikë e inxhinierë dhe sidhe mjaft gra, që merreshin me rregullimin dhe sistemimin e Kishës, që është në riparim e sipër. Ndërsa muratorët kryenin punimet e fundit, bojaxhinjtë lyenin Kishën, duke qëndruar në orët e vona të natës dhe elektriçistët punonin me dëshirën që ndriçimi të ishte sa më i plotë dhe i përsosur për të Premten e Zezë dhe të Shtunën në darkë. Tërhiqnin vëmendjen edhe abazhuret e rinj, një tabelë e ndritshme ku shkruhej “Gëzuar Pashkën” dhe një kryq i madh, i ndriçuar me llampa dekorative, i vendosur pranë këmbanave, të cilat kumbuan për të parën herë të Premten e Zezë, dhe shoqëruan Epitafin gjatë gjithë rrugës për në vendin ku do të ngrihet Katedralja e Re “Ngjallja e Krishtit” dhe, në vazhdim, para Bashkisë të Qytetit dhe në sheshin e bulevardit ku në shekullin e IX ka qenë Kisha e Shën Astit. Epitafi, i prirë nga at Petro Thanasi dhe at Spiro Tole, i shoqëruar nga kori i fëmijëve dhe të rinjve durrsakë, ndoqi rrugën e tij tradicionale, mbi 2500 m rreth qytetit, në qetësi të plotë dhe i mbuluar me emocionet e vdekjes së Perëndinjeriut, që lindi, vuajti dhe u kryqëzua për shpëtimin e njerëzimit.

Tjetër atmosferë të Shtunën; u mbush Kisha, u mbush plot oborri i saj, u mbush rruga që të çon te ajo, u mbush plot dhe kodra e mbuluar me pisha pranë Kishës. Dhe çasti i shumëpritur erdhi. Momenti emocionues, kur dritat u shuan dhe u dëgjua: “Ejani merrni dritë nga drita që s’perëndon” dhe errësirën e natës e ndriçuan mbi 30 mijë qirinj, që ndizeshin me radhë, duke sfiduar ndriçimin elektrik. Errësira e mesnatës thyhej nga mijëra e mijëra qirinj të ndezur kudo; në Kishë dhe në oborrin e rrugën e kishës, në mes të pyllit të pishave. Po me qirinj të ndezur u mbush dhe muri i Kalasë dhe u ndriçua dhe u mbushën dhe të gjitha rrugët e rrugicat e qytetit, nga bregdeti në Shkozet dhe nga Spitalla në Plazh. Më pas lexohet Mesazhi i Pashkës i Kryepiskopit Anastas.

Kudo dëgjoheshin çukitjet e vezëve dhe “kori” i madh i besimtarëve që këndonte troparin “Krishti u Ngjall së vdekurësh” dhe këtë kor flladi pranveror i asaj nate me ndihmën e altoparlantëve e shpërndau në të gjithë qytetin. Ia dërgoi si urim dhe bekim edhe marinarëve me anijet e tyre të akostuara në port, shumë prej të cilëve nuk munguan për të ardhur edhe në Kishë.

E Dielë, përsëri Kisha plot me njerëz, përsëri qirinj të ndezur, kurse në mjedisin e ri të Kishës, përgatitur për pritje kishte vizita. Përfaqësues të Komunitetit Katolik dhe Mysliman, autoritetet e pushtetit lokal, prefekti, deputetë, përfaqësues të rendit, intelektualë etj., uruan të gjithë orthodhoksët për festën e bukur të Pashkës; për lumturi e paqe kudo uruan që e kaluara ateiste të kujtohet si një ëndërr e keqe dhe kurrë të mos kthehet më në vendin tonë.

Lluka Tutrre